Nga Qerim Kryeziu
Në Amerikë, sapo doli libri më i ri i poetit Fahredin Shehu me titull ekzotik “UMAMI”.
Jo vetëm titujt e librave poetik të Shehut por, edhe përmbajtjet e përmbledhjeve që ai boton janë specifike dhe të rralla në kontekstin e zhvillimeve aktuale poetike shqiptare.
Këto përmbajtje me poetikën krejt personale, e bëjnë poetin Fahredin Shehun mjaft interesant, të përkthyer e shumë të lexuar në gjithë botën.
Aktualisht Fahredin Shehu është autori shqiptar më i përkthyer dhe më i lexuar në Evropë e Amerikë, në Azi e Afrikë e deri në Australi.
Shehu është krijues i pashoq që poezinë e konsideron dhunti Perëndie me të cilën Zoti mëshiron të rrallët. Shehu kur shkruan poezi, thjesht nuk mendon se punon, siç mund të punojmë të tjerët çfarëdo pune tjetër por, Krijon- Bekon fjalët, vargjet-Poezinë.
Mbase kjo cilësi e tij krijuese e ka bërë poetin Shehu të kërkuar dhe të botuar gjithandej, së fundmi edhe në Amerikë. Botues i librit poetik të Shehut “UMAMI” është poeti i njohur amerikan William S. Peters në bashkëpunim me profesoreshën eksperte të Letërsisë Transcendentale në Universitetit e Pensilvanisë Hülya Yilmaz në fokus George McDonald.
“Umami” pa dritën e botimit në qershor të këtij viti me këtë amëz bibliografike që përcjell secilin botim: ISBN – 13: (inner child press, ltd.), 155 pg. New Jersey USA, June 2022.
Koleksioni poetik me titull “UMAMI- esenca e shijueshmërisë”, është vepër origjinale që të mundëson të shijosh në këtë rast poezitë si erëza magjepse shpirtërore. UMAMI” është një fjalë e përdorur kryesisht në kuzhinën japoneze të cilën Fahredin Shehu e përzgjedh për titull të përmbledhjes. Si shprehje elitare e shijes së përkryer në kulinarinë japoneze, fjala “Umami” përkon për bukuri edhe me shijen estetike të Shehut për poezinë.
“Umami” në kuzhinë përcakton cilësinë e pjatës kurse në krijimtari cilësinë e artit – sipas poetit shqiptar. Koncepti “UMAMI” lidhet me shijen si njërën prej pesë shqisave sublime njerëzore.
Për veprën e Shehut të botuar në Amerikë ka shkruar Mjeshtri i madh i Artit dhe Shpirtnisë, poeti, recitatori dhe kaligrafisti japonez Tendo Taijin. Mes tjerash Taijin shkroi: “Nuk do t’i kishte shkuar kurrë në mendje një japonezi të përdorte “UMAMI” si titull të një koleksioni poezish. Ndjeva sikur më kishin zënë në befasi. Unë e admiroj ndjenjën e mprehtë gjuhësore të poetit Fahredin Shehu në zgjedhjen e fjalës japoneze si titull të përmbledhjes së tij me poezi”.
Fahredin Shehu sot është autori i rrallë shqiptar që përkthehet shumë kudo në botë. Në Amerikë shpërtheu si zë origjinal, si poet shqiptar që di të befasoj e magjeps edhe lexuesit e përtej Oqeanit Atlantik me fuqinë krijimtarisë së vet.
ObserverKult
Lexo edhe: