
Po ta kthej përgjigjen në emen të kolegëve kosovar
Nga Valmir Aziri
Ben Blushi e nis një shkrim tuj folë për filmin shqiptar dhe e përfundon tuj e gjetë fajtorin, kosovarin.
Dhe pikërisht këtu kritika e tij pushon së qeni kritikë filmi. Kur shkruen se “kosovarizimi” i filmit shqiptar qenka dështim, se kosovarët po i marrkan në qafë regjisorët e rinj dhe se kinemaja e Kosovës qenka një zymtësi pa mbarim, nuk po analizon ma as skenar, as regji, as aktrim. Po përgjithëson një popullsi, një të folme dhe një kulturë të tanë.
Kjo mënyrë e të shkruemit te Blushi nuk më habit. Prej kohësh krijohet përshtypja se atij i duhet herë pas here një pjesë e shqiptarëve për me e provoku. Herë kosovarët, herë shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, herë tema që prekin besimin e shqiptarëve muslimanë.
Dhe unë e kam një pyetje të thjeshtë: pse, Ben?
Pse të duhet me e përçmu një pjesë të kombit tand për me kriju debat? A asht provokimi mënyra ma e lehtë me e mbajtë emnin nën reflektorë?
Se para se me shpallë “dështimin e kosovarizimit”, do të ishte mirë me e pa pak historinë.
Kosova e ka dhanë Bekim Fehmiun, një prej aktorëve shqiptarë me karrierën ma të madhe ndërkombëtare. E ka dhanë Faruk Begollin, Abdurrahman Shalën, Istref Begollin, Xhevat Qorrajn, Melihate Ajetin, Enver Petrovcin dhe një plejadë aktorësh që kanë qenë emna të njohun në krejt ish-Jugosllavinë. E ka Era dhe lisi, Njeriu prej dheu, Proka, Kur pranvera vonohet.
E në kohën e re e ka Shokun, që mbërriti deri te nominimi për Oscar, dhe Zgjoin e Blerta Bashollit, që fitoi tri çmime në Sundance dhe hyri në shortlistën e Oscar-it.
Prandaj filmi kosovar mundet edhe me u kritiku. Ka filma të mirë e ka filma të këqij, sikurse ka çdo vend tjetër. Ama me thanë se problemi i filmit shqiptar qenka “kosovarizimi” nuk asht kritikë. Asht paragjykim krahinor i mbështjellë me humor.
Madje edhe përshkrimi që Blushi i ban qytetnimit të tregon shumë: xhama, hotele, taka, makina të reja, jetë nate. Ndërsa fshati i tij asht baltë, raki, gomarë e njerëz të shëmtuem.
Këtu del edhe katunarlleku i vërtetë i këtij shkrimi.
Jo katunari që Blushi e sheh në ekran, po bindja se qytetnimi matet me vitrina.
E ma shqetësuese asht nevoja e vazhdueshme me kriju një “ne” dhe një “ata”. Kosovarët si “ata”. Shqiptarët e Maqedonisë si “ata”. Muslimanët shqiptarë si “ata”.
Jo, o Ben Blushi
Kosovarët nuk janë “ata”.
Shqiptarët e Maqedonisë nuk janë “ata”.
Janë shqiptarë, po aq sa ti në mos më shumë.
Dhe, pa dashtë, me këtë shkrim na e ke ba një nder. Na ke shty me i kujtu Bekim Fehmiun, Faruk Begollin, Besim Sahatçiun, Era dhe lisi, Shokun, Zgjoin dhe krejt atë histori që nuk mundesh me e fshi me një batutë për kosovarët.
Por pyetja për ty mbetet.
Kur një njeri publik njihet gjithnjë e ma shumë për provokimet ndaj pjesëve të kombit të vet, e gjithnjë e ma pak për atë që ndërton për të, atëherë duhet me mendu se çka ka me mbetë prej tij.
ObserverKult

Lexo edhe:






