Nga: Dashnor Kokonozi – Francë
Një zbulim i ditëve të fundit nuk do të lërë indiferent lexuesit e M. Proust-it. Se prej kohësh vërehej një paradoks në lidhje me të. Një “madeleine e Proust-it” që në origjinë është një lloj petulle e ëmbël, por që mund të jetë edhe një gjësendi e çfarëdoshme e jetës së përditëshme, që na zhyt e kthen pas në kujtimet e viteve të shkuara, pra një gjë e tillë (që Marselit ia gatuante teto Leonia), njihet fort më mirë se sa Charles Swann, një personazh qendror i ciklit romanesk “Në kërkim të kohës së humbur.”
Shumë vetë mendonin se Willie Heath, ai që gjithnjë është dyshuar se ia ka frymëzuar atë, as që ka ekzistuar ndonjëherë, ata që besonin të kundërtën, kënaqeshin me pak të dhëna të dala nga goja e një miku të Proust-it, Pierre Lavallée. Sipas tij, Heath ishte një riosh anglez, të cilin Proust-i e kishte njohur te abati Vignot.
Veçse ditët e fundit, kërkimet e dy specialistëve të Proust-it, në mënyrë krejt të pavarur, sollën të dhëna krejt të tjera. Willie Heath, ai që me shumë gjasa ka qënë në origjinë modeli i një personazhi të tillë si Swann, nuk ishte anglez po amerikan.
Gjurmët e para të kësaj njohjeje janë të viti 1896, gjë që provohet nga një dedikasë e vetë Prustit në faqet e librit të tij të parë “Les Plaisirs et les Jours”, ku shkruhet “Mikut tim Willie Heath / Vdekur në Paris 3 Tetor 1893”.
Dy studiuesit, Thierry Laget, autor i librit “Proust”, prix Goncourt (2019) dhe Pyra Wise, anëtare e një ekipi që studion Proust-in, zbulojnë se emri i nënës së Willie Heath ishte Elisabeth Bond Swan. Mjafton një “n” më shumë dhe bëhet Swann. Si Pyra ashtu edhe unë kërcyem në tavan, tregon Thierry Laget.
Kërkimet e mëtejshme treguan se Heath kishte lindur në Queens (New York), më 1869, pra dy vjet para Proust-it. Dhe më tej kishte vdekur nga një enterit (infeksion në zorrë) në moshën 24 vjeçare. Dhe qe varrosur në Brooklyn, pasi kishte jetuar shume kohë në Paris.
Autorët thotë se mbetet edhe një mister i fundit: “Proust et Willie ne furent-ils qu’amis, ou amants?” (Proust-i dhe Willie, ishin vetëm miq apo dashnorë?).
Sipas T. Laget, të dy ata gravitonin në të njëjtat mjedise të financave të larta dhe kishin rrethe miqësore të sferave të artit. Vajtja në Louvre ishte pjesë e veprimtarisë së tyre të përditshme. Ishin miq rinie të lidhur edhe nga kultura e madje edhe më shumë se kaq: “mais ça, on ne peut pas savoir” (këtë nuk mund të dimë), thonë ata.
Por Laget shton: “Mendoj se mund të ketë qenë “më shumë se kaq”, përndryshe Proust-i nuk do t’ia kishte dedikuar librin e tij të parë me fjalë aq të ëmbla. Dihet gjithashtu se foton e tij ai e ka ruajtur gjithë pranë vetes. Janë shenja të një besnikërie të gjatë, guxojmë të themi, një dashuri e rinisë” (Ce sont des signes d’une longue fidélité à, osons le dire, un amour de jeunesse), e mbyll Laget.
Personalisht mendoj se një gjë e tillë nuk do të thotë gjë fare, por dyshimet e autorëve të mësipërm duhen parë lidhur me nëntë tregime që u zbuluan më 2018 dhe që flasin për marrëdhënien torturuese të Proust-it me homoseksualitetin e tij. Ato ishin hequr nga libri i tij “Les Plaisirs et les Jours” (ai që i dedikonte Willie Heath), sepse “mjedisi social tradicional nuk mund t’i pranonte”.
Gjithsesi, vepra e tij letrare mbetet nga arritjet më të mëdha të shekullit kur u botua e më tej. Identifikimi i këtij personazhi gjithë ngjyra veçse i shton magjinë.
©Dashnor Kokonozi
Lexo edhe:
KOKONOZI: SI E SHPJEGONIN MARRËDHËNIEN INTIME MËSUESIT TANË TË MARKSIZMIT
ObserverKult