Polemikë me Arben Idrizin, Jaime Sabines dhe me poetë të tjerë pesimistë

Pal Ndrecaj

Nga Pal Ndrecaj

Unë jam i shpërblyer për të jetuar,
jo i dënuar siç the ti Sabines.
Unë jam i lumtur se jetoj,
jo i trishtuar se jam,
siç the ti Arben.
Dhe këtë po e them nga ballkoni i shtëpisë sime në Moglicë
aty ku herët, pa dalë drita, mbledh nëpër libra përvojën e poetëve më të mirë,
për ta pritur ditën që më jepet dhuratë,
pa bërë asnjë gjë për ta merituar.

Mu nga ky ballkon ju çoj fjalë
të dyve
dhe ju them kujtoni ata që në ballkonin e shtëpisë së tyre
në Prishtinë
në Meksikë
janë duke pritur lindjen e një dite të re me poezitë tuaja

Jeta është dhurata më e mirë për Ditëlindje
falas e kemi marrë
falas duhet ta japim

Unë ju dua të dyve si poetë
dhe kësaj radhe nuk po ju them asgjë,
se shtëpia ime është në një fshat të vogël
prej nga nuk dëgjohem,
veç po ju përgjigjem me vargjet e poetes portugeze, Florbela Espanze:

“Të jesh poet është lartësim, është madhështi
kundruall të tjerëve!
Kafshimet t’i shndërrosh në puthje!
Të jesh një lypës dhe prapëseprapë të dhurosh bujarisht!”

ObserverKult


Lexo edhe:

PAL NDRECAJ: ARTI NUK ËSHTË PËR TË NA MËRZITUR, POR PËR TË NA GËZUAR