“Në vend të lamtumirës”, këngë e interpretuar mjeshtërisht nga Pirro Çako (teksti: Azem Shkreli)

Pirro Çako është një këngëtar dhe autor këngësh shumë i njohur dhe muzika ku identifikohet më shumë është ajo pop.

Pirro Çako lindi në një familje artistësh. Të dy prindërit e tij ishin këngëtarë, Gaqo dhe Luiza Çako, njëri tenor dhe tjetra soprano.

Ambienti artistik familjar krijoi traditën që ndoqi më pas dhe Pirro… Por ai kish vendosur ndryshe, ëndrra e tij ishte të bëhej kompozitor e të shkruante tekste dhe këtë e arriti me shumë sukses.

pirro çako
Pirro Çako

Poezinë brilante të Azem Shkrelit “Në vend të përshëndetjes” të cilën e gjeni më poshtë, ju ftojmë ta dëgjoni të kënduar nga Pirro Çako.

Në vend të përshëndetjes…
Azem Shkreli

Shko se furishëm po fryn në mua erë mallkimi që s’të fal.
Dhe, dije mirë, kurrë më një e një nuk bëjn’ një si thonte Hikmeti, ai farë poeti me këngë prej zjarri.

Shko merri me vete lutjet tua, edhe hijen tënde hiqe zvarrë rrugëve si gjënë e ndyrë.
Mos u kthe pas.
Mos i harro sytë e përlotur në shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë.
Asgjë mos thuaj.
Merri me vete gjurmët nëpër të cilat erdhe një natë më e përvuajtur se frika dhe hyre në mua.
Shko dhe bëhu fjalë e mbrame n’gojën time.
Bëhu shkrepëtirë e fikur n’ylberin e shkrimit tim.
Bëhu çdo gjë pos Meje e Teje dhe asaj që e quajtëm Ne kur i zinim yjet si fluturat e ua ngjisnim nganjë emër mos ta harrojmë emrin tonë.
Shko, merri me vete edhe rrugët, të mos kthehesh kurrë në vesën e lotit të rrejshëm, gërmadhat e kujtimit t’i rrëzosh.

Shko, mbyllu në do kështjella të largëta harrimi, ku s’të zgjojnë më këmbonat e pendimit kur çmendet mallit vetmia ose kur buza buzën e han n’pikllim, që mëkatin s’e lan, që s’mundet ta shpojë Gurin e rëndë, gurin e ftohtë të ndarjes.
Shko, më mirë dhe hesht. Mos u kthe mbas.
Mos i harro sytë e përlotur n’shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë.
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej blerimi n’blerim,
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej zemre në zemër,
Aq larg sa ta harrosh edhe emrin tënd dhe zërin tim, fshihu prej vetes,
Shkurto flokëgjatat, mate me to mendjeshkurtrën tënde dhe mos qaj.
Shko se tmerrshëm po lodrojnë sonte n’mua rrëket e gjakut të ndezur.

Këngën mund ta dëgjoni duke klikuar KËTU

ObserverKult


Lexo edhe:

JA ÇKA MENDONTE DHE THOSHTE FEDERIKO GARSIA LORKA PËR PABLO NERUDËN