A.S. Pushkini: Një lulëz mes librit gjeta…

Një lulëz mes një libri gjeta,
Të tharë edhe pa kundërmim;
Dhe për një çast i shtangur mbeta
E humba thellë n’ëndërrim.

Kur lulëzoi? Ç’pranverë thua?
Kush e këputi edhe ku?
Një dorë e njohur a e huaj?
Dhe pse e vuri vallë këtu?

A për kujtim të një takimi?
Apo për ndarjen plot trishtim?
A për një endje pikëllimi
Në heshtje fushash pa mbarim?

Ai, ajo, jetojnë vallë?
Ku thua janë, ku bredhin ku?
Apo mos ndoshta janë tharë,
Si dhe kjo lulezë këtu?

Përktheu: Jorgo Bllaci