Poezi nga Pablo Neruda
Tejmbushu me mua,
Dëshiromë, shteromë, derdhmë, sakrifikomë.
Kërkomë. Merrmë, mbamë, fshihmë.
Dua të jem i dikujt, yti dua të jem, është çasti yt.
Jam ai që duke kërcyer mbi gjërat kaloi,
ai që arratisej, që dhembte.
Por tani çastin tënd po ndiej,
çastin që jeta ime të pikojë në shpirtin tënd,
çastin e ledhatimeve që nuk i derdha kurrë,
çastin e heshtjeve që nuk kanë fjalë,
çastin tënd, agimi i gjakut që me ankthe më mëkoi,
çastin tënd, mesnata ime e vetmuar.
Çliromë prej vetes sime. Dua të dal prej shpirtit tim.
Unë jam psherëtima e tij, ethet e tij, vuajtja e tij.
Unë jam sulmi i tij, klithma e tij, kënga e tij.
Jo, nuk dua të jem ky.
Më ndihmo t’i shkallmoj këto porta të pamasa.
Me supet e tua prej mëndafshi shkuli këto spiranca.
Kështu e kryqëzuan një buzëmbrëmje dhimbjen time.
Dua të mos kem kufij dhe drejt atij ylli të ngrihem.
Zemra ime s’duhet të heshtë as sot e as nesër.
Duhet të jetë siç është e shkruar,
duhet të jetë prej metali, prej rrënjësh, prej flatrash.
Nuk mund të jem guri që flaket dhe më s’kthehet,
nuk mund të jem hija që tretet dhe zhduket.
Jo, s’është e mundur, s’është e mundur, s’është e mundur.
Atëherë do të ulërija, do të qaja, do të psherëtija.
Është e pamundur, është e pamundur.
Kush do ta këpuste dridhjen e flatrave të mia?
Kush do të më shfaroste? Çfarë shenje, çfarë fjale?
E pamundur, e pamundur, e pamundur.
Çliromë prej vetes sime. Dua të dal prej shpirtit tim.
Sepse ti je rruga ime. Mes luftës e zjarrit të krijova.
Nga beteja ime më e terrtë kundër vetes, linde.
Prej meje e ke atë vulën e dëshirës së ethshme që nuk nginjet.
Që kur i shoh unë, sytë e tu janë më të trishtë.
Shkojmë bashkë. Së bashku ta përthyejmë këtë rrugë.
Të jemi udha jote. Shko. Më lër të shkoj.
Dëshiromë, shteromë, derdhmë, sakrifikomë.
Trande gardhin e kufirit tim të fundit.
Që në arrati të lajthitur, unë, më në fund, të mund të vrapoj,
t’i përmbyt tokat si një lumë i tmerrshëm,
t’i zgjidh këto nyje, oh Zot, këto nyje,
ta shkatërroj,
t’i vë zjarrin,
si një llavë e marrë
ta bëj hi gjithçka ekziston,
marrëzisht të derdhem prej vetvetes,
i lirë nga vetja ime, çuditërisht i lirë.
Të iki, o Zot, të iki!
Titulli origjinal: TEJMBUSHU ME MUA
Përktheu: Erion Karabolli
ObserverKult
Lexo edhe: