Ngado më shtyn kjo natë, ky mall
përveçse te ti atje ku nuk më pret,
E lamë të thënë të rrimë pa u parë
me terrin e pakalueshëm ndërmjet.
Tani që s’të kam jam bërë më i shkuar,
një zot më mban peng nëpër kujtime
të lashta, të huaja që s’di t’i kem jetuar-
Jam unë fantazma e jetës sime.
Asnjë largësi, arrati a ikje
s’më çon dot matanë kësaj lëngate,
Kudo është mungesë, kudo përshpirtje,
Një letër e gjatë pa shkrim zotnisë sate.
Një shtjellë e purpurt, magji e vjetër
na mbajti në jerm një vit përqafuar.
Dhe nuk mund të kishte vazhdim tjetër
nga kjo vetmi që nuk ka të mbaruar.
ObserverKult
————–
Lexo edhe:
“NJË E TRETË DASHURIA”, PREÇ ZOGAJ VJEN ME NJË LIBËR, PËRMES VARGJESH NA KUJTON ATA QË NA MUNGOJNË
Poeti Preç Zogaj ka promovuar librin e tij të fundit me poezi, “Një e tretë dashuria” ku përmes vargjeve, rrëfen muzat dhe kujton ata që na mungojnë.
Preç Zogaj tha se “një veçori që ka poezia është se autori se duhet të mbetet vetvetja pa e përsëritur veten. Për librin ‘Kalimi’, Ndoc Gjetja më thoshte se nuk mund të shkruash një libër më të mirë se ky”.
Për poeten Natasho Lako, libri i fundit i Zogajt është festë e Gjuhës.
“Është si ai trëndafili që hapet. Hapet vetë fjala dhe zë një vend të çuditshëm që nuk e ke në asnjë poet tjetër. Është një marrëdhënie që e riuzbulon vetëm Preçi dhe kjo është një nga gjërat më të bukura që tregon pjekuri të madhe artistike”…
Tekstin e plotë mund ta gjeni KËTU