J. V. Gëte: Ç’lumturi të dashurohesh!

S’më mbante vendi. Shpejt, mbi kalë!
Dhe në një çast u bë gjithçka;
Unë ik e mbrëmja bie ngadalë
Dhe përmbi malet nata ra;
Në mjegull veshur dukej pisha
Si katallan vigan atje
Ku errësira që nga gëmusha
Me njëqind sy të zinj më sheh.

Që përmbi retë hën’ e zbehtë
Si e mjeruar ndrit përreth,
Erërat lëkundin flatrat lehtë
Me vërshëllimë që të rrëqeth.
Përbindsha zgjonte e çonte nata,
Por më s’më trembte dot askush:
Se në damare zjarrë pata!
Se mu në zemër pata prush!

U pamë ne dhe gaz e prehje
Me dhe kur pe me ata sy.
E kisha zemrën plot prej teje,
Çdo frymëmarrje ish për ty.
Me ngjyrë trëndafil pranvere
Gjithë pamja jote mbushej plot.
Dhe ç’përkedhelje – o zot – athere!
Sa, ndoshta, s’meritoja dot!

Por, ah, se që pa gdhirë mirë
Nga ndarja zemra u ndrydh sërish:
Në puthjen tënde, ç’gaz të dlirë!
Në syt’ e tu, sa dhimbje kish!
Unë ik, ti sytë ul e çohesh,
Mes lotësh bën të më shikosh;
Por, ç’lumturi të dashurohesh!
Dhe ç’lumturi të dashurosh!

Përktheu: Petraq Kolevica

————————————————————-

LEXO EDHE: GËTE: NJË ZEMËR TEPËR E NDJESHME ËSHTË NJË PASURI E PALUMTUR NË KËTË TOKË TË LËKUNDUR…

Disa thënie frymëzuese për jetën dhe suksesin nga Gëte:

Çfarëdo mendon të bësh, apo e ke ëndërr, filloje. Guximi ka gjenialitet, pushtet dhe magji brenda.

Idetë e guximshme janë si lëvizjet e shahistëve që mund të sjellin humbjen e lojës, por krijojnë rastin për të filluar një lojë të re, e cila mund të fitohet.

Dijet që kam unë mund t’i ketë çdo njeri, por zemra ime është vetëm e imja.

Sundoje atë! Bëje botën t’i shërbejë qëllimit tënd, por mos i shërbe asaj.

Të jesh brilant nuk ka asnjë vlerë, nëse ti nuk respekton asgjë.

Karakter, në gjërat e vogla apo të mëdha, do të thotë të marrësh përsipër ato gjëra që ti ndjehesh i zoti t’i bësh.

Një përgjigje korrekte është si një puthje e ëmbël.

Mos iu nënshtro shumë ndjenjave. Një zemër tepër e ndjeshme është një pasuri e palumtur në këtë tokë të lëkundur.

Burracakët kërcënojnë vetëm kur janë të sigurtë.

Njeriut të zgjuar i duket çdo gjë qesharake, njeriut të ndjeshëm i duket çdo gjë e rëndë.

Besoji vetvetes dhe do të dish të jetosh.