Eromatologia/ Donika Dabishevci
Donika Dabishevci është poete, studiuese, doktore në letërsi, kryeredaktore e Portalit për Kulturë ObserverKult, Shtëpisë Botuese Littera dhe themeluese e Festivalit Poetik të Prishtinës.
Ka botuar librat: ‘Krizantema të plasura’ (1996); “Imazhe të brishta” (2004);
“Proza e poetizuar – F.Konica, M. Frashëri, E. Koliqi, M. Camaj, M. Hanxhari” (2015); “Kam me ardhë si deka” (2015) ; “La tua robinja” Romë, (2017); “Dashnisë së nji nate” 2020.
Donika Dabishevci është autore e familjarizuar me teoritë letrare dhe format poetike dhe do ta kishte më lehtë të vazhdonte të shkruante sipas rrymës. Mirëpo, ajo ka zgjedhur ta sprovojë veten duke ecur xhunglës së shpirtit dhe anës së errët (apo të ëndërrt) të artit, për ta sfiduar lexuesin që është mësuar të ecë shtigjeve të shkelura. Ëndrrat janë krijime të pastra estetike, pa fije etike brenda. Prandaj, përmes strukturës së shenjëzimit onirik, Donika trazon, eksperimenton dhe refuzon skemat e standardet, në gjuhë, në letërsi dhe në shoqëri.
Me poezitë e saj është prezantuar në festivale vendore dhe ndërkombëtare, ndërsa me punimet e saj shkencore në një numër të madh konferencash e seminaresh që kanë të bëjnë me fushën e Albanologjisë dhe Medias. Poezitë e saj janë përkthyer në gjuhën angleze, gjermane, frënge, turke, suedeze, rumune, bullgare, maqedonase, serbe, etj.
Ka themeluar dhe menaxhon Portalin për Kulturë, letërsi dhe art, ObserverKult, Shtëpinë Botuese Littera dhe Festivalin Poetik të Prishtinës.
Libri i parë
Jam rritë në një familje dashuronjëse të librave e të leximit, njëra nga dhomat e shtëpisë ishte bibliotekë, me disa mijëra tituj librash, kështu që ndër pamjet e para të kësaj bote për mua ishin raftet e mbushura libra. Librin e parë që e kam lexu nga ata të ilustruarit nuk e mbaj mend cili mund të ketë qenë, por më kujtohet ajo kënaqësia e dyfishtë e përjetimit që merrja nga to, përmes leximit dhe përmes imazheve të heronjve, ngjyrave, formave që e vizuelizonin historinë, rrëfimin, që e bënin më të afërt, më të kapshëm, më të prekshëm për mendjen.
Ndërsa, nga leximet e fëmijërisë do t’i veçoja disa libra që m’kanë lënë shenjë, që kam mendu shumë për ta, që e kam përjetu fatin e personazheve të tyre, jam identifiku dhe kam kriju në njëfarë forme miqësi me ta, që i kam lexu e rilexu shpesh e që ju kam kthy sërish gjatë mëmësisë bashkë me fëmijët. Sepse është mëkat të rritet një fëmijë pa ja ndjellë gjumin me magjinë e Përrallave të vëllezërve Grim, pa Tregimet e moçme shqiptare të Kutelit, apo pa atë vëllimin me Përralla, botuar nga Instituti Albanologjik; pa ato rrëfimet e ngadalshme që nisin me formulën “na ishte njëherë…”, vazhdojnë me bëmat e çuditshme, përplot të papritura e sfida të personazheve reale e joreale, me njerëz, kafshë, zogj e bimë që flasin e merren vesh aq mirë me njëri-tjetrin, me qenie mistike, dragoj, kuçedra, fluturime nga një botë tek tjetra e që në të shpeshtën përfundojnë po me formulë, me atë të famshmen “…dhe jetuan të lumtur përgjithmonë”, apo tek këto shqipe, “përralla në shkallë, dukati në ballë” etj., si për t’i thënë fëmijës e po aventura përfundoi mirë me happy end, tashmë mund të flesh rehat.
Disa herë, prej se kam qenë fëmijë i jam rikthy “Aventurave të Çipolinos” së Xhani Rodarit. Qepujka Çipolino, profesor Dardha, qeni Mastino, baron Portokalli, duke Mandarini, princ Limoni, Kavalier Domatja kanë qenë miqtë e mi për shumë kohë. Ende më duken simpatik. Pemë e perime kopshti, në një luftë mes së mirës dhe së keqes si lexim i parë, tutje më ka lënë përshtypje humori dhe fryma gazmore e në një moshë më të pjekur kam gjetë aty alegorinë e luftës së klasave, marrëdhëniet mes të shtypurve dhe pushtetarëve, përpjekjet për drejtësi e liri, por edhe problematika tjera si toleranca, rëndësia e miqësisë, e paqes etj..
Nga Rodari kujtoj edhe librin tjetër të lexuar në atë moshë “Udhëtimi i shigjetës së kaltër”, atë trenin e bukur ekspozuar në një vitrine shitoreje, aq të lakmueshëm për fëmijët që nuk do të kishin kurrë mundësitë për ta blerë. Rodari strehohet tek fantastikja përmes përdorimit të së cilës “zhduk” atë pabarazinë klasore dhe gjen rrugën që atyre fëmijëve t’ua ofroj lodrat e ëndërruara.
Nga librat tjerë që më janë ngjitur fort në zemër asaj periudhe e që do të doja t’i kujtoja si tituj edhe për shkak të njëlloj nostalgjie për leximet e bujshme fëmijërore, kur nuk kishim dritare tjetër për ta parë botën përveç përmes librash, janë “Princi i vogël” i Exuperit, të cilit mund t’i rikthehem në çdo kohë, sepse në çdo moshë e në secilin lexim të rrëmben edhe pse, natyrisht, përjetohet ndryshe. Ajo gjuha e thjeshtë, në lexim të parë- fëmijërore të ballafaqon me nivele të ndryshme përgjegjësie në raport me veten, tjetrin dhe botën . “Njeriu mund të shohë qartë vetëm nga zemra. Thelbësorja është e padukshme për syrin”, kjo ndoshta mund të jetë ajo fjalia proverbiale tek e cila mund ta reduktojmë shkurt atë mesazhin, nëse veç kërkojmë mesazh nga libri.
Në vazhdë të kujtimeve, nuk mundem pa e përmendë “Zemër” të Edmond de Amiçis, pasi është libri i parë gjatë leximit të të cilit kam qajtë, m’kanë rrjedhë vërtet lotët, një libër që shpërfaqë vlerat morale, respektin, humanitetin, dashurinë për familjen e miqtë, por edhe patriotizmin. Libra tjerë të asaj periudhe leximi, që edhe sot ma zgjojnë një ndjesi të këndshme janë mes tjerësh edhe “Tom Sojeri’ i Mark Tuenit, “100 mijë mile në det” i Zhyl Vernit, “Djemtë e rrugës Pal” i Ferenc Molnar, “Udhëtimet e Guliverit” i Xhonatan Suiftit, “Robinson Kruzo” i Daniel Defos, apo “Çufoja dhe Bubi Kaçurrel” i Gaço Bushakës, proza për fëmijë e Rifat Kukajt etj. Që të gjitha këto m’kanë hapë horizonte të reja e mbresëlënëse asaj kohe.
Libri që do doje ta kishe shkruar?
Është e pamundur dhe e pasinqertë nga kushdo që shkruan të thotë që nuk i është zgjuar asnjëherë ndjesia e identifikimit me një temë, me ndonjë dialog, personazh, formë shkrimi, apo edhe të një libri të tërë nga vargani i gjatë i librave të përbotshëm. Kjo më ka ndodhë edhe mua. Por, edhe pse ka shkrimtarë që i konsideroj si etalon vlerash letrare e estetike e kam kaluar atë fazën e idolatërisë, kështu që personalizimi nuk më mbërrin në atë shkallë. Tjetra, thuhet se atë librin më të mirë, më përfaqësuesin, më të synuarin, asnjëri shkrimtar s’ia del kurrë ta shkruajë. Edhe pse teorikisht e praktikisht e pamundur pra, edhe unë pikërisht atë do të doja ta shkruaja.
Libri që në këtë moment do doje ta lexonte tjetri?
Herakliti, që kishte si princip themelor ndryshimin e vazhdueshëm e të përhershëm të qenies, ilustruar me thënien aq të cituar “Nuk lahemi dy herë në të njëjtin lumë” m’u ndërlidh tashti tek e mendoja që asnjë lexim i çfarëdolloj libri, edhe pse leximi është proces tejet individual nuk është dy herë njësoj. Sepse vetë ne nuk jemi të njëjtit – dhe edhe tek libri në secilin rilexim gjejmë ide, mesazhe, pasazhe, figura, domethënie të fshehta apo thjesht të tjera, ose-ose nuk na lënë përshtypje ato që dikur mund t’na jenë fiksuar nga ndonjë lexim i mëparshëm. Prandaj, është zor me i rekomandu tjetrit, kushdoqoftë ai një libër, sepse ty të paska lënë përshtypje.
Libri që ua ka ndryshuar jetën?
Leximet, ndër tjera m’kanë ba me guxu me hedhë një hap tutje, me kalu matanë, me fillu me shkrujtë edhe vet dhe kjo ka ndodhë shumë herët. Në moshën 16-vjeçare (1996) kam publiku librin tim të parë “Krizantema të plasura”, për mos me ju nda pastaj asnjiherë shkrimit. N’fakt leximet m’kanë ba kjo që jam.
Libri i përfolur që ende se keni lexuar?
Librave mainstream ju rezistoj. Absolutisht nuk kam asnjë nxitje të lexoj diçka që synon të provokojë përnjëherë një target të gjerë dhe të larmishëm lexuesish. Dhe as nuk dua të bie në karrem të publicitetit. Atë më të vlefshmen kohën e kemi aq të paktë dhe ec e shpenzoje në diçka që mundohet me ta imponu reklama. Shkaku i kësaj ju kam rezistuar edhe disa nobelistëve shpallur viteve të fundit, të cilët mendoj t’i lexoj pas një kohe, kur pushon zallamahia që lidhet me emrat apo veprat e tyre.
Libri i përfolur që ju ka zhgënjyer?
Librat që nuk më tundojnë me asgjë i lë, si vazhdoj me zor. Pse duhet me e shty para diçka që nuk shkon?
Libri që ju ka befasuar?
Nuk më kanë befasuar, por janë shumë libra të cilët me ditë të tëra, ndoshta edhe me muaj më kanë mbetur në mendje pas leximit, aq shumë i kam përbrendësuar. Do ta veçoja këtu “I huaji” dhe “Miti i Sizifit” nga Kamy, “Sidharta” i Hesses, “Emri i trëndafilit” dhe “Varrezat e Pragës “ të Ecos, “Sonata e Krojcerit”, e Tolstoit, “Abadoni, engjëlli i skëterrës” i Ernesto Sabatos, “Mjeshtri dhe Margarita” e Bulgakovit, “Zorba” i Nikos Kazanzaqis, “Shakaja” e Kunderës , tregimet e Dino Buzzatit e shumë të tjera.
Libri që i jeni rikthyer disa herë?
