Philip Larkin: Shpërthimi

Në ditën e shpërthimit,
hije të drejtuara drejt grykës së pusit:
pirgu i dheut i ngjeshur nën diell.

Nga rruga vijnë njerëzit me çizmet e minierës,
duke kollitur, sharë nën zë, tymosur me llullë
dhe prishur qetësinë e mëngjesit.

Njëri iu vu në ndjekje lepujve, i humbi,
u kthye me një fole vezësh laureshe,
ua tregoi shokëve, i vendosi prapë mbi bar.

Kështu kaluan me mjekra dhe guna shajaku,
baballarë, vëllezër, me nofka, hokatarë,
përmes portave të gjata që qëndrojnë të hapura.

Në mesditë, ndodhi lëkundja, lopët
ndaluan përtypjen për një sekondë, dielli
mbështjellë me një si perde zhegu, u vagëllua.

Të vdekurit shkojnë përpara nesh; ata
janë ulur tani në shtëpinë e zotit në prehje.
Duhet t’u biem edhe njëherë për f’tyre.


Të thjeshtë si mbishkrimet në faltore,
u tha për ta dhe për një sekondë,
gratë i panë burrat e tyre pas shpërthimit

më të mëdhenj sesa kishin qenë në jetë,
të artë si mbi një monedhë apo duke ecur
të lëkundur nën diell drejt tyre.

Njëri duke treguar vezët e pathyera.

Përkthyer nga Kujtim Morina

LEXO EDHE: Philip Larkin: Dashuria përsëri