Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Shazim Mehmeti:
Errësira, qiriri, dhoma…
Errësira, qiriri, dhoma,
tavolina, gotat, pjatat,
dy pirujt.
Punojnë
ngadalë
duart e mia.
Duart e mia,
ia zbërthejnë kopsat,
ia zhveshin këmishën,
ia zhveshin lëkurën
territ.
Shfaqen
gjinjtë e mbrëmjes,
ndizen sytë e tu.
Hëna zbret
mbi pjatë,
si portokalle
e pjekur…
Shfaqin e t’plasin…
Shfaqen e t’plasin,
shfaqen e t’derdhen,
t’bëhen ujë,
shfaqen
dhe s’i ke më,
shpend bëhet kush t’i sheh –
kush t’i sheh, t’i quk, t’i pi.
Drekë shpezësh,
sytë e tu?…
Frymë, a hukamë, a dritë, a flakë tulake…
Frymë,
a hukamë,
a dritë,
a flakë tulake.
Bërë
veç për ta kundruar,
veç për ta shijuar me sy,
me shikim,
me zemër…
Prekja më e vogël,
prekja më e hollë
mund ta fikë,
ta zhbëjë…
Ëndërr, mbase,
ëndërr që shihet largas,
veç një herë
të vetme…
(… ose…
ose hiq…)
Frymë…
Frymë –
rẻ, që zhbëhesh, avullon,
shikimi sa t’prek,
zhdukesh,
sa t’prek dora,
shpërbëhesh,
mbyll sytë dhe je,
hap sytë dhe nuk je,
duart ç’të prekin,
bëhet plagë,
erë hapin –
me shikimin ik, humb,
fluide, fluide,
më pak reale se kjo ëndërr,
o dashuri…
Gjysmëerrësira, mbrëmja…
Gjysmëerrësira, mbrëmja –
ajo mbretëreshë e sapokrehur që zotëron,
perdet që përpëlisin sytë,
dihasin, lëvizin,
dritarja, dritarja që frymë sjell,
muret, shtrati, kjo zemër, kjo zemër,
lakuriqësia e shtrirë,
lakuriqësia virgjine e lules së larë,
lules së çelur të trupit tënd.
Mbijnë flakë mbi lule –
flakë t’dalin trupit, flakë zgjasin qafët,
rriten flakë,
ndizet hapësí e marrë e dhomës,
ndodh drita, drita ndodh, lodron,
lodron dhe ky shpirt,
kërleshen epshas shtrojat, figurat,
ndizet dritë e fjetur
e syve t’brendisë –
lagur lind, lagur del, lagur ndodhë,
pipth i kuq i karafilit të mbrëmjes…
Qe kumt erak…
Qe kumt erak.
N’ikje tha:
jam bijë
e qiejve;
feja ime
është
ky zjarr
për ty;
zjarri im
është zjarri
i mishit tënd;
drita ime
janë stinët
e syve tu…
Kumt erak qe,
dita ime
qe shterpe,
sytë e mi
qenë vjeshtë
e verbër…
Borë bie, borë bie ngadalë…
Borë bie,
borë bie ngadalë,
laget floku,
buza jote përvishet,
e sipërmja përvishet,
e kuqja, ajo,
buzëqeshja çel, lulon,
ndizen sytë,
sytë e syve përflaken,
çel dhe syri i vogël
i dhëmbit t’parë,
mbi buzë bie, mbi buzë bie
borë e bardhë,
çasti dehet,
dehet dëshirimi,
rreh orë e mirë
e Zogut t’Dritës…
ObserverKult
Lexo edhe:
SHAZIM MEHMETI: TI JE AQ LARG, AQ LARG
Ti je aq larg, aq larg,
por shihe, ndigjoe,
shihe, ndigjoe natën,
o gojë, o shpirt,
o frymë e re, o sy!
Kjo natë – kjo zojë korriku,
nda e ka mendjen
me na ba
nji ligjërim përdritës.
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult