Pse humori është art serioz dhe jo shaka për turma?

Labinot Kunushevci

Nga: Labinot Kunushevci

Vendet që s’arrijnë ta kalojnë tranzicionin kulturor, dhunën e manifestojnë si art, duke ofruar një komedi atipike, që synon të argëtojë publikun përmes bullizmit, gjë që tregon dehumanizimin e vetë artit, me snobizmin si gjenom i tij.

Vërtet njerëzit që më së miri do të duhej ta interpretonin dhe ta goditnin realitetin e zymtë të shoqërisë janë humoristët.

Me humor mund të thuhen dhe të kuptohen shumë gjëra, që s’mund të thuhen e as të kuptohen ndryshe. Por jo me atë lloj humori të zi histerik, ku humoristët mundohen t’i bëjnë njerëzit vetëm të qeshin, të argëtohen pa kuptim, të piskasin e të ekzaltohen në mënyrë irracionale.

Kështu bëjnë vetëm analfabetët populistë, që me boshllëkun kulturor humorin e kanë komercializuar dhe shndërruar në burim financiar mbijetese. Ka një humor edhe më bizar nga humoristët burra që luajnë rolet e grave dhe humoristet gra që luajnë rolet e burrave, për t’i nënçmuar, përqeshur e përulur. Edhe më e tmerrshme është audienca në rritje që adhuron dhe përkrah këta pseudo-artistë.

Humoristët e hollë, të mprehtë, provokues, satirikë, me humorin e tyre inteligjent, janë njerëzit më seriozë të shoqërisë. Sepse humori është arti më serioz elitar dhe intelektual, nuk është thjesht një shaka për turma.

Humoristët nuk qeshin me humorin e vet, por janë artistë që qajnë shpirtërisht së brendshmi e reflektojnë artistikisht së jashtmi. Janë artikuluesit më të mirë të dhimbjes, të vuajtjes, të sakrificës, të qëndresës, të idealizmit, të forcave që e ngufatin fatin e shoqërisë. Dhe fakti pse dikush e bën dikë të qeshë, nuk do të thotë se është humorist i talentuar.

Njerëzit qeshin edhe me marrëzira, me budallallëqe, me anomali, me fatkeqësi e me aksidente, që i shohin në përditshmërinë e tyre dhe nuk kanë një filtër psikik apo kulturor për t’i vendosur kufijtë e së qeshurës. Të prirë që mirëqenien e vet ta ndërtojnë mbi themelet e fatkeqësive të të tjerëve.

Ne njohim humoristë që kanë një përvojë të gjatë humori, por që janë konsumuar mjaftueshëm nga një shoqëri e etur për humor dhe sot mundohen të mbijetojnë në skenë përmes riciklimit të humorit të tyre, sepse ata nuk kanë aftësi të krijojnë modele dhe shije të reja humori kritik.

Pse ai është shndërruar në figurë imituese nga adoleshentët, nuk do të thotë se është artist i një kalibri.

Çfarë shohim: një humor tallava, të brumosur dhe çimentuar në kiçin oriental e provincial.

Imitimi nuk është vlerë artistike, por është një karakteristikë e adoleshentëve të papjekur, që janë në kërkim të një identiteti të ri dhe këtë e gjejnë tek personazhet mediale, që media i ka shndërruar në sensacion, duke ua dhënë hapësirën e pamerituar.

Artisti i vërtetë edukon një gjeneratë, ndryshon mënyrën e të menduarit dhe të të gjykuarit, i jep një këndvështrim tjetër prej nga ajo mund t’i njohë fenomenet e veta.

Një komedian, që e njeh mentalitetin dhe traditën e shoqërisë, arrin ta artikulojë kompleksitetin e tij në mënyrë artistike dhe satirike, me humorin e tij me gjemba, duke sulmuar fenomenet dhe dukuritë publike, si: dhuna, diskriminimi, trafikimi, injoranca, keqinformimi, primitivizmi, provincializmi, dembelia, korrupsioni, mashtrimi, snobizmi, perversiteti, fobitë, politikat, zakonet, traditat, autoritetet, zhvillimet etj.

Për një komedian të rangut të lartë nuk ka kategori imune që nuk preket nga dora e artit. Humori i tij është humor elitar, provokues, interesant, kureshtar, rebel, përmbysës dhe revolucionar, që krijon shije të re emancipuese si reaksion ndaj shijes vulgare dominuese.

Humori nuk është vetëm mekanizëm mbrojtjeje. Ai është një edukim artistik përmes çlirimit psikologjik dhe shpirtëror. Ai më shumë edukon sesa argëton. Sepse argëtimi është vetëm një vlerë e shtuar e tij, por jo thelbi.

Shumica e komedianëve sarkastikë seriozë kanë ndërruar jetë, kanë mbyllur perdet, por kanë lënë rreze të pambuluara, të pashlyeshme e të paperënduara.

Aktorë, regjisorë e skenaristë, që mendojnë se kureshtja dhe komentet e publikut i bëjnë të dalluar, gjenialë, të talentuar e të mëdhenj, se klikimet, ndjekësit, pëlqimet, shpërndarjet, komplimentet i bëjnë të pakonkurrencë – çfarë kaste aktorësh është kjo?!

Ky është vetëm një iluzion i atyre që kënaqen me psikologjinë histerike të turmave mediale.

Për idiotët, arti dhe njerëzorja nuk shkojnë bashkë.

Idiotët kanë një pasion të luajnë një lloj arti cinik dhe bullizues në “emisione show” dhe në seri humori, duke portretizuar apo imituar njerëzit me nevoja të veçanta, njerëzit që shprehin një ndjenjë besimi ndaj Zotit, njerëzit që vijnë nga rajone të ndryshme gjeografike urbane e rurale, njerëzit që kanë identitete të ndryshme etnike dhe profesionale, njerëzit që kanë orientime të ndryshme kulturore, për zgjedhjet apo dëshirat e tyre, për pamjet dhe karakteristikat fizike të tyre – jo përmes artit emancipues serioz, por përmes talljes dhe përqeshjes, bullizmit dhe cinizmit, satirës dhe fyerjes, stigmës dhe përjashtimit, mohimit dhe inferioritetit, me banalitetin në thelb të skenarit dhe me dhunën në thelb të regjisë.

Kjo tregon racizmin kulturor të disa aktorëve të rinj, të topitur dhe të etabluar në mentalitetin barbar, primitiv, mizogjen dhe provincial, përmes të cilit kanë krijuar identitete sensacionale.

 Këta mund të jenë aktorë tallavaxhinjsh dhe shakaxhinjsh të turmave, por jo humoristë e artistë elitarë të vlerave intelektuale.

ObserverKult


Lexo edhe:

LABINOT KUNUSHEVCI: PSE ËSHTË KAQ I RREZIKSHËM “BIG BROTHER”?