Preç Zogaj: Po përgatitem për puthjen tënde

Po përgatitem për preç zogaj

Poezi nga Preç Zogaj               

“Sa udhë për të ardhur gjer te një puthje”
                                                                             Neruda

Një valë e nxehtë flladesh vjen nga deti,
kjo verë i zgjat dhe i shkurton ditët krejt pa rregull.
Dy herë ndaloi në dritaren time
një fytyrë e zbehtë, e harruar… Kupidi!
Çudi bëri me mua dhe u zhduk.
Do të kthehet prapë, ma ndien shpirti.
I dergjuri i madh
nuk ia paska humbur
fuqinë zgjimit.

Po përgatitem për puthjen tënde.

Pasqyra, furça në luftë me kohën.
Rreshtat e dhëmbëve… janë të mitë!
E imja rrëshira e buzëve,
imi shtresimi i melodive në qiellzë,
të mijat fluturzat e pranverave të vdekura
rreth e rrotull kresë.

Dalë nga shtati dhe sahatet koha,
ka leje të hallakatet sa të dojë,
por ora e fatkobit tonë është vendosur,
podi po ngrihen si karamanjollë.
Kur isha i ri, për herë të parë
në fund të kopshtit u putha me një vajzë,
kollaj, më kollaj se ta dija si…
Të tjera, të tjera e pasuan. Por ti
më je më e parë se e para herë,
më vjen më e parë se e para grua.
Asnjë s’kam puthur,
asnjë s’më ka puthur në buzë mua!

Kupidi! Kësaj radhe shkrepje në pasqyrë
më huan ngjashmërinë e tij në fytyrë,
zemrën plot me trazim dhe një short:
Për gëzim ta kërkoj Zotin, jo për zot.

Po përgatitem për puthjen tënde.

ObserverKult

____________________

Lexo edhe:

PREÇ ZOGAJ: NE NA NJOHU NJË E TRETË, DASHURIA

Ne na njohu një e tretë: Dashuria.
Ajo qëndronte mes heshtjes sonë
kur shiheshim gjatë si dy të pagojë
dhe e dinim para tjetrit çfarë ka në mendje tjetri,
dhe flisnim dyshe edhe kur flisnim me vete…

Ishte më e vogël se ne, por u bë më e madhe,
Na mbarti netëve nepër rrugë ajrore
plot trëndafila të kuq maskuar si të bardhë ,
Na hoqi udhën me…

Shkrimin e plotë e gjeni KËTU.

ObserverKult