Prindër, na gënjyet!

Prindër, na gënjyet, Nga Endri Shabani

Kur ishim të vegjël, në fillim të viteve 1990, na thatë “mëso se pa shkollë do mbetesh gjithë jetën pa pune”. Por po shohim Noizin, me 4 klasë shkollë që promovohet nëpër librat e shkollës si artisti me i famshëm në Shqipëri. Pamë edhe ministra me mesatare 5. Dekanë universitetesh me doktoratura të vjedhura.

Na thatë “lexo libra, se pa lexuar nuk do arrish gjëkundi”. Po shohim deputetë që ende nuk njohin të gjithë germat e alfabetit, apo tabelën e shumëzimit. Pamë edhe shtëpitë miliona euroshe të pasanikëve të Tiranës. Në mijra metra katrorë nuk kanë një raft librash.

Kur ishim te vegjël na thatë “puno fort, se po nuk punove do përfundosh i varfër”. Por po shohim politikanë miliarderë që nuk kanë punuar një ditë në jetë. Pamë edhe se si u pasuruan Taçi, Beso, Zamiri, Çeti. Si u pasuruan gjithë “klientët” e privatizimeve, të cilët ranë në gjumë si përkthyes, kambist apo shoferë dhe u gdhinë si pronarë fabrikash e minierash të ndërtuara me punën e miliona shqiptarëve.

Na thatë “thuaj gjithmonë të vërtetën, se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra”. Por po shohim se si për 19 vjet ne krye te bashkisë janë zgjedhur, dhe rizgjedhur, tre genjeshtarë patologjikë, nga më të mëdhenjtë që ka parë ky vend.

Kur ishim të vegjël na thatë që “për t’u bërë artist duhet shumë talent, dhe shumë punë”. Por po shohim se si arti është marrë peng nga mediokriteti. Ndërkohe licetë dhe akademitë e arteve vazhdojnë të përgatisin kamerierë dhe punonjës për call-center. Pamë edhe se si festivalet e këngës i ngjajnë paradeve në rrugicat me drita të kuqe të Amsterdamit.

Na thatë “bëhu i zoti i vetes, se nuk të ndihmon njeri”. Por po shohim se si shteti i jep “ndihmë ekonomike” (pa bërë asnjë pune) 5 milionë euro ne vit Klodjanit qe djeg plehrat. Ndërsa 3 milionë euro Çetit që ngre traun.

Kur ishim të vegjël na thatë “Bej jetë të ndershme. Mos vrit dhe mos vidh, nëse do të nderohesh dhe respektohesh nga shoqëria”. Por shohim dhjetëra kriminelë qe mbahen me tituj e me nderime, në Parlament. Në krye të ministrive. Bashkive. Bizneseve më të mëdha në vend. Titujt e nderit dhe dekoratat tregetohen si mall në tregun e gjësë së gjallë.

Na thatë “duaje vendin tënd, sepse këtu kane jetuar gjyshërit e tu, dhe këtu do të rrojnë edhe fëmijet e tu”. Por po shohim se si për 29 vjet këta po kontaminojnë ujin, tokën dhe ajrin. I kanë prerë pyjet, kane vjedhur shtratin e lumenjve. Kanë zaptuar bregun e detit. Kanë gërryer malet.

Na thatë shumë gjëra. Deri me sot del se na keni gënjyer…

Në 29 vite pamë se realiteti në Shqipëri ka qenë krejt ndryshe.

Sot shqiptari i zakonshëm jeton një jetë të mundimshme. I lënë ne një ishull varfërie, por i rrethuar nga një det me pasuri natyrore.

Shqiptari i ndershëm jeton pa krenari. Lihet në fund të sallës, në një skenë të dominuar nga gjithëfarësoj horrash pa din e pa iman.

Pra, sot shqiptari i edukuar, që ka sakrifikuar një jetë në shkollë, është vënë përfund nga mediokriteti i shefave te partisë. Nga ata të cilët nuk kanë mend as sa per të lexuar gazetën.

Po pra, sot shqiptari i talentuar është në kerkim të një pune çfarëdo për të mbyllur muajin, dhe i ka harruar ëndrrat me karrierë artistike.

Sot shqiptari punëtor dhe i palodhur është kthyer ne skllav të një kaste të pangopur, që ka marre peng çdo sferë të jetës, në politikë, media, akademi apo biznes.

Shqiptari atdhetar po braktis ëndrrat dhe po shet pronat për të blerë një biletë që do ta çoj edhe në fund të botës, mjafton të gjejë nje vend ku të trajtohet si njeri dhe të ndihet pjesë përbërëse e shoqërisë…

Prandaj, në perfundim të këtyre tre dekadave, ne, brezi i lindur dhe rritur pas 1990, kemi përpara dy zgjedhje: ose të ndryshojmë realitetin ku jetojmë, ose t’u mesojmë të tjera gjëra fëmijeve tanë.

Urimi im është që të bëjme të parën, dhe më 2019 të lëmë pas jo vlerat me të cilat jemi rritur, por këtë realitet të trishtë që na ka shoqëruar për 29 vite.

Le të jetë 2020 jo vetëm fillimi i nje dekade, por fillimi i një epoke të re për të gjithë ne që kemi vendosur të rrojmë e të vdesim me dinjitet në këtë vend!

ObserverKult

Lexo edhe:

PRINDËR, KUR FËMIJA RRËZOHET MOS E NGRITNI!