Proza ku gjuha e ka lirinë të jetë në përputhje me të vërtetën

Recension për romanin ,,Nëpunësi i Kuvendit”, autor Fehmi Pireva, Lena, Prishtinë 2022, 142 f.

Nga: Dr Sadri Ramabaja

Në një prej ditëve të para të marsit, autori i romanit, e miku im Fehmi Pireva, në vend se të ngjitej në katin e sipërm të Kuvendit, në byfe, më ftoi për kafe në “Union”, ku këmbyem librat e fundit si miq të vjetër.
I vetëdijshëm që romani i tij i fundit, përveç peshën e një vepre arti, ngjashëm si arti klasik grek, ka edhe peshën e një palimsesti politik në kuptimin më pozitiv të mundshëm të fjalës, më dhuroi dy romanet e tij, nëdrkaq duke marrë në konsideratë vokacionin tim krijues, për romanin e fundit, u pajtuam që të jem panelist në këtë ngjarje kulturore të veçantë.
Libri “Nëpunësi i Kuvendit”në rrafshin teorik cilësohet si roman, por praktikisht ai mund të lexohet si një “skenar” filmi për periudhën që e jetojmë. Lbri është ndarë në 14 kapituj, të cilëve u prinë prologu dhe mbyllet me epilogun e padëshirueshëm, por krejt të natyrshëm, brenda të cilëve rreket përvoja e hidhur e Elon Krasniqit si zyrtar ligjor, pra si nëpunës shteti, në dy prej institucioneve qendrore të Republikës: në KQZ dhe Kuvend.
*
Romani shquhet për kompozicionin dhe stilin e rrëfimit të jetës së përditshmërisë në Republikën tonë, që t’kujton kompozimin e kryemjeshtrave të letërsisë sonë — Ismail Kadaresë e për shumëçka edhe të Fatos Kongolit. Me këtë të fundit, e bashkon sidomos stili. Për shumëçka më solli në kujtesë romanin “Iluzione në sirtar”, të Kongolit, duke më risjellë ndjesitë që kisha për ato vite, që për shumëçka si shoqëri po rrëshqitshim drejt diktturës, atij tipi të diktaturës që dinë ta ngrenë vetëm olhoratët, ai klan sundimtarësh injorantë e despot të lloit të vetë, që kishin futur nën kthetra Republikën e re.
Titulli i romanit “Nëpunësi I Kuvendit” do të marrë me kalimin e kohës, një vlerë simbolike, sepse do të shihet se identifikon një strukturë kameleonësh të të gjitha pushteteve dhe atë shtresë të hollë nëpunësish, që fillimisht ishin të virgjër e të painstrumentalizuar, por që me kalimin e kohës do të detyrohen t’ju shtrohen mekanizmave monstruozë të ingranazheve të pshtetit të olhokratëve — atribut i despotizmit dhe injorancës njëkohësisht.
Bota e perceptuar nga një këndvështrim për ne të njohur, e me një stil që të kujton kryemjeshtrin e letrave shqipe, Ismail Kadarenë dhe romanin e tij “Pallati i ëndrrave”, i realizuar në mënyrë mjeshtërore, arrin t’i ofrojë lexuesit një realitet të shprishur të jetës sonë institucionale.
*
Në javën e parë të marsit të këtij viti, ZDF gjerman kishte përzgjedhur në programin e tij, si film të javës “Der Feind meines Feindes” (Armiku i armikut tim). Vetë titulli ishte provokativ dhe derisa po shikoja fillimin e tij, vura re pse ishte kaq sinjifikativ. Objekt i filmit është lufta mes dy klaneve mafioze italiane: “La Carta” vs ‘Ndrangheta’s.
Klaus Burg, peronazhi kryesor, zyrtar i lartë i Policisë antikrim të Bavarisë dhe vajza e tij Alina, për gadi një vit kishin jetuar në një program për mbrojtjen e dëshmitarëve në Islandën jugore. Por njohuritë shpërthyese të Burgut vazhdojnë ta bëjnë atë një objektiv për ‘Ndrangheta’. Mjafton një pubikim i vajzës së tij në një prej rrjeteve sociale, që “Ndrangheta” ta shenjëzonte dhe ta kidnaponte tok me vajzën. Që të dytë shndërrohen në target goditjeje nga Ndrangheta.
Por atentati ndaj Burgut dhe Alinës pengohet në sekondën e fundit: nga ndërhyrja befasuese e një ekipi mercenarësh. Ky ekip ishte në shërbim të milionerit karizmatik Gabriel Morales. Oferta e tij e tundon atë duke vënë njohuritë e tij në shërbim të Morales, t’i japë vajzës së tij Alina-s një jetë të sigurt në liri. Por ai ende nuk e di se Morales ka kohë që lufton për sigurinë e familjes së tij në një lojë pushteti kërcënuese për jetën. Burg kërkon nën ethe një skenar rrugëdaljeje. Por suksesi i dyanshëm i tyre është i ndërvarur dhe kishte të bënte me krijimin e besushmërisë ndaj njri-tjetrit, edhe pse janë në anët e ndryshme dhe kanë gjithçka për të humbur.
Përmbajtja e këtij filmi triller mu rikthye në kujtesë tek po lexoja fjalin e fundit të epilogut të romanit të Fehmi Pirevës me titullin “Nëpunësi i Kuvendit”. Fjalia e fundit me të cilën mbyllet kjo prozë e gjatë e autorit tonë shenjon defakto kapitullimin e brezit të Republikës! Elon Krasniqi, personazhi kryesor, pjesë e brezit të Republikës, ishte dorëzuar përballë monstrumit Sekretarit Met, që ka krijuar mafia politike jona e instaluar në institucionin më të lartë të Shtetit — në Kuvendin e Republikës.
*
Te romani i Pirevës narratori-personazh është nëpunës shteti dhe quhet Elon Krasniqi, qytetar i formuar në rrafshin kombëtar e profesional, me një vullnet të pathyeshëm që gjakonte jetën e tij dhe të familjes ta ndërtojë në Republikën për të cilën kishte sakrifikuar si i ri.
Ja letërnjoftimi i tij që autori sjell vetëm brenda një fjalie:
“Elona Krasniqi ishte një djalë që i kishte kaluar të tridhjetat, veprimtar në shërbim të vendit, duke filluar nga Lëvizja për Liri dhe Paqe (një organizat atdhetare klandestine — shnim imi SR), anëtar i një organizate rinore dhe ushtar në luftë për çlirimin e vendit.”
Pireva romanin e hap me prolugun që fillon me dashurinë për vendin dhe lirinë. Narratori aty, që në paragrafin e dytë, dëshmon se, me kohë, e kishte kuptuar se “ çelësi i zhvillimit të shoqërisë është liria, e cila vendit të tij i kishte munguar me shekuj”.
Eloni kishte jetuar sistemin totalitar serb, që kishte ndrydhur individin shqiptar dhe ia kishte dalë madje t’i shndërrojë jo pak personalitete edhe të letrave, në marioneta të pushtetit. Ai lirinë e kishte shestuar ndryshe, krejt ndryshe. Që nga dita e parë kur ai, pas shumë vjetë pritjesh, ia kishte dalë të hynte në institucionet e shtetit dhe të fillonte një jetë të re si nëpunës, nuk kishte mund ta mirrte me mend se në krye të tyre janë po ato marioneta të atij sistemi, që ndërkohë “si nuse për shtatë dhëndurë”, t’ia dalin ta rikthejë po atë frymë pushtetare, ku ngulfatet liria dhe institucionet e shtetit shnëdrrohen në mekanizma ku ushtrohet censurë e plotë e brendshme, ku siç thotë autori “mendimi dhe gjuha ishin në shpërputhje midis tyre, sa nuk ishte e qartë se cila e fliste të vërtetën apo të dyja bashkoheshin rreth të pavërtetës.”
Elon Krasniqi nuk kishte denjuar asesi të shnëdrrohej në marionetë, prandaj ai e humb betejën në përballje me mafian politike, respektivisht me të përzgjedhurin e saj — Sekretarin e përjetshëm të Kuvendit të Republikës së tij, të cilin, aty e kishin sjellë “disa njerëz që flasin për veten në emër të popullit se e sollën lirinë”.
*
Si një shkrimtar progresist e me bindje demokratike, Pireva, përmes një stili të veçantë, tejet të hollë e me nota sarkazmi, ka skalitur personazhe herë-herë tragjikomike të lloit të vet, si atë të drejtoreshës së KQZ-së, e me theks atë të kryenëpunësit, pra Sekretarit permanent të Kuvendit, një person që i përshtatet të gjitha pushteteve, sistemeve e mikrosistemeve të mafias politike, që ndërkohë Republikën e kishin shndërruar në peng të lloit të vet! Ndërkaq gjithë dashurinë dhe përkushtimin për portretizimin e plotë, autori ia ka kushtuar kryepersonazhit — Elon Krasniqit. Ai bën punën e tij në një zyrë të vogël, në një prej shumë zyrave të Kuvendit, i vetëm dhe nën presion. Për këtë nuk çanë kokën Sekretari i përjtshëm. Përkundrazi, tok me shefin e personelit, Dilaver Danaj, një personazh tjetër epizodik, por shumë i realizuar, pregadisin gjahun e radhës, respektivisht nëpunësin që duhet nënshtruar ose hedhur në rrugë.
Por, kjo nuk do të thotë se më pak i ka kushtuar rëndësi portretizimit të personazheve e prototipeve të shumtë që i ka gjithandej në labirinthet e administratës.
Fragmente interesante janë ato ku Pireva na rrëfen situata tragjikomike të komunikimit mes Elonit dhe kryekëshilltarit politik të kryetarit të Kuvendit. Dialogu mes nëpunësit ligjor dhe këshilltarit politik, respektivisht “këshilltarit të parë dhe më i larti i kryetarit”, për shumëçka është njëri nga dialogjet më specifike që zhvillojnë dy personazhe të këtij romani.
Kryekëshilltari politik duke e pandehur zyrtarin ligjor si gazetar, i sjell një listë të gjaët prej më se njëzetë pyetjesh të gatshme, dhe i kërkon që të vete e ta intervistojë vetë drejtorin e kompanisë energjetike. Ky kryekëshilltar, sa ishte në pushtet, laurohet si doktor shkencash teknike dhe ndërkohë është ligjërues në njërin nga këto universitetet tona publike të krijuara për qëllime të pastra politike nga “Shefi I madh”, kryeolhokrati I Republikës.
Autori i romanit Fehmi Pireva, alias Elon Krasniqi, i vetëdijshëm se në këtë institucion pothuajse të gjithë kanë ardhur pasi “kanë marrë dritën e gjelbër ose nga kryetari, ose nga përfaqësues të partive të fuqishme politike” dhe se pjesa tjetër “ishte më tepër formale”, shoqëria e tij është tepër e përzgjedhur.
Ai përzgjedhë edhe gjuhën e të folurit edhe me ata që pin kafen e mëngjesit në katin “më të lartë qiellor” në bufen e Kuvendit. Ky fakt, Elonin si qytetar i përgjegjshëm e si jurist, e shqetëso tepër, meqë, siç monologon në çaste të shestimit të së ardhmes, “kjo mënyrë e punësimit në vendin e shtetin e tij të ri do t’ia vinte në sprovë ndërgjegjen, do ta ngjizte pa dashje një monolog rreth një pyetjeje, që nuk kishte përgjigje. Si të punësohen ata të rinjë që nuk kanë kurrfarë lidhje me ata që janë në pushtet, e që, sipas Elonit, me siguri që janë të shumtë…”
Epilogu i romanit është një testament rrënçethës, e na vije si një këmbanë alarmi, që mëton ta shkund ndërgjegjen e fjetur të një pjese të shoqërisë sonë.
“Po largohem prej atdheut. Pasi më keni sjellë në atë gjendje shëndetësore, e cila nuk më lejon të përballem me presionet dhe intrigat tuaja në të ardhmen …” f.141.
*
Romani “Nëpunësi i Kuvendit” disi ngjashëm me atë të Kongolit (‘’Iluzione në sirtar’’), siç zura në gojë më lartë, është pasqyra më reale e iluzioneve personale të shkrimtarit dhe jo vetëm atij, mbi politikën dhe bartësit e saj, por që këtu na shpërfaqen në formë të zhgënjimit shumë të madh me vet Lirinë dhe Republikën. Prandaj drama e qytetarëve shqiptarë edhe në ditët tona, duhet shikuar si vazhdimësi e një procesi të dhimbshëm shoqëror nëpër të cilin kanë kaluar disa breza.
Me këtë roman, më ngjanë se po fillon evidentimi i akteve të fundit të dramës sonë kolektive; po bëhen përpjekje serioze që edhe përmes artit, si në zanafillën e tij, në Greqinë antike, duke i dhënë peshën e palimpsestit politik, t’i evidentojë e zbuloj rrënjët ekzistenciale të së keqes.

——————-

Lexo edhe:

KUJTIMET E SË NESËRMES

ObserverKult