Petrit Ruka: Besa e Kostandinit

dashuria doruntina

Ose legjenda e Fjalës së Dhënë

1.
Si kaluan nëntë vjet
Më shumë vdekje se sa jetë,
Kur ra shiu i kuq me borë
Mbi Dodonëz, në Tomor,
Një të diel të shpirtrave,
Zonja Mëmë u ngrit në këmbë,
Siç ngrihet jeta mbi rëngë*
E dha urdhër që t’i mbrehnin
Kuajt e zinj frerë-argjend
Për në tempullin e shenjtë.

Për në tempullin e shenjtë,
Ku pret vdekja ledhatime
Hem me lot, hem me vajtime,
Ku nëntë djemtë e saj të vdekur,
Vrarë në luftë, me eshtra tretur
E kanë bërë baltën si hekur,
Gurët e varreve kanë djegur.
Shkon t’u ndez qirinj tek kryet,
T’i qaj sa të nxihen yjet,
Të thahen lisat tek pyjet…

2.
Rrugës flet e qan me ligje,
Qajnë me të brigjet mbi brigje,
Vijnë kujtimet shtigje – shtigje.
Lot i djemve- shi me erë,
Po i vajzës kullon serë,
Jurendina – dritë e vetme,
Thika që i ngulet netëve,
Martuar tek vis i venetëve*…
Kaptuar male dhe dete
Ku dielli i lodhur vete,
Sa arrin shtrihet në djepe.
Nëntë vjet me sy pa parë,
As e vdekur, as e gjallë,
Larg në tokën venetike, –
Brinjë e fundit ilirike,
Larg sa malet që kaptoi
Era do një javë të shkojë…

3.
Rrugës e thithin kujtimet
Siç thith Tomori gjëmimet,
Kur nisin zotat luftimet…
I feks dasma, gris lëngatën
Siç gris vetëtima natën,
Tek sheh dhëndurët në radhë
Bijë zotërash bujarë,
Brezkuq e fustanbardhë.
Drerë në ëndrra të zënë,
Të gjithë kokëposhtë rënë
Çmendur-o pas bilës* tënë,
E bukur sa ka frikë, frika,
I shihet uji tek grika*…

Dhendurëve çmendur pas saj
U thonë Jo – e shkojnë me vaj,
Vijnë me mend e shkojnë pa të,
Vijnë me gojë ikin pa zë,
Vijnë me frymë, ikin pa frymë,
Vijnë me maj,* shkojnë me brymë,
Vijnë me këmbë, shkojnë çalë
Gjersa fati bëri valë,*
Gjersa erdhi trim i largët,
Në një muzg prilli të vakët.

Erdhi dhe sa vuri këmbët
I pushuan bilbilat këngët,
I rridhte drita nga mëngët.
I kullonte dritë nga shtati,
Dritën që ta jep veç fati,
Dritën që sjellin Të Mbarët
Dhe në natën më të zezë
S’kishe pse ndizje pishtarët…

Jurendinës, trëndelinës,
Që e sheh e skuqet tinëz,
Iu kris mëdyshja në zemër
Si brazima* nën një thembër.
Kokën kthen e sheh nga Mëma,
Sytë e nënës llënga-llënga*
Plot me re të zeza, vrënga…

4.
Para nënës s’flet më trimi,
Po i vogli, Kostandini…
Më i ëmbli, mjaltë i gjirit,
Nuk iu drodh kapak* i syrit…

“- Zonja Mëmë e shoh që s’do
Jepe, Mëmë e mos thuaj: Jo!
Jepen lejen dhe bekimin,
Le ta bëjmë krushqinë me trimin…”

***
Foli Mëma, Nëna vetë,
Mëma – Dodonë e shtëpisë,*
Përqark djemtë e motra dhjetë;
Degët e saj të hardhisë.

-“Kostandin, i vogli im,
S’e jep dot zemër e shkretë,
Lutesh kot me përgjërim,
Dridhur si zogu mbi fletë.

Ta jap larg, e di, që sytë,
Do m’i g’rryej kripë e lotit,
Cila nënë i sheh dot bijtë
Të shpërndarë si zogjtë e korbit?

Në e dashça për të mirë,
Për të mirë s’do ta kem,
Në e dashça për të keqe,
S’e kam vajzën as për helm…

Ku ta gjej kur të lëngoj
Të më lag buzën e çarë,
Të më hedh dy pika lot
Baltë e zezë kur të më marrë.”

-Nuk e jap! -tha shkurt e prerë,-
Gjumë të ëmbël, shkoni flini…
Dolën tetë e motra nëntë,
Po nuk doli Kostandini.

I shkoi pranë, i ra në gjunjë,
Dhe iu lut me përgjërim,
Thonë iu lut sa dita zbardhi
Nga mesnata në agim…

-Jepe, Mëmë, që kjo martesë,
Më e largëta ndër fiset
Të jetë derë e parë me besë
Gjersa bota të vithiset…

-Jepe Mëmë se të jap Besën,
Kur ta duash Jurendinën,
Shaloj kalin, bëhem erë,
Shkoj e sjellë si vetëtimën.

Të bëj be Baba Tomorin
Ku rri Zëu* me dy shqipet,
Ta bie motrën sa herë malli
Si një bukë në zemër piqet.

Që nga varri do të ngrihem
Të mbaj fjalën që nuk vritet,
Shpirti nënës, jep e merr –
Pulë e therur,… -përpëlitet.

Nata një e ata një,
Fjalë e tyre; borë e gjak,
Kur ra drita mbi Tomor
Zemra e nënës bëri krak…

Dha bekim, u dorëzua,
Zemër nëne, s’bën dot gjyqe,
Aty afër, tek një krua,
S’dihet pse këndoi një qyqe…

5.
Ja këto mendonte nënëzeza,
Gjersa rruga soset tek varreza.

Flokë-çpleksur, sikur bie borë
Dhjetë qirinj si heshta në një dorë,

Ulurith, përgjunjurith në çdo emër
Një qiri e një vajtim – thikë në zemër.

Gjersa tek i fundit shkoi gjunjëzvarrë
Tri herë përplas kokën përmbi varr,

Gur i Kostandinit kriset, merr të çarë.

Dy qirinj i ndez, tre vajtime treten,
Një për djalë, një për bijë, një për veten…

Kur nisi vajtimin, padëgjuar kurrë,
Që nga majë e tempullit rrokullisen gurë…

6.
Kostandin, o biri im,
Dritë e syrit dhe mallkim,
Ku është besa që më dhe,
Besa jote nën-ë dhé…
Ku e ke fjalën e dhënë;
“Do ta bie motrën, moj nënë”
Baltë e varrit ta ka ngrënë,
Pllakë e gurit ta ka zënë.
Çohu, bir, se jam jot nënë,
Më ka shkuar kuja në hënë.
Ku është ime bijë, o djalë,
Asnjë shenjë e asnjë fjalë,
As e more, as e prure,
E le nënën sterrë, kërcure
Mortja bredh në katër mure,
Shtrati myk si në qivure.
Besa sipër të ka mbetur,
Ç’bën nëntë vjet në dhé pa tretur,
Si ia bën për një të fjetur
Tek vëllezërit mbështetur.
Ngrihu e mbaj fjalën që the
Të bësh vdekjen që s’e ke,
Të të bien eshtrat në paqe
Të të mbijnë lulet mbi faqe,
Mbushur varri manushaqe…
Kostandin të ardhtë gjëma!
(Ç’gjëmë tjetër paska Mëma,
Përtej vdekjes arrin nëma?
Mendon Kostandini brënda,
Nën qepallat bronz të rënda
Nga monedhat e ergjënda*…)
Ç’gjëmë, pyetka Kostandini,
Gjëma tjetër është mallkimi,
Mallkimi i nënës me mys*
Që kthen Tomorin përmbys.

Dhe pendimin…(desh harrova!)
“Korba unë që të mallkova!..

7.
Kur u fik qiriri i fundit
Kur derdh nata hi’në e shkrumbit,
Nëpër terrin e një terri,
Nëpër vrerin e një vreri,
Si një kalë lëshuar nga freri,
Pllakë e varrit veten theri…
Pllakë e varrit dysh u ça
Katërsh plasi dhe u nda…
Dhe u ngrit ai që s’ngrihet,
Vetë i vdekuri që çmpihet,
Një i vdekur jetë e mot
Për të parën herë në botë,
Me miliona vjet pa ndodhur
Një i arbëror* i lodhur,
Më legjendë se vetë legjenda,
Më i shenjtë se vetë e shenjta…
U ngrit Kostandin i shpatës
Mori lejë nga Zot i Natës
Se atë kish shok të parë,
Prej nëntë vjetësh i pandarë.

Guri i varrit të gurtë,
Seç iu bë një kalë i brumtë,
Pllakëzat ku shtrohej varri
Fap iu bënë një fre prej ari,
Dhe qefin i butë me vesë.
Më t’ju bë një shalë e zezë,
Qiparisi – shpatë në brez.
Ajri i lagësht, ajri i zi
U çpështoll, u bë njeri…
Vetë ai, or vetë Ai,
Vuri këmbë mbi yzengji
I vërteti, jo gënjeshtra,
Hipën eshtrat përmbi eshtra
Dhe u nis për Venedik
Ai ik e nata ik…

8.
Kur arriti Venetinë,
Jashtë kështjellës, në lëndinë,
Kish qëlluar Festë e Fatit,
Digjej nata jashtë pallatit
Nëpër qindra zjarre shpatit.
Shkon e pyet. Thotë vashë e parë;
-Mirë se vjen fisnik bujar,
Cilën vashë do, o trim
Të vall’zosh gjer në agim?

-Gjithë të mirat ju i kini,
Po për mua ju nuk jini,
Tjetër gjë nëse më ndini
Të gjej motrën Jurendinë.

Tek e dyta tek e treta
Zgjati rruga sa zgjat jeta,
Jurendina pa vëllanë,
Djersët e vdekjes i ranë
Dhe në krahë të njëri-tjetrit
Qanë ata e gurët qanë…

-Jurendinë, o mall i zënë,*
Vij të mbaj besën e dhënë
Të të çoj ndë dhethit tënë
Ku mban ajri era Mëmë.

-Kostandin, vëlla i situr*
Sytë e tu janë të makthitur,*
Çfarë më fsheh që je pahitur?
Në se vij për tek varrezat
Të shkoj e të vesh të zezat,
Në se vij për gaz, haré,
Të vishem si nuse e re…

-Eja, motër sikur je…

9.
Kali niset vetëtimë,
E lë pas një trok-thëllim,
Ia bën natës zemrën vrimë
Të kullojë një ulërimë.

Kini parë a s’kini parë,
Shkon i vdekuri me të gjallë,
Shkon i gjalli me të vdekur,
I sheh hëna, mbetet mekur…

Kini parë a s’kini parë
Shpie i vdekuri të gjallë,
Kalojnë malet palë- palë
Kukuvajkat pas, vërdallë.

Bie era era dhé,
Zgjohen korbat në fole,
Zogjtë e natës që po flenë
Zgjohen e dalin mbi pemë.

Ciu – ciu, dilni, shihni,
Shkon i vdekur Kostandini,
Paska marrë leje tek varri
Të mbaj fjalën prej bes’tari…

Ciu- ciu, viu-viu
Shihni si u çmend Njeriu!

Zgjohet motra e dremitur
I dëgjon e lemeritur,
Një dyshim në tru ka zbritur
Si mornicat trupit ngjitur…


-O vëlla, i motrës-ó
I dëgjove zogjtë ç’thanë?
-Motërzë mos i dëgjo,
Se janë zogj e aq mend kanë.

-Kostandin, vëlla i bukur
Pse m’i ke flokët të zbardhur?
-Motër janë mbushur me pluhur
Është natë e ngjajnë të kalbur.

Pluhur nga këmbët e kalit
Ka ngjitur vesa mbi lumë,
Dritë e hënës sipër malit
T’i gënjen sytë e pagjumë.

-Kostandin, vëlla i mirë,
Pse në shpatulla ke myk?
-Jo,… këmishën do ketë ngrënë
Mola që bredh në sëndyk.

Shihe mirë, se do jetë mjegull,
Që më rri varur mbi shpinë,
Dremit pak, se ja, arritëm,
Dhe një kodër,… sheh shtëpinë…

Dremit nata, s’dremit motra,
I shtron makthi driza gjumit,
Ngjitet frika, zbritet kodra..
Kulla nxin përtej, pranë lumit.

-Kostandin, vëlla i motrës,
Përse nxin ashtu shtëpia,
Pse pishtarët s’qenkan ndezur
Pse s’ka dalë vëllazëria?

-Motër, gjumi i ka mundur
Kur arrijmë ata se dinë,
Dhe pishtarët i ka shkundur
Erë e malit, Jurendinë.

-Po dritaret pse janë mbyllur,
Pse më bëjnë shenja të liga,
Sikur qajnë për frymë njeriu,
Sikur nxijnë ashtu nga frika.

-I kanë mbyllur të mos hyjë
Erë e borës së kallnorit*
Përmbi shtroje të mos ngrijë
Cikma* e Baba Tomorit…
…..
Zbardhëllyen tek fund’ i kodrës,
Gurët e varreve, të shtrembër,
Zbardhen sytë jeshil të motrës
Hije e ligë i ra në zemër.

Zbriti kalin Kostandini
Në të mug’tit kuq si tjegull,
Motër, shko se kam pak punë,
Do të lutem pak në tempull.

Se kam parë në ëndërr shokët
Vrarë në luftën e fundit,
Shko se erdha, të arrij
Në të hyrë të katundit…

Sa e fsheh vëllanë varreza
Jurendina ngulsh e vrap,
Mall i saj për Zonjën Mëmë
Tundi dheun në çdo hap.

10.
Ja dhe pak,… pragu shtëpisë,
Ja dhe pak e ëmbla sisë,
Ja dhe portë e rëndë prej lisi
Ngriti dorën trokëllisi…

Çëk-çëk-çëk… oh, ç’qetësi,
Qan një qyqe mbi çati…

Çëk-çëk-çëk e pak më fortë,
“Ç’je ti që kërcet në portë?

-Hape, Mëmë, jam vajza jote,
Jurendina është pas porte…

Prapa derës flokë-çpleksitur,
Zemërngrirë dhe e tronditur,
Si ofsham’ që e merr era
-Kush je ti që flet tek dera?

-Hape, Mëmë, jam vajza jote,
Jurendina është pas porte.

-Mos u tall, o natë e ligë
Mos u tall se s’të kam frikë,
Që kur m’i hëngre fëmij’të
Je si kapak i florinjtë*…
Bushtra vdekje, moj murtajë,
Pse shkërben* ti zënë e saj?
Në je Mortja, vdekja ime,
Merrmë ballas, pa mashtrime.

-Hape Mëmë, se nuk jam vdekje
Jam jot bijë, bijë e vetme.

-Ah, më qenke bijë e vetme!
Pa më thuaj me kë erdhe,
Që ta zëmë se më gënjeve…

-Ç’thua Mëmë, Zota më ndihni,
Sa më solli Kostandini,
Më tha; “shko do hyj në tempull,
T’i lus pak shokët e vdekur
E kam kokën brymë e mjegull
Mall i tyre më ka djegur…”

-Ç’Kostandin, o zë i mekur,
Kostandini është i vdekur,
Ç’bën nëntë vjet në dhé pa tretur?

…Po është nënë, që nënë mos qoftë,
Kërkon të besoj më kot
Atë që s’ndodh kurrë në botë…

E hap derën pak nga pak
Ballë për ballë i njëjti gjak,
Zbardhen krejt e i zë tmerri
Dy shtatore prej mermeri.

Krahët s’binden, gurëzohen
Nuk arrijnë të përqafohen
Një hap afër, nëntë vjet larg
Korbat e sorrat përqark.

Dhe siç qenë; hije në erë,
Një në prag e një në derë
Plasën si qelqet me verë
Sikur s’qenë asnjëherë…

11.
Njëmijë vjet më vonë Shën Pali.
Tek kalonte nën Tomor,
Në një fshat dëgjoi një këngë
U rrëqeth e u bë borë…

Kënga thoshte; një i vdekur
Qënkej ngritur befasisht,
Qindra vjet më përpara
Se të ngrihej Zoti Krisht.

Jo për Zotin, por për Besën,
(Besa ish një Fjalë e Dhënë,)
Sepse Zot i kësaj ane
Ish akoma Zonja Mëmë.

Qe një kohë kur Bibla e tij
S’kishte parë ende agime,
Të dyzet dishepuj pranë
Urdhëron të mbajnë shënime…

Tiranë, prill 2015 – janar 2020

—————————————————————-

Shënim i autorit

Shpjegim i fjalëve “të vjetruara” dhe disa sqarime të domosdoshme

*rëngë; – gjendje e rëndë e vuajtjes, të qarit me rëngë, me bot.
*venetëve, venetët; emërtim i vjetër për popullsinë e vendosur në Veneti, Venedikun e sotëm.
* bilës; – vajzë, vashë, çupë në të folurën e arbëreshëve të Italisë, Çamërisë dhe disa vise të Labërisë
*grika; (dialektore e toskërishtes) gryka
*vijnë me maj, – këtu vijnë me pranverë, të gëzuar, të lumtur
*Gjersa fati bëri valë; këtu derisa fati u zgjua, u ngrit në këmbë, veproi.
*Llënga: Vend i ulët, gropë, zakonisht me baltë e me ujë të ndenjur, sidomos pranë lumenjve a kënetave, lerë. Llëngë e keqe. Këtu në kuptimin që sytë e saj u errësuan, u nxinë.
*brazima; – shtresa e hollë e hajthme e brymës mbi tokë që thyhet sapo ta prekësh
*kapak i syrit; qepalla e syrit, (popullore)
*Dodonë e shtëpisë: – është fjala për Mëmën, që është njeriu i shenjtë, tempulli i shtëpisë.
*Zëu; – Zeusi, kryezoti i zotave në besimin pellazg sipas shqiptimit arbëror për të cilën banorët e kësaj ane besonin se rrinte në malin e Tomorit dhe mbante pranë vetes dy shqiponja.
*monedhat e ergjënda; – monedha argjendi që u viheshin mbi sy të vdekurve për taksën e xha Karontit që i kalonte përtej lumit të vdekurit, për në Had.
*mys; – këtu i fryrë, i madh.
*i arbëror; prej Arbërisë, banor i saj.
*o mall i zënë; i mpiksur, i pjekur.
*i situr; vëlla i situr, më i miri, ajka e vëllezërve.
*makthitur; të trembur, të lemerisur, me makth.
*kallnor-it; muaj janar, i/e janarit.
*cikma; erë e akullt me grimca bore.
*shkërben; bën zërin e një tjetri, e përngjason me zërin e dikujt.

* * *
Legjenda e famshme “Kostandini dhe Jurendina” është padyshim më e bukura dhe më tronditësja në trashëgiminë tonë gojore.
Për herë të parë dëshmon si studim etnologjik me materiale burimore qysh me Dorëshkrimin e Famshëm Arbëresh të Kieutit, (1737) vepër e shkrimtarit të njohur arbëresh Nikollë Filja (1671-1769), lindur nga një familje historike arbëreshe, shpërngulur në Italinë e Jugut pas pushtimit osman te Shqipërisë në shekullin XV, me origjinë nga Filati i Çamërisë. Filja renditet midis folkloristëve të parë arbëreshë.
Në kapitullin III, të këtij dorëshkrimi, nën titullin “Kënkezë të pleqrijsë”, jepen 18 këngë popullore, balada, këngë historike dhe lirike popullore, të cilat i përkasin folklorit të arbëreshëve të Sicilisë.
Legjendën e famshme e gjen në dhjetëra variante në tërë hapësirën shqiptare, veri e jug, por asnjë prej tyre nuk ka bukurinë e variantit arbëresh. Më vonë ajo mori përkushtimin e zjarrtë të poetit më të madh lirik shqiptar, De Radës dhe sa e sa poetëve e studiuesve të tjerë arbëresh të Italisë.
Vetëm tek ky version gjejmë për herë të parë emrat real (dhe jo artistikë) të baladës, vendin ku u martua motra e Kostandinit dhe ngjyrime të tjera thellësisht arbërore. Heronjtë e saj janë Kostandini dhe Jurendina, një emër, që më së shumti, nga banorët e vjetër shqiptohej edhe me rënien e ‘”J” së pazëshme, duke mbetur thjesht Urendina ose Urëndina.

Shembull: “Urëndina, motra ima, ç’ësht ki sinjall (ki shëngj) që m’shek? I vreni ka xerku: “Veshzit tënd jan t’pluhuruara” … rrëfiar nga nglezot Matallena Brunetti (101 vjet)
Me këta emra këngën e gjejmë të kënduar në traditë dhe me stofin modern të sotshëm fare lehtë duke klikuar në YouTube me linkun: https://www.youtube.com/watch?v=rH783Xsb0h4.
Për herë të parë këtu gjendet i përcaktuar qartë edhe vendi i martesës së Jurendinës, në Veneti, (Venedik-u,) me gjasë, ende të banuara nga fise iliro- arbërore.
Përpjekja ime ndër vite ka qenë një punë e gjatë leximesh dhe mbledhje të dhënash nëpër qindra faqe rreth saj, për të ardhur më pas deri tek kuturisja e vështirë e një rikrijimi, shoqëruar si gjithmonë me dyshimet sfilitëse ndaj sfidave të tilla të jashtëzakonshme, por që gjithsesi ndihmojnë lexuesit e sotëm (sidomos nxënësit e moshave të mesme shkollore e studentët) për të pasur një variant më të plotë, mbase më të arrirë artistikisht dhe me shënime nga ato që kërkon botimi i tyre në tekstet shkollore.
Shpresoj që mundimi im të ketë vlejtur, në mos për sot, mbase për ditë më të mbara.
Autori

ObserverKult


Lexo edhe:

PETRIT RUKA: NUK DI Ç’TË BËJ TANI ME TY