Pse poeti Frederik Rreshpja kërkonte që në vend t’arkivolit ta futnin në një kuti lodrash për fëmijë

ishim frederik rreshpja

Frederik Rreshpja (1940 – 2006), ishte poet, eseist, publicist dhe botues. Më 1975 vepra e tij hiqet nga qarkullimi, arrestohet dhe dënohet me 4 vjet.

Ridënohet disa herë dhe në fund del nga burgu në Sarandë. Nga viti 1992 shpërngulet nga Shkodra në Tiranë. Themeloi dhe menaxhoi shtypshkronjën dhe Shtëpinë botuese “Europa” dhe ishte drejtor i revistës kulturore-letrare me po të njëjtin emër.

Pas vitit 2000 jeta e tij ndryshoi rrënjësisht. Rreshpja përjetoi një varfëri të skajshme. Vdiq më 17 shkurt të 2006.

ObserverKult ju sjell një fragment nga libri i Petrit Palushit “Frederik Rreshpja, që s’e kuptuam kurrë” ku paraqiten kujtime tronditëse, dramatike e poetike për dy ditët e poetit Frederik Rreshpja, në Kukës, disa muaj para se ai të ndahej nga jeta:


Prej aty, bisedën e zhvendosi te Prizreni.

-Më mbeti merak që s’e pashë Prizrenin, – shtoi.
– Kur shkova me autobus, kaluam nëpër Prizren, por shoferi s’e ndaloi autobusin. Edhe kur u ktheva s’pata mundësi ta shoh. Por Kuteli ka qenë në Prizren… Atëherë ishte luftë, kurse unë nuk munda ta shoh as në paqe…

-Do ikim nesër në Prizren, – i thashë.

-Jo, – ma ktheu. – Jam shtegtar. Shtegtari s’kalon dy herë në të njëjtin vend.
Shpejt e zhvendosi bisedën tjetërkah.

-Dikur kam qëndisur, – tha. – Mësova të qëndis qysh i vogël. Qëndisjen ma ka mësuar nëna, por edhe do murgesha në Shkodër. Kam qëndisë shumë bukur. Bile thuhej se Fredi qëndis më bukur se krejt vajzat e gratë e Shkodrës. Po edhe qëndisjen e lashë. Mirë që e lashë se nuk do të shkruaja poezi…
Befas, u kthye sërish te poezia.

-I kam disa poezi, i kam, – tha. – Ja, që s’më kujtohen. Por kam edhe shumë të tjera. Ndoshta edhe… S’ka gjë. Le të rrinë aty nëpër libra apo në copa letrash. Ndoshta kujtohet dikush e i lexon… Ndoshta do jenë më të qetë kur të mos jem unë dhe i lexojnë… Ndoshta…

-Ave, nëna ime, – fola unë, megjithatë.
Më erdhën në mendje dy vargjet e asaj poezie dhe i përmenda si me gjysmëzë:

Iku dhe nëna ime nën një shi prej mermeri
nga arkeologjia e perëndive që rrëzoheshin

-Eh, nëna ime! – foli dhe i shqiti sytë prej meje si të fliste me veti.
Priti derisa ta soste cigaren.

-Iku prej meje, por s’e di se kur. Qe engjëll, qe dritë për Fredin…
I përmenda një fjalë të urtë të zonës së Lumës: Edhe tetëdhjetë vjeç me qenë, me e pasë nanën gjallë të duket vetja se je tue u rritë.
I ktheu sytë rrëmisht tek unë.

-E jashtëzakonshme, – më tha. – Sikur të ketë pikë prej qielli e të mos e kenë thënë njerëzit.
E ktheu gotën e rakisë me fund.

-Eh, nëna ime, – foli sërish. – Ajo qe Perëndia ime.
Aty për aty sikur zëvendësoi një varg të poezisë “Ave, nëna ime”: Zot tjetër nuk kam patur kurrë, me vargun: Ajo qe Perëndia ime.

-Pleqëria ime nisi kur vdiq ajo, – m’u drejtua.

-Jo, – ia ktheva si ta ngushëlloja sadopak. – Ti je ende i ri.

Unë, ende i ri? – mu kthye në çast dhe nisi me qeshë.
Një e qeshur si e një fëmije të vogël që ngazëllehet kur e marrin në krahë.

-Po ikin vitet, – tha, – Me vitet, edhe jeta ime. Një herë nuk u kënaqa në jetë, por as kam më kohë të kënaqem.
E pyeta sa vjet kishte.
Ndërkohë, u fikën dritat…
Ai shkrepi çakmakun. Kështu bënë edhe disa të tjerë në lokal. Fytyra e tij më ngjau e zbehtë, si e lyer me një të verdhë të përzijshme, më tepër si kah e zeza. Ashtu n’atë gjysmëterr erdhi zëri i tij i pakët, sikur ta kapte ngrija.

-Po të jem gjallë, vitin tjetër i mbushi gjashtëdhjetë e gjashtë vjet, – tha. – Më vjen keq që nuk vdiqa vjet, por më keq më vjen që nuk vdiqa parvjet. Më keq më vjen që nuk vdiqa edhe pa lindë…
M’u duk se po e thirrte ngutshëm vdekjen e vet, por njëkohësisht pak edhe si me pezm që ajo s’e kish marrë një a dy vjet më parë dhe më tej, ende më e frikshme, që ajo s’e kish marrë ende pa lindë.

-Ehu, sa herë kam vdekur dhe jam ngjallur!
Tani sikur e shpaloi vetin ndërmjet vdekjes e jetës, por prap u kthye te vdekja:

-Vjen një kohë që njeriut i sosen të gjitha. Fryma shkallmohet e fundit…
Ndërkaq, u kthye te jeta:

-Po përsëri dua me mbetë gjallë. Nuk i dihet…
Aty për aty e ndërronte vdekjen me jetën si të ndërronte lehtas fletët e një kalendari.
Për të nuk kishte katër stinë, por vetëm dy, stinën e vdekjes dhe të jetës, ku vdekja niste e para, ndërrohej me jetën, më pas kjo e fundit ndërrohej rishtas me vdekjen.
Erdhën dritat…
Rreshpja ndërkaq fërkoi sytë me duar.

-Ja, ka edhe dritë për njeriun! – foli dhe u sikur u çel në fytyrë.
U vrantua në çast dhe shtoi:

-Vetëm për Fredin s’ka dritë.
Për një çast mbështeti kryet në tavolinë. Mbas do kohe e ngriti dhe tek më shihte drejt në sy, foli ndërkaq:

-Fredi ka qenë i huaji i botës.
M’u kujtua një varg nga poezia e tij “Përgjithmonë”: Unë kam qenë trishtimi i botës.
Ai, në bisedë sikur po rishihte poezinë e vet të mëhershme ose jepte variante të tjera vargjesh. Kësisoj, kalonte lehtas në mbindërtime vargjesh.

-Të paktën, do gjendet një varr për të, – shtoi.
Preku gjoksin me dy duart si ta shtrëngonte fort se mos i shqitej befas prej trupi.

-Trupi i Fredit është i vockël dhe nuk zë shumë vend, – foli.
Rreshpja sërish po thirrte nxitueshëm terrin e vdekjes së vet.
Mu aty, në tavolinën ku isha pranë tij, me cigaren që e thithte paprajshëm dhe me gotën e rakisë që e kthente shpesh e më shpesh.

-Në vend të arkivolit i mjafton një kuti lodrash për fëmijë, – foli.
Shumë rrallë thoshte: Unë. Gjithnjë e më shpesh thoshte: Fredi.
Të ngjante se nuk rrëfente për vetin e vet, por për dikënd tjetër, jetën e të cilit e njihte imtisht dhe njëkohësisht e vizatonte deri në fijet më të holla.

frederik rreshpja poezi per nenen

Frederik Rreshpja lindi në qytetin e Shkodrës ndërsa rrënjët familjare i kishte nga Dukagjini. Shkollën fillore dhe atë të mesme e ndoqi në shkollën “29 Nëntori” në qytetin e lindjes, ndërsa studimet e larta i kreu në Pedagogjiken e Tiranës.

Pas përfundimit të studimeve ai rikthehet në Shkodër për të punuar edhe si specialist i kulturës. Gjatë jetës së tij ai krijoi shumë poezi dhe drama të cilat spikatën jashtëzakonisht shumë dhe u vlerësuan nga lexuesit por sidomos edhe nga kritika e kohës.

Mësohet se poezia e parë e shkruar prej tij i qe kushtuar s’ëmës, Files – siç e quante. Nga Adriatik Kallulli i botohet përmbledhja poetike “Rapsodi shqiptare” më 1967 dhe vitin tjetër “Tri përralla për fëmijë” dhe “Trimi i fshatit Bardhë”, “Eranda” më 1969. Romanin “Zëri i largët i kasolles” më 1972 dhe dramën “Ëndrra e tokës” dhe “Trofta hutaqe” më 1973, për t’iu rikthyer sërishmi poezisë me përmbledhjen “Në këtë qytet” po atë vit.

Poezia “Topi fushor” hyn në antologjinë më të rëndësishme zyrtare të kohës pa botuar ende ndonjë përmbledhje. Më 1967 iu botua vepra e parë letrare, përmbledhja me poezi “Rapsodi shqiptare“ – pas një viti u arrestua sërish.

Më 25 nëntor 1992, Rreshpja jep një intervistë për gazetën “Zëri i Rinisë” dhe pyetjes se çfarë e gëzon dhe trishton më shumë në jetë, i përgjigjet: Nuk e di nëse më ka mbetur ndonjë gjë në këtë botë, që të më gëzojë. (…) Kur trishtohem, shkruaj. Prandaj shkruaj shumë.

E përgatiti: V.K.- ObserverKult


Lexo edhe:

FREDERIK RRESHPJA: ISHIM AQ MIRË KUR QEMË TË VEGJËL

FREDERIK RRESHPJA: NËNA IME, TI DHEMBJE E PASHUAR

FREDERIK RRESHPJA: TANI E TUTJE SHIRAT DO TË JENË LOTËT E MI…