Drita që kishim, malli që kishim,
ajo tendosje rozë që na mbante
orë e minutë nishane të njëri-tjetrit-
Edhe me u dashtë, edhe me u vra-
Ra papritur, u zbeh, u shkreh
nën hijen e butë të një rrotullimi.
Prapa krahëve na kaloi fundi,
Ndoshta na kaloi përpara syve…
Jetonim duke lëshuar në përqafime
mendime argjendi si monada.
Endja që kishim për t’u parë, për t’u puthur,
Drita që kishim, malli që kishim
rrodhën prej nesh ngadalë,
si gjaku nga trupi i ushtarit
goditur në nyell
që nuk e kupton se po vdes.
U fikën xixëllimat e arta. Pse?
Po shembet në sterë dëlirësia. Pse?
Kemi kohë, pafundësisht kohë,
me kapë, me ndalë, me pa çastin
e mezidukshëm të lamtumirës.
Kur kaloi reja,
U nis plumbi…
ObserverKult
Lexo edhe: