Primo Shllaku: Po të kisha mundë me heshtë

primo shllaku lule në dëborë

Ah, po të kisha mundë me heshtë,
vala e detit nuk do të vdiste
pak pa e cikë kambën time në flakë
e kjo melodi do të kishte fjalë të tjera
ose kto fjalë, ndoshta, do të kishin melodi tjetër.
Kta gretha t’mëdhej ia thithin langun kockës sime
e ajo mbetet gur i shuem në rrugën drejt allçisë.
Ia thithin langun
e kuptimin e zbulimeve të mëngjesit,
ia hoqën tingullin e shurdhët të jetës,
mendimin,
radhën e sipërme të gurëve,
kushedi,
ndoshta krejt murin.
Kitarra e madhe hesht, e jotja,
si shpellë në kujtesë.
Nata e gërvisht.
Ah, po të kisha ditë me heshtë
deti do t’kishte me mija kitarra si anije
dhe fyti im do të derdhte në te
tanë pigmentet e zemrës.
Tela t’ngërdheshun
pirgje allçie
det i ngurosun.
Gojët do të heshtin,
sepse do të puthen.
Duert u nisën.
Lumejt tashti rrjedhin nën lëkurë.
Ah, sikur të kisha mundë me heshtë !