Pjerin Ndreka: Ma mirë m’ban ujë kur unë të vdes…

pjerin ndreka
Pyetësorit të Prustit i përgjigjet poeti Pjerin Ndreka.

Cila asht ideja juej për lumtuninë e përkryeme?
Unë nuk e di nëse ekziston me të vërtetë lumtunia e përkryeme. Mendoj se si koncept duhet me kenë dashnia e realizimi i saj final në të dy anët e segmentit, marrje e dhanie. Në pamje të parë duket si raport komercialist, jo poetik, material. Po në fund të fundit dashnia nuk ka si me kenë vetëm abstrakte meqë ka të bajnë me ndjenjat e me idenë. Truni e zemra, me t’cilët ne ndërlidhim mendimet e ndjenjat janë organe, objekte materiale.

Cila asht friga juej ma e madhe?
Dyshimi se mos bahem i padobishëm, i tepërt, i mërzitshëm për familjen, miqtë, të afërmit e vetvedin.

Cilin person të gjallë e admironi ma së shumti?
Frederik Ndocin. Ai ka realizue të gjithë andrrat që unë nuk kam mujtë me i realizue. E admiroj dhe e kam edhe pak zili, megjithëse e kam mik shumë të mirë dhe e due fort.

Cili asht personaliteti historik me t’cilin do të dishronit me u identifikue?
Luigj Gurakuqi me të tanë universalitetin e tij. Patriot e luftëtar, personalitet politik e diplomat, intelektual, publicist e letrar. Njeriu ma i panjollë shqiptar i të tana kohnave.

Cili asht tipari juej që nuk e pëlqeni?
-Andrrimi me sy çilë e besimi i tepruem te të tjertë.

Në cilat gjana e teproni?
a) Në insistimin me u diftue të tjerve përvojat e mia, edhe se jo të padobishme.
b) Në dëshirën mos me kputë lidhjet me të afërmit e miqtë.
c) Në kshillat djelmve t’mi, tashma burra.

Çfarë do t’du shtynte me rrejtë?
-Jeta jeme dhe e të tjerve.

Cili asht rrugtimi juej i preferuem?
-Kur i kisha prindt gjallë, Shkodër-Bushat e kthim.
Sod, Shkodër-Shirokë e kthim.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni ma shpesh?
-Tungiatjeta. A ka fjalë ma t’bukur në botë?

Për çfarë ju ka ardhë ma së shumti keq, apo je pendue që e ke ba?
Jam pendue për nji veprim që në fakt nuk e kam ba. Në 1991 më asht dhanë mundsia me u transferua prej Italie në USA. Ndoshta do t’kisha pasë ma shumë hapsinë e mundsi me punue e me publicizue krijimet e mia nëpërmjet diasporës shumë aktive e të organizueme shqiptare në Amerikë. Po për këtë mundsi t’pashfrytzueme e justifikoj vedin me dëshirën mos me iu largue ma shumë prindve, grues e djalit, që ende jetonin në Shqipni. Distanca do të rritej shumë e mundsia me i pa do të zvoglohej. Në fund, ajo frigë rezultoi e kotë.

Cila asht gjendja momentale mendore e jueja?
-Sigurisht, e qetë në planin personal e familjar, por e shqetsueme për të ardhmen e botës e sidomos të shqiptarve në Ballkan.

Nëse do t’kishit mundsi me ndryshue ndonji gja te vetvedja, cila do të ishte ajo?
Do t’më kishte pëlqye me msue me shkrue prozë. Mbrenda meje ka nji arkiv me ngjarje, drama e fabula që drue se kanë me vdekë bashkë me mue.

Çfarë konsideroni si arritjen tuej ma të madhe?
-Nuk e di a asht arritje e sa e madhe asht, po kisha me thanë djelmt, familja dhe rikthimi jem në botën e artit, edhe se tepër vonë e veç me poezi.

Nëse do t’mund të ktheni kohën, çfarë do të ndryshonit?
Shumë e asgja. Sigurisht kisha me shtue. Ma shumë dashni, ma shumë besim në vedi e ndonji fmijë ma shumë.

Nëse do të vdisnit dhe do t’kishit mundsinë të riktheheshit në jetë qoftë si njeri apo send,çfarë personi apo sendi do të zgjidhni të jeni?
Ujë.

LUTJA E FUNDIT

Pa e mbshtetë kryet krejt n’krahë e gjumit,
i lutem t’Lumit:
-Pash ty e mue
mos më kthe n’dhe me mblue t’shuemit;
Ma mirë m’ban ujë kur unë të vdes,
që për çdo natë të shtrydhem sysh,
e n’gjamën teme t’u shterret t’tjerve,
e për çdo nadje të bahem lot
e t’dal prej sysh të shkruem e t’zi,
nër buzë të bi
me i njomë n’dashni.

Ma mirë m’ban ujë kur unë të vdes,
që për çdo nadje të kthehem n’vesë,
e t’bi mbi lulet
që sa kanë çilë.
Se kur t’vijnë vasha me pekulet
nazet t’i hjedhin mbi karajfil,
buzën ta hapin si drandofil,
m’e puthë t’përkulet,
kmishën e bardhë në gjoks tu e çilë,
t’ia pikloj gjoksin me afsh të vokun
letë, letë tu e tokun.
Pier Kolond (Pjerin Ndreka)

Cila asht gjaja ma e shtrejtë që e posedoni?
Familja, po nuk e posedoj. Thjesht e kam dhe jam pjestari i saj ma i vjetri. Posedoj dashninë për te e për Atdheun e ua jap me knaqsi.

Çfarë konsideroni si mjerimin ma të madh?
Vdekjen e të rijve e mungesën e shpresës.

Ku do të dishronit të jetonit?
Në 3 ekstremet e trekandshit Shkodër-Romë-Florida.

Cila asht cilsia juej ma e veçantë?
Ndoshta optimizmi.

Çfarë vlersoni të nji mashkull?
Qafën e giatë e altruizmin. Me qafën e giatë kam parasysh aftësinë me i dhanë vedit kohë më u mendue para se me folë.

Çfarë vlersoni të nji femën?
Vetë femnën, t’cilën e konsideroj bekim për mashkullin që e ka përkrah, për familjen e për shoqninë.

Cili asht shkrimtari juej i preferuem?
Anton Pashku, Martin Camaj e Frederik Rreshpja.

Cilët janë herojt tuej në jetën e vërtetë?
Baba e nana (paçin dritë) dhe grueja jeme.

Cilin talent do të dishronit të kishit?
Të prozatorit e të perfeksionoja atë të poetit. Po të ishte e mundun të rifilloja aktrimin e muzikën, po kjo asht e pamundun se jam ndalë shumë heret e nuk kam aq shumë kohë në dispozicion.

Si do dishronit të vdisnit?
Çak-fak. Mbasi të isha zgjue, të isha la e pastrue mirë, të isha ulë e përfundue kafen bashkë me gruen. Ta kisha puthë atë për herë të fundit e të isha shtri në divan.Por të jena t’kjartë, jo para vjetit 2056, kam ende punë me ba.😁

Cila asht motoja juej?
Gëzoju jetës që t’ka falë Zoti e dija për nder./ ObserverKult