Preç Zogaj: A do të mund ta shoh, a do më shfaqet…

preç zogaj
Preç Zogaj

Papritur, sërish papritur, edhe pse e di se do të ndodhë,
Era kthehet përmbys sikur do të qajë
mbi rërën e bardhë,
mbi fushë dhe mbi det.

Unë mbyll sytë dhe dëgjoj
shungullimat e lashta.
Kur i hap ka ndryshuar bota,
S’ka më njerëz në shkretëtirë,
Ka filluar një shi i imët si një keqardhje,
si një përshpirtje.

Ena ime e verës sapo u derdh për tokë.
Një fëmijë po shkon në klasën e parë
pas gjysmë shekulli.

Si do të jetë jeta që kam harruar?
A do të mund ta shoh, a do më shfaqet
Zoti që ishte me mua dhe s’e dija!

Shtator, 2014

*Titulli i origjinalit” Shtator përsëri”


Lexo edhe:

PREÇ ZOGAJ: PO PËRGATITEM PËR PUTHJEN TËNDE