Spinoza, pavarësisht të qenit një nga filozofët më të shquar, vjen në vepër shumë njerëzor, dhe pikërisht, në përplasjet e përditshmërisë aq njerëzore, del në pah vepra e tij që do të frymëzojë shumë breza që vijnë pas.
Nga Marjana Murja
Irvin Yalom është një nga shkrimtarët modernë që vjen me një stil shumë të veçantë të të shkruarit, stil të cilin, një lexues e vë re që në faqet e para të romaneve të tij. Shkruan thjesht, me një gjuhë të qartë, fjali të strukturuara në mënyrë të tillë që e përçojnë mesazhin pa vështirësi në destinacion. E veçanta e shkrimtarit është që në disa nga veprat më të famshme, ka përzgjedhur filozofët me më shumë ndikim në historinë njerëzore dhe i sjell në një formë si asnjëherë më parë.
Lexuesi mund të njohë biografinë e filozofit në mënyrë letrare, herë duke e vënë pëballë një psikologu, herë tjetër duke përfshirë filozofinë e tij në një terapi grupi, ndërsa Spinozën e përball me një personazh politik. Personazhet kanë jetuar në dy segmentë të ndryshëm kohorë, por me një ndikmin shumëdimensional në zhvillimin njerëzor.
Në formë zigzage, shkrimtari kalon në këto periudha kohore, nga njëri kapitull në tjetrin duke na dhënë detaje shumë të rëndësishme mbi jetën e këtyre dy personazheve. Lidhja mes tyre bëhet me një finesë të mrekullueshme që përshkon veprën. Lexuesit i lihet hapësirë mendimi që të analizojë kohët historike dhe ndikimin që mund të ketë një njeri përtej kohës.
Spinoza, pavarësisht të qenit një nga filozofët më të shquar, vjen në vepër shumë njerëzor, dhe pikërisht, në përplasjet e përditshmërisë aq njerëzore, del në pah vepra e tij që do të frymëzojë shumë breza që vijnë pas.
“Përballë” tij qëndron figura e Alfred Rozenberg, ideologu që artikuloi teorinë e superioritetit të racave.
Në Amsterdam, viti 1656, shfaqet imazhi i një të riu hebre që shkon kundër rrymës së komshinjve të tij rrugës për në sinagogë. Edhe pse mësuesit e tij rabinë e konsiderojnë si një nga nxënësit me më shumë potencial, ai ndalon së ndjekuri mësimet, thjesht sepse pyetjet e tij ishin të çuditshme dhe shqetësuese për ta. Ai ishte djali i etur për dije, që dukej arrogant, thjesht sepse ishte njeriu më i zgjuar në planetin e Tokës. Torah, libri i shenjtë i hebrenjve, ngjante për intelektin e tij, kontradiktor, mitologjik – dhe akoma më keq – burgosës. Ai kishte vendosur që të vërtetat e mëdha, që nuk ishin të njollosura nga frikërat politike, paragjykimet sociale dhe konvencionet fetare, t’i zbulonte vetë nëpërmjet logjikës. Pa e kuptuar, ky fëmijë, në të vërtetë hapi portat e kriticizmit fetar dhe biblik, që më pas do të ishte dhe themel i civilizimit perëndimor.
Nga ana tjetër, kapitulli pasardhës na kalon në jetën e personazhit Alfred Rozenberg, nxënësi pothuaj gjithmonë i vetmuar, por që del në pah pas një fjalimi që mban ku ofendon drejtorin e tij hebre, i cili më pas e thërret në zyrë dhe bëjnë një debat të ashpër mbi mendimet e tij të papjekura, jo të mirëmenduara dhe pa dobi. Në fakt, kjo ishte shfaqja e parë e asaj që do të pasojë vite më vonë dhe që do të ketë një impakt me një magnitudë akoma më të gjerë për njerëzimin.
Drejtori, për të ndryshuar këtë trajektore “ligësie” që nuhati te nxënësi Rozenberg, i jep si detyrë të mësojë përmendësh një pasazh nga autobiografia e Gëtes ku mjeshtri gjerman flet për rëndësinë e veprës “Etika” të Spinozës, në jetën e tij, dhe se si ajo mundi ta nxjerrë nga dëshpërimi.
Kjo detyrë nuk e ndryshoi rrjedhën e asaj që do të ndodhte më vonë, por Yalom në mënyrë letrare, ngre idenë që kjo mbolli në vetëdijen e djaloshit një mendim të pashmangshëm irritues: “Si është e mundur që një gjeni si Gëte, nga racë e pastër gjermane, të adhurojë në këtë masë punën e një filozofi hebre?”
Jeta e Spinozës, në pamje të parë ngjan dramatike. Nga qëndrimet e tij, ai përjashtohet nga komuniteti hebre, nga sinagoga dhe internohet duke iu ndaluar çdo formë kontakti me të afërmit apo të dashurit e tij. Gjithsesi, Yalom, me shumë mjeshtëri sjell shumë nga idetë esenciale të Spinozës në formë dialogu, ide që shkëputen nga veprat e tij të vërteta. Ai tregon se si Spinoza ekzaminonte në mënyrë logjike emocionet, ankthin dhe dëshirat, që përcakton dhe teknikat që filluan të përdoren për terapi në fund të shekullit XIX e fillim shekulli XX.
Bisedat që shkrimtari krijon japin një sens të gjallë me një karakter filozofik dhe mbi të gjitha, përçojnë shumë gjallërisht shpjegimet mbi idetë më madhore të qenies njerëzore rreth natyrës, vullnetit të lirë dhe arsyes.
Nga ana tjetër, personazhi që ideoi një luftë, pasojat e së cilës njerëzimi i vuan edhe sot, paraqitet me psikozat e tij, pasiguritë, frikën, nevojën për një pushtet të mohuar, pseudo-intelektualizmin dhe që vazhdimisht do të bëjë diçka që duhet aprovuar nga udhëheqësit e tij. Vetëm një psikanalist si Yalom mund të vërë përballë dy figura të tilla, një kontrast i fortë qeniesh, por që kanë një ndikim po aq të fortë në ndryshimin e fateve njerëzore.
“Problemi Spinoza” është nga ato libra, pas leximit të së cilit nuk je më njësoj. Ndryshon mënyrën e të perceptuarit të vetes, krijon një sens më të gjerë të të hetuarit të konteksteve historike, zhvillon një perceptim të ri mbi filozofët dhe filozofinë dhe zgjon dëshirën për të eksploruar më tej personazhet e veprës.
Me pak fjalë, është një libër që të sjell më pranë vetes, të tjerëve dhe të fton të reflektosh./
ObserverKult
Kliko edhe:
“KUPTIMI I JETËS”, SIPAS PSIKOLOGUT CARL JUNG
Lexo edhe:
ARDITA JATRU: NËNA IME KISHTE VETËM NJË FUSTAN
Nëna ime kishte vetëm një fustan
e lante natën dhe e thante pranë furnelës.
Ditën e vishte me aromë të re
Nuk e pyeta asnjëherë pse nuk blinte një të dytë
Nuk desha të kishte një të dytë
Unë ashtu e njoha
me fustanin me lule rozë,
deri te gjunjët.
Kur bleu një këmishë mëndafshi të verdhë
e preva copash natën me gërshërë
dhe mbusha xhepat.
Nëna heshti dy ditë
e unë gëzohesha nga brenda
që ajo vishte prapë të njëjtin fustan
dhe i përsërisja vetes,
sa dua t’i ngjaj.
Tani kam filluar të kuptoj nënën.
Pikëpyetjet e atëhershme i zgjidha,
nga dalin ofshamat
kam filluar të kuptoj
dhe vetëm pse copëtohej,
pse luftonte vetëm.
Fundja pse duhej të kishte një fustan.
Për të gjitha këto, kuptoj një gjë,
rritem dhe i ngjaj asaj
por me fustane të ndryshme
luftoj vetë i dytë
dhe stinët e mia thinjen para pasqyrës.
ObserverKult
ALDA MERINI: E DASHUR, FLUTURO TEK UNË
E dashur,
fluturo tek unë
me aeroplanin prej letre
të fantazisë sime,
me mprehtësinë e ndjenjave të tua.
Do të shohësh si lulëzojnë toka dhe magjia
e unë do të jem kurora e pemës më të lartë
për të të dhënë fresk dhe mbrojtje.
Bëj me krahët e tu
dy krahë engjëlli
e sillmë edhe mua ngapak qetësi
dhe lodrën e grumi.
Por para se të thuash diçka
shihe orën në lulëzim
të shpirtit tim.
Përkëdhelmë, e dashur
por si dielli
që prek ballin e ëmbël të hënës.
Përktheu: Aqif Hysa
ALDA MERINI: FALMË, I DASHUR, JAM E SERTË…
Falmë, i dashur;
jam e sertë e do të doja të isha vaj,
të përndjek e do të doja
përpara teje të isha një tapet i butë,
të dua dhe mbyllem në heshtjen time,
por kam frikë, frikë nga vetvetja,
nga këta zambakë të pisët urie e balte
që rriten në mendjen time.
Përktheu: Aqif Hysa
ObserverKult