Ka shumë, por do t’ndalesha te tri prej tyre. Do t’filloja me “Iliadën”- libri me të cilin kam një raport fort pasionant, që e du fort, që e du me shpirt. Libri që m’fton t’i rikthehem për të njëzetën, tridhjetën a pesëdhjetën herë me po të njëjtën joshje estetike. Ftesa hyjnore ndryshon, shumë herë e kam lexuar të tërin, ndonjëherë veç këngën e parë, të tretën apo njëmbëdhjetën deri te e tetëmbëdhjeta, hera-herës veç turbullirat e Akilit pas vrasjes së Patroklit, ndihmesën hyjnore për mposhtjen e Hektorit, zvarritjen e tij, vajtimet e Hekubës apo Andromakës, lutjet e Priamit, ndonjëherë edhe veç dhjetë rreshta, pesë rreshta. Antagonizmat politike e ekonomike, lufta për pushtet e betejat për dashni, ndërhyrjet e hyjnorëve te vdekatarët e zakonshëm, etja e tmerrshme për dominim, heroizmat e sakrificat apokaliptike, disfatat e përuljet, ekstrakti i natyrës e i shoqërisë njerëzore në fëmininë e saj që nuk ka ndryshuar gjë përgjatë gjithë këtyre shekujve. “Iliada”, thjesht është Libri i librave. Madhështor!
Pastaj do të ndalesha edhe te këto vargje:
Lum për ty, o i lumi zot!
Fort po shndritë njaj diell e pak po xe’!
Ç’p’e merr frima rrapin e Jutbinës!
Borë e madhe qi ka ra,
Randojnë ahat për me u thye,
Kin çetinat vetëm kreshtat,
Ushtojnë lugjet prej ortiqesh,
Prej ortiqesh, kah po bijnë ndër gropa…
që janë shkëputur nga fillimi i njërës prej këngëve të Ciklit të Kreshnikëve, “Martesa e Halilit”, e që mjaftojnë për ta parë pakrahasueshmërinë e vargut popullor. Përmes librit “Këngët e Kreshnikëve” botuar nga Instituti Albanologjik, jam njohtë me Mujin i cili bashkë me të vëllain Halilin dhe 30 agallarët e Jutbinës, me gjithë madhështinë e përmasën legjendare që i mbrunë, kujdesen për t’i ruajtur bjeshkët e kullotat; për ta mbrojtur kullën, shtëpinë, nderin e dinjitetin e familjes dhe fisit – gjithnjë në beteja e luftëra heroike. Edhe këtyre këngëve ju kthehem shpesh, madje kam bërë edhe një dokumentar për to.
Ose, ja me çfarë shprehje brilante dhe edhe rrëqethëse njëkohësisht fillon romani “100 vjet vetmi “ i Markezit. “Bota ishte aq e re saqë shumë gjërave u mungonin emrat, dhe për t’i përmendur ato duhej të drejtonit gishtin drejt tyre.” Edhe këtij libri të Markezit i jam rikthyer disa herë dhe nëse do duhej ta përthekoja me një fjalë veprën ndër më përfaqësueset e realizmit magjik në botë, sagën e familjes Buendia të Makondos, një përtejbotë në një përtejkohë, thjesht do ta etiketoja si libër për vetminë.
Libri i fundit
Edhe libri i fundit është rilexim. Kam në duar për të disatën herë “Fije bari” të Walt Whitmanit, një libër i jashtëzakonshëm, që përjetoi dy ekstremet e kritikës, nga ato konservatore që e kategorizonin si një fëlliqësirë skandaloze dhe tronditëse shkaku i shfaqjes së hapur të seksualitetit e sidomos ngjyrimeve homoerotike e deri tek superlativat që e vinin në piedestal të letërsisë amerikan duke i dhënë madje epitetin e Bardit të demokracisë. Whitman nëpërmjet një revolte shprehur në vargje kërkon çlirimin e plotë të trupit e shpirtit të njeriut dhe ngarendjen e pakusht drejt hapësirave të reja që do ta plotësonin individin. Libri vlerësohet edhe shkaku i thyerjes së konvencave tradicionale të formës së poezisë. Whitman i ikë metrikës dhe rregullave klasike të të bërit poezi, ndërsa novatorizmi i tij shprehet përmes vargjesh të lira, të mbushura me imazhe e simbole. Whitman cilësohet si poeti i lirisë ndërsa “Fije Bari” si Bibla e demokracisë amerikane./Gazeta Express
ObserverKult