Pse i ka veshë çika tirqit?!

Çun Lajçi bubulina

Nga Çun Lajçi

Na nxuni terri tue i mjelë delet. Ishin tri tufa të mëdhaja; – bardhokat e mia e t’Rabës e kablushat e Ujkës! Unë i mbaja e Raba i mjelte.

Fytyra s’i shihej, vetëm shalli e kapuçi që përpiqeshin me bishtat e deleve. Edhe njeni edhe tjetri ishin me balusha baglash! E kishin humbë bardhësinë që n’pranverë! Vera po sosej pa u la shalli e pa u la shtati! E kishin marrë ngjyrën e erën e ajkës njeni e tjetri!

Këtu s’laheshim katër muej! S’kishim se si, pos të shkonim te ai liqeni i borës; – ku lahej ajo Zana e Lumbardhit! Të cullakoheshim edhe ne si ajo e ta heqnim zdralin!

Ta heqnim edhe frikën si ajo, nga ujqtë e nga njerëzit. Edhe njeni edhe tjetri kafshojnë, thashë e qesha me za. Mu kujtua kjo çobanesha me dy emna që i mjelte delet; – edhe Ramë edhe Rabë! Edhe mashkull edhe femën! M’shkoi mendja ku s’duhet; – çka dreqin del prej saj, kur ta heq shallin e plisin e ti zhveshë tirqit e t’futet n’ujin akull! A do t’jetë femën a do t’jetë mashkull? A do t’i ketë flokët e gjata apo do t’jetë e rrueme, – thashë dhe u shkreha n’gaz!

Ajo e ngriti kryet me rreptim! E lëshoi delën pa e mjelë mirë e tha; – çka po t’shtihohet o delidreq!? Mos ke pa edhe sot diçka nëpër kërrsha? Mos ke pi ujë n’liqe? Mos ke hangër tharpça?

Dhe prap e mbështeti shallin n’bishtin e delës. S’mërzitej pse bishti ishte me bagla e shalli bahej me njolla.

Murku ishte shtri të dera e konakut. Priste me i dhanë qull! Unë u nguta me ndezë zjarrin e me vu kusinë me ujë për qullin e tij. Postaqia ime ishte përballë derës kurse e Rabës përballë Ujkës. Ajo e merrte sopatën dhe e vente të koka kur shtrihej me fjetë. E veshun shtrihej, kuptohet! Madje as shallin as plisin s’i heqte!

Mua, s’me merrte gjumi pa u fikë zjarri. Votra ishte mes tri shtratieve e kisha frikë mos zhishkat po bien mbi neve e digjëmi n’gjum!

Kur ajo gërrhiste mua m’shkonte mendja ku s’duhej – nga kush ka frikë kjo burrneshë që e mban sopatën të kryet kur flenë?

– Nga unë? – Nga Ujka? – kujt s’ia ka besën kjo?

Nga ujku nuk tutët çobanesha, thojsha, se asht Murku e ia nxjerrë gjumin tue leh! Ujku futët n’vathë të delet, jo të njerëzit! Nesër do ta pyes, – thashë, edhe për sopatën edhe për tirqit. Dua ta di pse asht ba burr? Pse i ka veshë çika tirqit?! Pse i ka mbulua flokët me shall?! Diçka do t’ketë pasë kjo që e ka ndrydhë femninë e vet.

Na ruej Mirko nga ujqët se s’ban punë sopata e Rabës, thashë dhe i mbylla sytë!

16.05.2023

ObserverKult


Lexo edhe:

POEZI PREKËSE NGA ÇUN LAJÇI PËR VAJZËN E NDJERË: S’KAM HARRUA ME SHKRUA, POR MUJTË S’KAM…

Poezi nga Çun Lajçi

(02.05.1983)

S’kam harrua me t’shkrua, vonua po, por harrua s’kam,
shumë muej janë ba pa vu shkronja n’letër,
pesë vite s’rreshta tue ardhë me puthë,
gurin tand n’Drelaj!

S’kam harrua me shkrua, por mujtë s’kam,
se gërrye m’ka vetmia,
tue kërkua hijën tande, rrugëve tua,
rrugëve t’mia!

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult