Po ta dhuroj ashtin e dorës sime të djathtë që ta lëmosh tokën e etshme për dashuri

fahredin gunga

(Fuqia e duarve – ose ato që bartin kohën në gishta)

Poezi nga Fahredin Gunga

Po ta dhuroj
ashtin e dorës sime të djathtë
që ta lëmosh tokën
e etshme për dashuri,
që t’i japish vetes emër-

po ta fali
ashtin e dorës sime të djathtë
që të rritesh me etjen e ujkut,
me etjen e flakës-

dhëmb i ujkut të nemur.

2 .

Merre ashtin
e dorës sime të djathtë,
dorës sime të majtë-
dhe ndërtoje piramiden
e flaktë-

të flaktë
me diell të vjedhur
në sy,

të flaktë
me fjalë të kafshuara
në buzë-

merre ashtin
e dorës sime të djathtë,
dorës sime të majtë,
dhe,
ndërtoje urën, atë urë,
për lojën e eshtrave të mirë-

Lojën e eshtrave të çmendura
në lojën
e çmendur të kokës –

Merre ashtin
e dorës sime të djathtë,
dorës sime të majtë,
(ashtin e uritur
për palcën e fjalës,
ashtin e uritur
për lojën e vdekjes së fjalës)

Ashtin e dorës
sime të djathtë,
ashtin e dorës
sime të majtë-

e, ndërtoje:
djepin për të pëkundur
belbëzimet e barit,
shtërzimet e fjalës,

e-mandej, le të jetë
vetëm fjalë,
le të jetë
vetëm lojë.

3.

Merre ashtin
e dorës sime të djathtë-
bonjakun
e fjalëve të përtypura
në nofullën e eçtuar
për gurrat e gjakut,

Merre ashtin
e dorës sime të djathtë-
nipin
e mallkimit të lulegjaqeve,
endacakun e blerimeve,

merre ashtin e dorës sime të djathtë-
mjeshtrin  çollak
për arkivolet e fjalëve,
që shpesh memece
vdesin në mes nofullash
me etje të nemur,
me etjen për lindje të re,
vetëm:
ashtin e dorës sime të djathtë,
ju lutem-

se është i urtë si urata,
se është i fortë si dhëmb i ujkut.

(Shkëputur nga libri i  Fahredin Gungës “Kepi i shpresës së mirë”)

ObserverKult

——

Lexo edhe:

EUROVISION 2024: IZRAELI LEJOHET TË KONKURROJË PAS NDRYSHIMIT TË TEKSTIT

Më në fund Izraeli do të lejohet të konkurojë në Eurovision Song Contest 2024 pas ndryshimit të tekstit të këngës, kanë njoftuar organizatorët.

Eden Golan do të përfaqësojë vendin në Eurovision në Suedi në muajin maj.

Kënga e saj origjinale “October Rain” mendohej se i referohej sulmeve të Hamasit të 7 tetorit dhe ishte ndaluar për shkak të shkeljes së rregullave mbi neutralitetin politik.

Transmetuesi publik i Izraelit ka rënë dakord të ndryshojë këngën dhe tani është titulluar “Hurricane” dhe do ta publikohet këtë fundjavë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult