Pyetësorit të Prustit i përgjigjet Agron Shala, gazetar, publicist dhe autor i mbi 50 kolonave zanore për teatër, film dhe dokumentarë.
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
-Nuk mund ta di se çka është lumturia e përkryer. Sepse, çdo përkufizim i çdo individi për lumturinë, e prek në një mënyrë lumturinë e tjetrit. Bertrand Russell ka thënë se “nëse në këtë botë ka një shumicë të njerëzve që e duan më shumë lumturinë e tyre sesa mungesën e lumturisë së të tjerëve, brenda pak vitesh do të jetonim në Parajsë”. Kjo Parajsë nuk po vjen, sepse qenia njerëzore është egoiste, hedoniste, e prirë që lumturinë ta perceptojë përmes dominimit të tjetrit, me çdo kusht. Si zgjidhje, fetë kanë përmendur qëmoti shmangien nga veset e këqija apo nga Shtatë Mëkatet Vdekjeprurëse (zemërimi, lakmia, përtacia, krenaria, epshi, zilia dhe grykësia). Mirëpo, në shoqëritë shqiptare – në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni… – ku nuk vjen në shprehje as dija, as drejtësia e as ndershmëria, njerëzit priren edhe më shumë drejt këtyre të këqijave. E liga bëhet mjet që ofron siguri, e siguria në rastet e tilla është formë e lumturisë. Por, kjo nuk është lumturi e vërtetë. Aq më pak e përkryer. Është veç një iluzion. Në rrethanat të tilla, për njeriun e rëndomtë që të mirën personale nuk e percepton në dëmin e tjetrit, lumturi është të shpresosh, të mos mendosh shumë, të kesh pak kërkesa e të jetosh sipas asaj që Fernando Pessoa e thotë në poezinë “Kur të kem vdekur…”: “Kurrë nuk pata ndonjë dëshirë që nuk mund ta realizoja/ sepse asnjëherë nuk m’u verbua arsyeja”!
Cila është frika juaj më e madhe?
-Pasiguria. Humbja e njerëzve të dashur. Teksa përgjigjem në këtë pyetje dhe reflektoj për frikën, e kuptoj se lumturia nuk duhet të ketë kërkesa të mëdha. Është e thjeshtë. Mjafton ta çmojmë çdo moment të jetës teksa po jetojmë në një botë me ata që i duam. Por, prapë, në një shoqëri ku nuk dominon vlera, secili është i cenueshëm, i pasigurt. Teksa lumturia e më të dashurve është edhe lumturia jote, kjo përgjegjësi e madhe e përkatësisë në atë grup, e sakrificës që grupi kërkon, pa dashje mund të na bëjë barrë të dikujt apo indiferentë. Këtu tash e ka burimin frika ime më e madhe: të përfundosh në vetmi!
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
-Secilin që interesin e përgjithshëm e vë para interesit meskin personal; secilin njeri të ndershëm e me dinjitet; secilin që është i sinqertë dhe që e njeh veten e aftësitë që ka; secilin që e do të bukurën dhe dijen; secilin që ka guxim ta thotë të vërtetën e të luftojë për të. Sepse, këta janë njerëzit që e bëjnë botën më të sigurt e më të lumtur.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
-Ndoshta George Orwell, edhe pse nuk mund të quhet “personalitet historik” përderisa ky epitet, sipas disa përkufizimeve, u takon atyre që kanë bërë ndryshime dhe progres për njerëzimin teksa ishin të gjallë. Megjithatë, Orwelli dhe letërsia e tij janë çdo herë aktualë. Ai, si askush tjetër, e ka zbërthyer të keqen e shoqërisë totalitare dhe moderne përmes asaj që sot njihet edhe si situata oruelliane. Por, mbi të gjitha, për mua është intriguese jeta e tij, që në një mënyrë ndërlidhet me ato që i thashë më lartë. Orwelli nuk është si mendësia që vë para interesin personal: “Bëj ç’të them unë, e jo çfarë bëj unë”! Ai luftonte për atë që besonte dhe besonte se bota mund të ndryshohej me forcën e intelektit. Si socialist-utopist (që i takonte shtresës së mesme të lartë), donte të njihte nga afër shtresën punëtore për fatin e të cilëve shqetësohej. Punoi si pjatalarës, jetoi me të pastrehët, punoi si argat e banoi pranë familjeve të varfra në një qytezë industriale. Madje, kur më 1936 shpërtheu Lufta Civile në Spanjë, nuk jepte mbështetje morale si intelektualët tjerë, por shkoi aty ku duhej – për të luftuar për drejtësinë që u tha se po shkelej. “Doja të zbrisja mes të shtypurve, të prekja fundin, të isha njëri nga ta, të rreshtohesha përkrah tyre e kundër tiranëve”, ka thënë Orwelli. Kjo ka bërë që ai të jetë modeli sipas të cilit duhet të përkufizohet intelektuali.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
-Kur shkruan dhe kritikon një shoqëri ku nuk dominon vlera, shpeshherë vihesh në dilemën nëse mënyra se si mendon dhe se si vepron është e gabuar. Në rastet e tilla nuk është veç një, po janë shumë tipare që nuk më pëlqejnë tek vetja ime. Megjithatë, do të ndalesha tek njëra: besimi tek të tjerët. Se ky nuk është tipar i mirë në shoqëri jo të mira, këtë e ka zbërthyer më së miri zhgënjimi i poetit Frederik Rreshpja – viktimë e situatës oruelliane të shoqërisë morbide (komuniste) shqiptare: “I kam provuar prerjet: ato nuk të dhembin sa tradhtia e një miku. Mua më shumë më kanë tradhtuar se më kanë prerë. Pra, armiqtë më të pamëshirshëm për mua, kanë qenë miqtë. Lavdi Zotit, tani nuk kam asnjë mik!”
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
-Janë shumë dhe besoj që këtë në një mënyrë e kam thënë te përgjigja në pyetjen e tretë. Edhe te e para, kur shkrova për Shtatë Mëkatet Vdekjeprurëse. Por, do të ndalesha te njëra: lakmia – për para dhe për pushtet! Mendoj se ky ves i keq po e errëson mendjen e shqiptarit, po e bën të paarsyeshëm e të lig. Pasojat e saj i shohim në çdo aspekt të shoqërisë sonë.
Në cilat gjëra e teproni?
-Në rastet kur reagoj me zemër e jo siç do të “këshillonte” Pessoa, “mos me u verbua arsyeja”. Nëna ime ndonjëherë thotë se njerëzit e drejtë janë paksa impulsiv. Ky përkufizim më pëlqen, se më bën të ndihem mirë e ta arsyetoj veten. Megjithatë, edhe nëse kam të drejtë, prapë mendoj se në shumë raste durimi do të ishte reagimi më i mirë.
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
-Gënjeshtra, një tjetër ves i keq i shoqërisë shqiptare: gënjehet shumë, për pikë të qejfit e për qëllime të liga, dhe kush nuk jep përgjegjësi e as nuk skuqet. Gënjeshtra është e ndaluar te të gjitha fetë abrahamike, në të gjitha kodet morale. Por, nuk duhet harruar se për qëllime të mira, vet Abrahami ka gënjyer. Në këto çaste më bie ndërmend pjesa e dytë e Dekalogut të regjisorit të madh polak, Krzysztof Kieslowski, kur një mjek gënjen për të shpëtuar një jetë të mundshme. Sepse, njeriu është qenie e ndjeshme dhe në momente të rënda fjala e mirë është shëruese, pa marrë parasysh se cila është e vërteta. Në të tilla raste, shpresëdhënëse pra, gënjeshtra nuk i bën dëm askujt.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
-Nëse flas për rrugëtim konkret fizik, do të doja ta përmendja qëndrimin dymujor në Holandë, më 2004. E them këtë sepse Holanda është shteti më liberal në botë. Por, në atë shtet secili e di se liria e madhe ka edhe përgjegjësi dhe kufizime të mëdha. Ndërkaq, në planin figurativ, rrugëtim i preferuar është imagjinata, si një azil mental. Këtë e arrij më së lehti përmes muzikës, që pluskon nëpër eter e ne nuk e shohim. Por, ky art i padukshëm të bën të projektosh në mendje fjalë dhe imazhe, anën më të bukurën të jetës dhe të botës.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
-Nuk mund ta di saktë. Rrethanat imponojnë ndonjëherë të them “Ueh?”, Shihe?”, “Jo bre?”… e kjo tregon se me sa të papritura e befasi është përditshmëria jonë.
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
-Kam bërë shumë gabime, por jo ndonjë vepër të keqe që më ndjek si barrë. Madje, nga mendimet që kam, shpeshherë edhe nga sjelljet, më krijohet përshtypja se kam pak prirje altruiste. Kjo për faktin se ndihem keq kur nuk mund të ndihmoj sa dua njerëzit në nevojë. E, fatkeqësisht, rastet e tilla, pra edhe keqardhja, janë shumë të shpeshta në shoqërinë ku jetoj.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
-Nuk e di. Dashuria ndonjëherë më duket si madhësi periodike. Si një sinusoidë me dy amplituda të kundërta. Cilado qoftë ajo, zë vend në zemër – organin e vogël, por që ka vend për tërë universin.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
-Kur e lexoj këtë pyetje, prapë jam në dilema për ato që kam shkruar më lart. Sepse, i lumtur duhet të jetë secili njeri që i ka akoma mentë e kresë e që ia del mbanë ta mbajë veten. Prandaj, mund të them gjendja ime mendore është normale (apo abnormale sipas kritereve të shoqërisë abnormale).
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
-E di që nuk mund ta ndryshojë më asgjë tek vetja. Ndaj, asgjë nuk më bie ndërmend. Kur lëkura dita-ditës bëhet më e trashë, aq më e vështirë është për t’u ndryshuar e për të dalë nga vetja.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
-Mendoj se arritja më e madhe e secilit është me mbet njeri deri në fund të jetës. Sepse, është lehtë me mbet gjallë, po vështirë me mbet njeri. Në këtë aspekt besoj se ia kam dal deri tash. Shpresoj t’ia dal deri në fund në këtë mision hiç të lehtë të cilin e kam zgjedh unë (ose Hyu Suprem apo gjenetika).
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
-E përmenda më lartë, do të doja të kisha më shumë durim në momente të caktuara. Babai i taoizmit, Lao Tzu, ka thënë: “Kam veç tri gjëra për t’ju mësuar: thjeshtësinë, durimin, dhembshurinë. Këto tri janë pasuritë më të mëdha”. Me durim më të madh do të kisha bërë më pak gabime, e me më pak gabime do të isha edhe sot më i qetë.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
-Do të doja të isha dikush emri i të cilit do të përmendet përherë për të mirë. Si p.sh. George Orwell – për jetën dhe veprat, për idealizmin dhe guximin e tij.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
-Njerëzit e afërm të gjakut, dhe miqtë. Shkrimet, muzikat, fotografitë, vizatimet… Librat fizikë dhe ata elektronikë… Kujtimet… Gjithçka që nuk më lë të ndihem i vetmuar.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
-Lakminë, injorancën dhe mediokritetin. Këto e kanë pllakosur shoqërinë shqiptare. Ndaj, jetojmë në kohën ku është barazuar i ndershmi me të pandershmin, patrioti me tradhtarin, punëtori me dembelin, i mençuri me budallain… dhe ku asgjë nuk është ashtu siç do të duhej të ishte. Në rrethanat ku nuk sundon vlera dhe dija, bëhemi dëshmitarë të veprave të këqija dhe përkufizimit që ka dhënë Zef Pllumit për shqiptarët: “Si asht e mundun që nji popull kaq i vogël të ketë kaq shumë rrugaça?”
Ku do të dëshironit të jetonit?
-Kam pasë mundësi të jetoj në Londër, por jam kthyer në Prishtinë pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, më 1999. Kur këtë vendim e kam marrë para 20 vitesh, sot, kur po i afrohem moshës së mesme, po gjykoj sipas poetit Pessoa, meqë “nuk kam dëshirë që nuk mund ta realizoj”. Prandaj, Prishtina më imponohet si dëshirë (e padëshiruar).
Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
-Burrërinë, mençurinë, sakrificën për familje e shoqëri dhe karakterin e fortë që nuk e lejon në asnjë rrethanë të bëhet zvarranik.
Çfarë vlerësoni tek një femër?
-Mençurinë, butësinë, qetësinë dhe përkushtimin për familje.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
-Ndoshta Gjergj Fishta. Jo veç për dhuntinë unike të të shkruarit, po edhe për faktin se në momente shumë të vështira ka shkruar veprat që kanë pasë si qëllim ta rikthejnë dinjitetin te shqiptari. Fatkeqësisht, nuk ia doli, por vepra e tij prapë mbetet si synim për të ndërtuar shoqëri me njerëz e jo me zvarranikë.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
-Diçka thash te përgjigja e tretë. Por, do të përmendja këtë rast yjet e mëdhenj të muzikës rock; njerëzit e guximshëm që sakrifikuan për dashurinë ndaj muzikës e që muzikën e përdorën si armë kundër të keqes. Ata ia dolën të bëjnë ndryshime pozitive për njerëzimin, më shumë se politikanët.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
-Këndimin. Mendoj se po ta kisha këtë talent, do ta kisha më të lehtë për t’u çliruar nga streset, por edhe për të krijuar.
Si do të dëshironit të vdisnit?
-Qetë, pa frikë e në këmbët e mia.
Cila është motoja juaj?
-Nuk kam ndonjë moto, por mendoj se për fund të pyetësorit vlen të përmendet një thënie e komedianit Milton Berle: “Nëse shansi nuk të troket, ndërtoje një derë”! /ObserverKult