Pandi Laço: Mos shpreso…

pandi laço të të them shpirt

Poezi nga Pandi Laço

Mos shpreso…
Se akujt do të kthehen sërish në pol,
Se këngët do të duken të ëmbla si dikur,
Se burrat do të dalin sërish në duel,
Se gratë do të druhen kur të jetë herë e parë…
Se fëmijët do copëtojnë gjunjët në gurë,
Se miqtë do trokasin kur të jetë 1 Janar,
Se bulevardi do heshtë në prag festival,
Se kjo luftë do të ketë në fund një fitues,
Dhe ti do të jesh në anën e tyre,
Se jeta për ty do këndojë një himn triumfues,
Aspak, do të kthejë me shpatulla në mure,
Se askush s’mund të hyjë t’të grabisë privatësinë,
Në mbrëmje kur kthehesh në tënden folezë,
Mos ki asnjë shpresë...

Titulli i origjinalit: Poesia optimiste

ObserverKult

_ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _

Lexo edhe:

BUQETË ME POEZI NGA BELFJORE QOSE: I BËRË PREJ ËNDRRAVE TË MIA

Ju ftojmë të lexoni një cikël poezish të zgjedhura nga Belfjore Qose:

ENGJËLL PASDITEJE

Tingujve të zvarritur tretet lodhja e syve,
Pothuajse e puthur prej trishtimit varem
Në gjethet e gjelbra të oborrit të fqinjëve,
Duke tymosur kaltërsinë e fundit të qiellit.

Ti je engjëll pasditeje, pa fytyrë e tipare,
I vjetër sa tërë pasditet që lanë me flori këtë tokë,
I lodhur prej ankesave mbi boshin e qiellit,
Ndërsa ti me një lëvizje krahu përfshin dritën.

Ka grimca vullnetesh mbetur pezull,
Që si lule të sapokëputura vdesin në duart e natës.
Ka tek të gjithë të gjallët një minutë malli
Për gjithçka që jemi e nuk e dimë.

I ulur në skaj të ndërgjegjes, ti rritesh me errësirën,
Pasditet bëhen pirg në sytë e tu të kthjellët,
Si brigjet që me shkumën e tyre përkundin
Dashurinë tënde mes ujit dhe tokës.

Ti kalëron mbi ëndrrat e pasditeve,
Pa zhuritur as cepin e tunikës tënde ngjyrë hëne,
Me durimin e urtisë që nuk njeh veten
E përmbushjen e misionit tënd të dyfishtë.

Tërë kureshtjet fashiten prej llomotitjes,
Trishtimit të derdhur në filxhanin e çajit,
Shenjave që ti lë në cepin e pasdites,
Engjëll i heshtur – trëndafil në vazo.

Ke në flokë gurë iluzionesh që ndrisin,
Si magjepsje magësh në blunë e qiellit,
I gjallë dukesh pothuaj: me plagë si ne,
Sapo bukuria fillon të tretet mes ajrit të natës.

EDHE SA DO TË ZGJASË KOHA JONË MBI TOKË

Dhe një ditë tjetër u vdir… qielli u largua prej nesh,
Dhe një natë tjetër vyshku petalet e saj sipër ëndrrave.
Larg nesh, po, fort larg është melankolia e prekshme
E gështenjave të dimrit.
Tani është vjeshtë e turma e qenve,
E këtyre banorëve ankestarë të kryeqytetit,
Leh e qahet poshtë dritareve.
Dhe po, i thamë vetes, kur do mbarojë kjo ditë…
Kur do mbarojë kjo ditë,
Tek presim autobusin a semaforin,
Tek ekranet na shëmbëllejnë njerëzit e munguar,
Tek pas një dere derdhim tërë përfytyrimet e shpresat.
Kur do mbarojë
Kjo natë, kjo rrugë, ky shtrat i dridhshëm prej anktheve,
Këto fjalime motivuese ku ujqërit na mësojnë lirinë,
Ky sherbet miklimesh që kohën e kurdis mbrapsht;
Kjo ditë,
Ku koha e duhur nuk vjen askurrë,
E ku ta krijosh, duhet t’i ruhesh sakrilegjit të fyerjes
Së një tjetër ritmi, atij që ecën me tempin e kalbjes nën tokë,
E mbi tokë.
Edhe sa kohë, edhe sa,
Do endemi në jerminë e diellit platitës,
Me identitet ikanaku, të humburi pa rrugë;
Edhe sa kohë gruaja do jetë toka dhe brumi
E nuk do mundet të ngjitet në malin e shenjtë
Prej burrave që e përbuzin mitrën e saj si strokfull mëkati?
Sa ditë mbi tokë…
Mijëra prej tyre rrinë ende në radhë që t’u jepen dromca dashurie,
E mijëra të tjera kërkojë, gjejnë, humbin qëllime të qarta,
Si ato që të tjerët kanë për ne.
Mbi tokë…
Këtë vakum që thith si fshesë me korent
Kohën bashkë me planet…
Edhe sa do të zgjasë?
Edhe sa?

DO MËSOHENI TË JETONI KËTU

Do mësoheni të jetoni këtu
Me gojë të shqyera drejt një veshi pa timpan.
Posi, do mësoheni me motin, tokën, dritën
Dhe ujin, ajrin, pluskimin horizontal mbi ditët,
Me sytë që shohin pas ekraneve,
Gypat inxhinierike fshehur pas mureve;
Do mësoheni të arrini masën e një arre,
Gjatësinë e një fije bari, frikën e një lepuri;
Derisa, po të jeni me fat, të thonë për ju:
I shkreti, ishte njeri i mirë.

Me kalimin e kohës gjuha juaj do të fitojë aftësi,
Koka do mësojë të bëjë ekuilibrin mes hspatullave,
Sytë do arrijnë të shohin veç veten,
Dritat do ndizen vetëm në rastet kur doni të shihni fytyra.
Përshtatja juaj do jetë aq e fortë, sa do habiteni me trupin tuaj:
Ai do t’ju udhëheqë në rrugën e duhur, do t’ju mësojë nevojat tuaja,
Si nënshkruhet kur keni uri,
Si ndizen bullçitë në patetikën e…

Shkrimin e plotë e gjeni KËTU.

ObserverKult