Poezi e Edmond Tupjes kushtuar të birit me autizëm: Më fal Gesi im i çmuar…

Edmon Tupja biri im oh një grua

Poezi nga Edmond Tupja

Më fal Gesi im i çmuar
Që mjerisht s’arrita dot,
Pas ëndrrës sime të praruar.
Të të ndërtoja krejt të plotë.

Kë të padis për fatin tënd?
Njerkën Gjenetikë që gjemb
Më futi thellë në jetën e rëndë
Dhe që për ty egër më tremb?

Mos vallë fajin e ka Çernobili
Që ndodhi vitin kur u ngjize ti
Dhe të molepsi me rreze, Katili,
Dhe të pengoi të lulëzoje në liri?

Apo të mallkoj këtë apo atë vaksinë
Që gjakun ta ndoti me zhivë të pabesë
Dhe ta helmoi tinëzisht fëmijërinë
Që unë natë e ditë shpirtshqyer të vdes?

Mos vallë fajtor duhet bërë gluteni
I bukës apo proteina RAB39B,
Që mendohet se qenkan terreni
Ku autizmi yt ankth e makth m’u bë?

Kë të godas e të gozhdoj çmendurisht,
Shtypshkronjën 8 Nëntori ku shkrihej plumb
apo uzinën Enver me gazrat e fonderisë,
Që shpresat për ty m’i bënë shkrumb?

Përpëlitem kështu nga hamendja në hamendje,
Përpëlitem i përpirë nga kjo vdekje e pikëlluar
Dhe ndjesë të kërkoj, bir, me ngulm e dhembje
Që s’të ndërtova të plotë pas ëndrrës sime të praruar.

*Titulli i origjinalit: “Më fal”

E përgatiti: ObserverKult

*Shkëputur nga libri me poezi “Album i brengës më të thellë”

———————

Lexo edhe:

A E DINI SI MUND TË JENI TË LUMTUR? JA ÇFARË THOTË DALAI LAMA