Pak nga ata më pyesin a mërzitem… lotët e mi iu përgjigjen…

xhabir ahmeti- luran...
Luran Ahmeti

Nga Xhabir Ahmeti

Pesëmbëdhjetë muaj pa Luranin


Në shtëpinë tonë e ka hapur gojën shkretëtira e po përgjon me pabesi.

Djali im, u bënë pesëmbëdhjetë muaj zie. Pesëmbëdhjetë muaj pa Ty! Ikin ditët dhe na godasin pamëshirshëm …

Jashtë këto ditë janë ditë me diell, janë ditë kur njerëzit janë plot gëzim sepse mblidhen tok e tërë familja dhe bëjnë plane për pushime. Ia mbajnë kah deti ose kah mali. Në shtëpinë tonë nuk është kështu. Ne jemi veç të gjithëve. Pakkush na sheh. Pakkush na bën hesap. Gëzimi është larguar nga shtëpia jonë. Në shtëpinë tonë e ka hapur gojën shkretëtira e po përgjon me pabesi mbi ne që jemi strukur secili në këndin e vetmisë së vet e të pikëllimit për Ty. Qetësi rreth nesh e gjëmë brenda nesh. Hëna kur del natën, ngulfatet në dendësinë e zisë e cila e mban në grusht, e mban peng këtë vatër, kështu që neve nuk na ka mbetur as rrezja e zbehtë e hënës për ngushëllim. E s’mundet ndryshe sepse Djali im, Lurani im, që sipas përshkrimeve të fizikut në Iliadë i ngjante Hektorit, ka pesëmbëdhjetë muaj që nuk është ulur në fronin që e ndriçonte çdo shtëpi ku lulëzon gjuha jonë. Nuk e kemi më Luranin para nesh ta shohim si i analizonte në hollësi të arriturat e fundit në filmin botëror. Nuk e kemi. Ne tash rrimë në vetminë e egër të nënës së Konstantinit të Vogëlthit, e cila bashkë me Doruntinën e saj e presin të birin e saj dhe të vëllanë e Doruntinës në shtëpinë që luhatet. Na ka mbetur mbi shpatula vetmia dhe lemeria e kësaj nëne.

Rri e mendoj dhe ende nuk e kuptoj pse Priami e humbi djalin e vet me yll në ballë. A vetëm pse e mbrojti nderin dhe dinjitetin e vendit?! E nuk e di, po ashtu, çfarë bëri fati me djalin tim që bëhej gati për një rol aq të rëndësishëm kur, bashkë me shokët, e shkrinte tërë qenien e tij prej aktori, për ta mbajtur në këmbë tempullin më të rëndësishëm kulturor që kemi?

Ditë për dite kalojnë njerëzit pranë meje e më shohin të kërrusur e të përlotur. Shumica kalojnë sikur s’më shohin, pak nga ata më pyesin a mërzitem. Lotët e mi iu përgjigjen. Kurse ata më thonë: yt bir atje e ka më mirë dhe më këshillojnë të kthehem në shtëpi ku më pret atmosfera e dhembshme e shtëpisë me një Nënë e me një Doruntinë, me një re e me një mbesë të vogël, që vazhdimisht krenohet me babin e saj, me këto krijesa fatkëqija që qajnë në terr dhe Niktën e bëjnë të zmbrapset. Më mbetet të mbështetem për vetmie. Dhe, pres. Pres të më kthehet djali. Vetëm atë djalë e kam. Nuk e di sa kohë jam këtu që po pres të vijë e të më thotë: si të kam babush? Po ti nëna ime, si je? Linda, a luajte sot me Arbushin e vogël? Unë e pres, por ja se ai nuk po vjen. Nuk vjen. Dal në dritare dhe rrëzë malit e shoh hijen e Persefonës, e cila edhe këto ditë të nxehta vere i bën të ftohta. Aty, ulur pranë dritares i ndjej këmbët e mia të lodhura që dhembja e pikëllimi m’i kanë bërë thuajse janë këmbët e Jobit, të ftohta e të mbuluara me plagë, siç e kam edhe shpirtin. Ashtu lëvizi dhe mbështetem në murin e kujtimeve. Aty e kam Djalin tim. Aty është strehuar dashuria e tij për familjen, aty janë bukuria dhe fisnikëria e tij.

Luran, biri im, të duam shumë, shumë dhe do të të duam deri në amshim!

ObserverKult

Lexo edhe:

XHABIR AHMETI: E MBANTE NË MEND MIRË PAMJEN E BURRIT QË TASH U TRET…