Unë të mendoj. Unë të mendoj dhe jam për ty
një pasqyrë e çmendur ku shumëfishohesh
në mijëra xixëllime pritjesh.
Ah, sa afër dhe sa përanash njëri-tjetrit
do të jenë qielli dhe deti,
si krahët e një zogu të përjetshëm kaltrimi.
Unë të mendoj dhe ti mund t’i ngjash
zbehjes së zërit tënd në jehonat brenda meje.
Pasi unë jam një copë tokë
ku ti do të jesh një gjurmë qielli-
-një guvë si një dritare
nga ndriçohen gjithë sendet e botës
me dritën e rrëmbyer rrufeve të epshit.
Unë të mendoj dhe mbase të dua,
gjethe e lagur nga vesë e zjarreve pa dritë.
Na është e papritur përhumbja në krahët
e së përhershmes
por unë do të të përsëris
prapë do të përsëris, përsëri.
Do të të shpërndaj nëpër botë
si t’isha një pasqyrë e çmendur.
Do të jesh aq e panumërt
saqë do të dukesh një pjesë e rëndomtë e vetes.
Të mendoj. Të mendoj dhe po të pres
duke mbjellë vetmitë e tua rretheqark meje.