Poezi nga Uran Kostreci: Klithmë dashurie

Poezi nga Uran Kostreci

O vajz’ të përgjëroj mos u largo!
Nga bukuria jote i ngashënjyer
Ky shpirti flakë u ndez e mos harro
Dhe n’gjumë, për ty, fshan i mallëngjyer.

Sa her’ të shoh… flut’roj i ngazëllyer!
Ndaj mos më mbaj mëri! Mos e lëndo
Një zemër që reg’tin copash… e thyer
E tek jep shpirt, ofshan “s’ka si ajo”!

Me mua o vashë në mëkat mos hyrë,
Se s’ka burim o krua a liqen
Të japë imazhin tënd! Nuk ka pasqyrë!

Ti veç te vargu im vetveten gjen:
Aty e sheh të bukurën fytyrë,
Këndon sonetin tim e rrëzëllen.

ObserverKult


Lexo edhe:

URAN KOSTRECI NUK E RRAHU KURRË GJOKSIN…ISHTE NJERI,NUK DESHI TË DUKEJ HERO!

Uran Kostreci …ishte njeri

Nga Agim Baçi

Nuk deshi kurrë që të dukej një hero. I tha gjërat e tij, herë me vargje, herë me dëshmi. Nuk rrahu gjoksin për atë që kish kaluar. Madje, vuri një kapelë republike që të mos jepte shumë shpjegime për shenjën e plumbit që mori pak mbi ballë teksa tentoi të prekte fundin përballë torturave dhe poshtërimit në burg.

Zoti deshi që ai të jetonte pas daljes nga rrathët e ferrit për të na treguar në këto vite se nuk ka justifikim për bashkëjetesën me të keqen. Mbajti në mëndje atë që i duhej ta përcillte për të tjerë, duke i dëshmuar se e keqja që kaluam ishte pikërisht e aplikuar nga njerëzit rreth nesh, nga ata që i kemi ende gjyshër apo prindër, që mund të bien pre e së keqes sërish nëse nuk kemi ditur të flasim për të keqen që pësuam dhe trashëguam nga ajo e shkuar…

Tekstin e plotë mund ta gjeni KËTU