Pse në universitet ka profesorë perversë, sharlatanë, idiotë?

labinot kunushevci

Idiotësia e profesorëve

Nga: Labinot Kunushevci

Të shkruash për idiotët është si të hysh në një fushë të minuar, më thoshte një mik nga mërgata. Po sepse ata sot na paraqiten në formën e panairit të idiotëve, ku ekspozojnë dhe reklamojnë idiotësitë e tyre suficitare.

Kriza e shoqërisë tonë është krizë e inteligjencës. Sot vlerat qytetëruese kanë pësuar rënie meteorike dhe përmbysje morale. Mbi këtë perspektivë, studimet universitare nuk përjetohen si një mundësi e zhvillimit të personalitetit dhe pavarësimit profesional.

A janë sot profesorët universitarë elitë intelektuale? Çfarë tregon personaliteti dhe paraqitja e tyre publike? Pse ata nuk arrijnë të dalin nga lëvozhga e demagogjisë me leksionet e tyre ciceruese monotone me përplot klishe?

Ata janë vrasësit e mendimit dhe lirisë intelektuale. Janë fare pak në numër që bëjnë përjashtim.

Që nga libri im i dytë SHOQËRI PA KULTURË (2021) dhe esetë në vazhdim që i paraprijnë librit të ardhshëm, në argumentimin tim sociologjik për demaskimin e idiotëve, nuk kam mundur t’u shmangem ”pishtarëve ndriçues” pa i qendisur disa fjalë rreth çrregullimeve të errëta në personalitetin e tyre.

Studentët inteligjentë sot janë auto-didaktë, nuk janë produkt i universitetit i cili tenton ta përvetësojë meritën e tyre auto-didakte. Sepse në universitet nuk ka elitë inteligjente për të shndërruar potencialin e talentëve dhe studentëve në krijues.

Aty gjejmë të pakurrizorë, maniakë seksualë, perversë, abuzues, mediokëra dhe sharlatanë, të gërditshëm kur flasin, të çoroditur në stil, artificial në qëndrim, që mendojnë se krevata u jep autoritet para studentëve, të cilët në vend se të ishin një ishull i izoluar, si idiotë ata sot kanë shtrirë mbretërinë e tyre, duke thurur rrjetën e merimangës, në të cilën e mbështetin rezultatin e tyre të dobët.

A thua çfarë studentë mund të nxjerrin këta profesorë? Të cilët, në vend se të denoncohen për maskarallëqe, ata mbulohen, amnistohen, përvidhen, arsyetohen dhe ngriten në pozita. S’di ku e gjejnë atë kredibilitet moral të mbajnë leksione morale në televizione publike? Të pafytyrë me shumë fytyra!

Pse nuk denoncohen nga vetë departamenti, njësia akademike apo rektorati? Sepse të gjithë janë të ndytë, të shantazhuar, të korruptuar dhe të kërcënuar. Kjo është një mizori e familjes akademike.

Nëse kërkon zbatimin e ligjit ndaj tyre, ata do të pësojnë traumë. Maskarenjtë përballë ligjit gjithmonë përjetojnë traumë. Ndërsa kur gjejnë apo shkaktojnë anarki dhe kaos, ndjehen të çliruar dhe të përmbushur.

Të obsesionuar me grada shkencore, me një biografi oportuniste, moralisht, estetikisht dhe epistemologjikisht të varfër, kanë fituar tituj plagjiati dhe kanë depërtuar nëpër fakultete dhe programe universitare, nëpër pozita të ndryshme, duke luftuar si gladiatorë dhe jo si intelektualë. E disa janë bërë shefa të departamenteve e dekanë fakultetesh. Jo me konkurrencën e vlerave, por me konkurrencën e oportunizmit, duke rrënuar çdo standard të etikës morale.

Nuk mund të shkëputen nga mallëngjimi dhe nostalgjia që u jep sistemi i kaluar në të cilin ishin mirë të integruar, ndërsa sot sillen si nacionalistë të kamuflluar, gënjeshtra duke promovuar, se gjoja ish sistemin e kanë rrënuar.

Ndërsa ata pak profesorë të dinjitetshëm dhe me integritet moral e akademik që janë, nuk kanë arritur as të avansohen në thirrje se lëre më të drejtojnë institucione. Janë injoruar nga mirënjohjet dhe çmimet e merituara për kontributet e dhëna.

I magjepsur nga komunikimi i shkëlqyeshëm dhe fleksibil që kam pasur me studiuesit dhe teoricienët më të njohur të sociologjisë botërore, që kanë peshë globale dhe krijojnë opinion, në periudhën 2015-2017, kur zhvilloja intervista shkencore online me ta, në një frymë shumë të hapur bashkëpunimi, pa asnjë kompleks, të cilat u botuan në dy gjuhë në librin tim të parë KUVENDIME SOCIOLOGJIKE BASHKËKOHORE (2018).

Në krahasim me profesorët tanë universitarë, çfarë gjejmë?

Gjejmë që shumica e profesorëve sillen si kapadai dhe vagabondë, vuajnë nga kompleksi i superioritetit që manifestohet me arrogancë dhe arbitraritet, me injorim dhe cinizëm absurd ndaj studentëve. Absurditetin e kanë shndërruar në vlerë, ndërsa injorimin në rregull të pashkruar. Dhe kjo bën që koeficienti i tyre i idiotësisë të jetë më i larti dhe kjo i bën ata të panevojshëm që të hyjnë në grevë për ngritjen e këtij koeficienti.

Ata jo vetëm që nuk kanë peshë në mendimin bashkëkohor shkencor, por as për problemet më specifike të vendit të tyre nuk kanë përgjigje. Nuk kanë përgjigje shkencore sepse nuk kanë hulumtime shkencore. Janë të vetë-margjinalizuar. Kanë vetëm retorikë, leksione, lojë të fjalëve, citomani, fantazi.

Ndërsa kur rrinë në tubime me njerëz të profesioneve të ndryshme tregojnë inkompetencë në diskutimet e tyre sepse përzihen në kompetenca të profesionistëve tjerë duke u ”shitur mend”.

Dhe kanë dëshirë vetëm ata të flasin, të tjerët të dëgjojnë, që diskursi i tyre të jetë dominues. Dëshira e tyre e brendshme është që ta lartësojnë vetveten dhe të shkëlqejnë mbi të tjerët.

Sa e tmerrshme ishte kur në një darkë pune me plot profesionistë, personi më i vjetër në moshë që ishte aty prezent, profesor universitar në pension, si kryeprotagonist fliste me shumë vetëbesim për tema që nuk ishin kompetencë e tij dhe këmbëngulte në disa teza e qëndrime. Bënte monolog në përpjekje për dialog. Në fund, ai arriti vetëkënaqësinë e tij si ”i gjithëdituri enciklopedist”, por nuk e bindi askënd nga të pranishmit.

Heshtja e shumicës së të pranishmëve ishte mençuri ndaj një marrëzie që po shuante komplekset e profesorit, i cili përveç tjerash, gjuhën që përdorte e kishte banale, paralelizmat që tërhiqte i kishte ekstreme, argumentet që i paraqiste i kishte fragmentare, shembujt që merrte i kishte bizare, ndërsa atij i dukej vetja se kishte edhe aftësi telepatike dhe të gjitha këto i krijonin komoditet ”lartëmadhërisë së tij”.

Tregonte si i ka ”sfiduar” ekspertët në qëndrimet e tyre. Ai nuk po e vërente që po rrëshqiste shumë. Ai nuk ishte i vetëdijshëm se peshkut nuk i mësohet noti. Ai nuk po e dinte se kishte krijuar një kakofoni.

Botojnë punime të ashtuquajtura shkencore në revista kuturu të botës së largët, për tema shumë jorelevante, ndërsa nuk kanë asnjë studim nacional apo kulturor për problemet reale dhe trendet aktuale të shoqërisë ku jetojnë.

Madje, në njërën anë, janë mosmirënjohës kur studentët e tyre arrijnë suksese të veçanta që ata as s’e kanë imagjinuar dhe, në anën tjetër, tentojnë të vjedhin merita nga puna auto-didakte e studentëve.

Kur asnjërën s’e arrijnë, mundohen ta zhvlerësojnë dhe shlyejnë punën e studentit përmes intrigave. Në disa raste, janë munduar t’i përdorin gazetarët për t’i aplikuar këto intriga që burimin e kanë në xhelozi patologjike, por pa sukses. Puna origjinale e një studiuesi auto-didakt nuk mund të shlyhet.

Deri këtu shkon dehumanizimi në thelb i karakterit të tyre që meriton ekzaminim psikopatologjik, sociopatologjik dhe skizofrenik, me diagnostikim të sigurt.

Sa qesharakë janë kur mundohen t’i përdorin disa fjalë dhe terma të huaja latine, kur përdorin fraza popullore, kur përdorin definicione abstrakte dhe teori të thata klasike, kur përmendin gjëra të pakuptimta, vetëm për t’u dukur si më superiorë, që të tjerët ta kenë më të vështirë që t’i kuptojnë.

Në fakt, gjuha e tyre tregon sa të çekuilibruar që janë, pa shmangur edhe pasaktësinë shkencore dhe logjikën atipike. Tekstet e tyre janë përplot fryerje, pa strukturë, pa logjikë, pa ide, pa koherencë. Janë një masturbim fjalësh që s’fekondohen me asnjë argument. Kështu duke e paraqitur një nivel tjetër, jo të inteligjencës, por të idiotësisë. Dhe të krekosen se ata kanë arritur një standard të lartë që shoqëria nuk po mundet ta zbërthejë, prandaj duhet t’i pranojnë si autoritet të pashmangshëm dhe të pazëvendësueshëm.

Është e dhimbshme se si profesorët pensionistë kanë një nostalgji për të kaluarën, që kalon deri në kërkesa irracionale, që në fakt shfaqin ego-centrizmin e tyre dhe paaftësinë e përshtatjes me rrethanat e reja.

Ata gjithmonë vuajnë për pranueshmëri sa më të madhe publike. Duan me çdo kusht të jenë referencë për çdo problem. Harrojnë se janë të konsumuar dhe se problemet e reja kërkojnë studime dhe studiues të rinj.

Kur përpiqen të ndërtojnë një paradigmë të re për problemet e reja, tërheqin paralele me kohët e vjetra dhe mundohen të shpjegojnë realitetin modern me kategori dhe argumente të vjetra.

E dhimbshme se si vuajnë për vëmendje dhe jehonë publike, për pëlqime dhe komente, derisa naivitetin e tyre të sëmurë e shprehin ndaj shoqërisë me reagime morbide sepse u duket se ajo nuk po i vlerëson aq sa e meritojnë. Preferojnë të jenë të pëlqyer, jo të vlefshëm. Kur shkrimet e tyre nuk gjejnë lexues sa ata synojnë, shpërthejnë me frustrim si egërsira të tërbuara dhe të uritura, fillojnë të largojnë njerëz ”jomirënjohës” nga shoqëria.

Dëshirojnë me çdo kusht të imponohen në debate, intervista, konferenca dhe emisione televizive, jo për të dhënë kontribute humane, por që të çirren me stilin e tyre protagonist.

Dëshirojnë të jenë të idealizuar, të afirmuar, të admiruar, deri në ekstremin e fetishizimit. Dëshirojnë të trajtohen si autoritete të pakontestueshme, ndërsa në thelb nuk është se kanë ndonjë vizion profesional human, përveç qëllimeve karrieriste, shpeshherë me ambicie dhe kalkulime politike, derisa përfundojnë si deputetë, kryetarë komisionesh e zyrtarë të lartë publik, që befasisht na shfaqen si fantazma në televizion, bëhen pjesë e partive politike me servilizëm dhe prostitucion politik, bëhen pjesë e imazheve elektorale, në ato terrene ku aftësitë e tyre manipuluese dhe zhvatëse gjejnë hapësirë, në pozicionet e kolltuqeve politike, duke e sinkronizuar gjuhën e tyre me pushtetin.

Kanë një prirje gjithmonë që t’i referohen ngjarjeve të kaluara në të cilat pretendojnë se kanë qenë protagonistë, për t’u na paraqitur si heronj të kohës, me fjalimet epike që mbajnë, se ata janë qendra e universit, epiqendra e së vërtetës, eruditë dhe iluministë, gjigantë dhe titanë, kalibra dhe kolosë të patejkalueshëm, se historia fillon me ta, se po mos të ishin ata nuk do të ishim as ne, se dielli lind ekskluzivisht për ta etj.

Ekzaltohen deri në ekstazë, me fantazi të çoroditura prej narcisisti, kur studentët injorantë dhe servilë i lavdërojnë në publik sepse lavdata ua mbushë boshllëkun e thellë moral, shpirtëror dhe psiqik, lavdata ua plotëson vrimat e personalitetit, lavdata ua ”harrnon” karakteret e çkyera.

Ky është episodi kryesor i jetës së tyre, kur fitojnë respekt me autoritet që vjen nga ego dhe jo nga vlerat intelektuale. Kurse studentët e gjorë krijojnë iluzione, mite, tabu dhe detyrohen të shprehin respekt deri në thyerje të dinjitetit apo të aktrojnë se po i respektojnë. Sepse ky është kriteri i vetëm bastard i tyre me të cilin profesorët vlerësojnë.

I detyrojnë studentët që t’i blejnë librat e tyre. Ua mbytin mendimin kritik kur vendosin kriter të vlerësimit memorizimin dhe citimin e ligjëratave – dokrrave të tyre në testet provuese apo referimin e autorëve dhe tezave që ata preferojnë ideologjikisht.

Dhe ç’është më ironikja këtu, fajin për dështimin e tyre dhe të shoqërisë mundohen t’ua atribuojnë arsimtarëve dhe kërkojnë prej tyre sakrifica ideale që ata vetë nuk do të ishin në gjendje kurrë t’i bënin, ndonëse paguhen shumëfish më shumë se arsimtarët.

Por ja që nganjëherë shprehin paranoja kur mundohen të parashikojnë të ardhmen. Dhe narracionet e tyre përfundojnë në utopi. Ndoshta është sindrom post-traumatik. Por ata janë shumë të frikësuar, ata krijojnë panik. Entuziazmi i tyre shpeshherë është emocional, impulsiv, subjektiv dhe euforik.

Stili i tyre i ligjërimit është kokëfortë, arrogant, i automatizuar, mekanik, jo inteligjent. U mungon arti, pedagogjia, empatia, aftësitë kognitive dhe emocionale, sensi i shëndoshë i humorit dhe fleksibiliteti. Sarkazama dhe satira që nganjëherë përdorin janë ofenduese, bullizuese, jo artistike.

Të vetëkënaqur me titujt shkencor që kanë përvetësuar, por të dëshpruar pse shoqëria nuk po i adhuron si kult. Sepse shoqëria po e vëren që ata janë shumë afër komprometimit. Jakat e tyre të bardha nuk e mbulojnë dosjen e tyre të zezë.

Ata kanë arritur një qëllim: të institucionalizojnë idiotësinë dhe ta shumëzojnë si baktere. Por ata urrejnë të sfidohen në publik.

Një idiokraci e rrezikshme në rritje.

Një shoqëri pa idiotë është një shoqëri e lirë, e këndshme, simpatike, refleksive, spontane, e kristalizuar.

Guri i diamantit kur lëvizë krijon përthyerje rrezesh dhe konglomerat ngjyrash dhe kjo është oaza e shkencës, që u mungon atyre.

Ndërsa idiotësia kur lëvizë shkakton një moçal të ndytë në të cilin e detyron shoqërinë të ec.

Paradigma që duhet ta ndërtojmë: të qëndrojmë larg idiotëve dhe mos t’u japim atyre pozicione të rëndësishme në shoqëri. Edhe kur i kontrabandojnë pozicionet, mos t’i bëjmë të ndjehen të rëndësishëm në to.

ObserverKult