Albana Beqiri: Rrugëtimi nëpër libra, i vetmi që nuk më lodh kurrë!

albana beqiri vdekja
Pyetësorit të Prustit i përgjigjet poetja Albana Beqiri.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Nuk besoj në konceptin e lumturisë së përkryer. Lumturia ose është e tillë, ose nuk është; ose ke fatin ta prekësh e ta përjetosh ose thjesht nuk e ke atë fat. Personalisht lumturinë e kam përjetuar në tërësinë e momenteve të vogla apo të mëdha, të cilët më kanë bërë të ndjehem si mbi re. Dhe momente të tilla, fatmirësisht kam pasur plot.

Cila është frika juaj më e madhe?
Të mbetem e fundit e fisit. Më duket se kam qenë krejt fëmijë, kur për herë të parë e kam dëgjuar këtë shprehje, besoj në trajtën e mallkimit: mbetsh i fundit i fisit! Afërmendsh që aso kohe nuk e kuptoja domethënien. Me vite kam kuptuar sa i trishtë është si mallkim, sa i makthshëm si koncept. Frigohem se një ditë kur të zgjohem do të jem e fundit nga ata që kam njohur apo dashur.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Nuk është vetëm një. Kam shumë të tillë. Por po përmend vetëm dy: time më dhe tim shoq. Admirimi për nënën besoj është i natyrshëm. Më gjithë vitet mbi supe, para saj mbetem fëmija i vogël, bota e të cilit është e sigurtë vetëm në prehërin e nënës. Gjithsesi, nënën e admiroj për fuqinë e madhe me të cilën ka përballuar të gjitha sfidat e jetës dhe ja ka dalë ta ruajë fisnikërinë e shpirtit, pa lënduar askënd, pikë së pari veten. Tim shoq e admiroj për dijen, dinjitetin dhe mungesën e komformizmit, që i ka me tepri!

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Kur e mendoj mirë, kuptoj se nuk kam asnjë të tillë. Aq të vogël e konsideroj veten para tyre, sa më duket i padrejtë qoftë edhe krahasimi me ndonjërin prej tyre…

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Vetëm një?!… Janë aq shumë… Mundohem shumë t’i korrigjoj, por shpesh nuk ja dal. Por që të mos duket sikur po i bishtnoj pyetjes suaj, po përmend të parin që më bie ndërmend: mungesa e diplomacisë… Shpesh i them vetes se duhet të tregohem më e kujdesshme me njerëzit përreth meje: të ruaj për vete shumë nga ato që mendoj për ta apo për fenomene të ndryshme, por kjo nuk ndodh pothuaj asnjëherë. Përfundoj gjithmonë duke thënë troç dhe pa asnjë pikë diplomacie atë që mendoj dhe… ndodh që tingëlloj tepër e vrazhdë…

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Mosmirënjohja dhe mungesa e dinjitetit.

Në cilat gjëra e teproni?
Në mirënjohje. I njoh vetes qindra të meta dhe vetëm një virtyt: mirënjohjen. Shpesh e teproj me mirënjohje.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Hipotetikisht do duhej të ishte ndonjë gjë tepër e madhe. Me këtë nuk po them se nuk kam gënjyer asnjëherë. Kam thënë plot gënjeshtra dhe jo vetëm të bardha. Këto të bardhat do i preferoja më shumë. P.sh, do gënjeja pa u penduar, nëse gënjeshtra ime do ta bënte ndokënd të ndihej mirë. Por gjithsesi, kam mbërritur në një fazë të jetës që gënjeshtrën e shmang sa më shumë që të mundem. Të kuptohemi: jo se tutem se nga gënjeshtra më rritet hunda si Pinokut (ka qenë përralla e vetme që nuk e kam besuar as si fëmijë) dhe as se e di se, gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra. Thjesht fakti i hidhur që e kam prekur vdekjen nga aq afër, më ka mësuar në mënyrë të vrazhdë se mund të gënjesh veten dhe të tjerët, por jo Zotin! Nuk preferoj të gënjej më, sepse e kam kuptuar tanimë se Zoti nuk gënjehet!

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Ai nëpër libra! Kur një libër më tërheq shumë e më jep kënaqësi estetike, para së gjithash më jep lirinë e pacënueshme nga askush që të udhëtoj brenda historive njerëzore, vendeve të njohura apo të panjohura, kulturave e botëkuptimeve të nacionaliteteve e rracave të ndryshme, botëve, psikologjive e karaktereve të ndryshme njerëzore. Është rrugëtimi i vetëm që nuk më lodh kurrë. Madje trishtohem kur i shkoj në fund. Përtej kësaj, udhëtimet dhe rrugëtimet reale nuk i kam fort për zemër. Më ka rënë të rrugëtoj shumë, jo nga dëshira, por nga rrethanat. Nuk u mësova kurrë me to.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Nuk është një, por janë dy: një falenderim dhe një lutje. “Faleminderit o Zot edhe për këtë ditë”- kjo është fraza që e them me vete çdo mëngjes sapo hap sytë, ndërsa çdo mbrëmje bie të fle me lutjen: “Zot, ruama shpirtin”.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Që nuk kam ndejtur aq sa duhet me nënën time. Që nuk jam bërë ajo që im atë ka dëshiruar për mua. Që nuk kam u kam dhuruar më shumë dashuri motrave të mia. Që nuk kam mundur të shkoj aq shpesh sa dua te varret e tim eti dhe gjyshërve të mi. Që nuk iu gjenda dot pranë në çastin e fundit të jetës mikes sime më të mirë Aidës… Që nuk ua kam treguar aq sa duhet miqve sesa i çmoj… Që…

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Vetë jeta! Mund t’ju tingëllojë si përgjigje- klishe, por besomëni është e vërtetë! Ngaqë për shumë vite kam fjetur me vdekjen në jastëk dhe jam familjarizuar me idenë e vdekjes si realitet i prekshëm, e kam parë instiktin për jetën sesi kapej me thonjë pas saj. E kam parë sa e çmuar është jeta për ta çuar dëm, për të mos e dashur! Është një luks që unë nuk e kam më!

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Në paqe me veten dhe me botën! Më është dashur shumë të mbërrij në këtë gjendje! Pas luftës së gjatë me sëmundjen, kuptova se njeriu më i rëndësishëm për mua isha vetë unë. Prandaj edhe të ruaja higjenën shpirtërore ishte detyrim ndaj vetvetes. Kështu që fillova të ruaja aq sa mundja veten nga ambjenti i kontaminuar që na rrethon. Për t’ja arritur kësaj ja kam ndaluar vetes rreptësisht të lexoj lajme apo të diskutoj për politikë (anipse kësaj të fundit nuk ja dal t’i shmnagem gjithmonë). Ndërkaq, dëgjoj muzikë të mirë, shoh filma dhe mbi të gjitha lexoj libra të mirë. Ec shumë, çdo mbrëmje ec më së paku 2 orë. Po ashtu edhe gatuaj me kënaqësi: e gjithë kjo rutinë ditore e shndërruar në terapi antistres më ka shpënë te kjo gjendje mentale të cilën e kam që disa kohë e që uroj të vazhdojë gjatë e këtillë.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Gjithçka ose asgjë. Me shumë gjasa asgjë, pasi po të ndryshoja qoftë edhe diçka të vogël nuk do isha unë, kjo që jam sot: një 46 vjeçare në paqe me veten! Nuk do kisha ndryshuar madje as një thinjë apo një rrudhë: jam munduar shumë për t’i fituar…

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Përballimin me dinjitet të të gjitha situatave të rënda me të cilat të përball jeta si dhe posedimin e fuqisë për t’u përballur me vdekjen! Nuk e dija se e kisha këtë fuqi derisa mu desh të luftoja për jetën!

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Fundnëntorin e vitit 1944 dhe 27 prillin e vitit 1991! Sikur hipotetikisht ta kisha atë fuqi sa ta ktheja pas kohën, do e kisha ndryshuar historinë duke ndryshuar botëkuptimin e pjesës idealiste të komunistëve shqiptarë, të cilët besonin sinqerisht se fitorja e Luftës antifashiste ishte çlirim i atdheut dhe do i kisha ndërgjegjësuar për çka e priste për 45 vjet atdheun e tyre dhe timin, atë atdheun e robëruar nga diktatura më e egër komuniste e vendeve të Lindjes. Dhe, po ta kisha atë fuqi, po ashtu do e ndryshoja 27 prillin 1991, ditën që vdiq im atë! Eh, po ta kisha atë fuqi, im atë sot do të ishte një 85 vjeçar i lumtur, i cili në muzgun e jetës u gëzohet nipërve!

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Kalë ose qiparis! I dua shumë kuajt, prandaj do doja që në jetën tjetër apo në këtë të tanishmen pas vdekjes të kthehesha në një kal. Jo garash, po në një kal të egër që vraponte në ndonjë pyll të egër. Në atë të Divjakës, psh. Ose qiparis! Në një qiparis të mbjellë pranë varrit tim!

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Lirinë time!

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Pabesinë si koncept e veçmas kur ajo i bëhet mikut, shokut, të afërmit apo partnerit. Forcën dhe arrogancën e treguar ndaj më të dobtit i konsideroj po ashtu si mjerim të madh, ndërkaq që kulmi i mjerimit për mua është përulja ndaj padrejtësisë dhe pajtimi me të keqen! Janë pasqyra dhe mësimi më i keq që një prind mund t’ja lërë fëmijës së vet!

Ku do të dëshironit të jetonit?
Askund tjetër përpos se ku po jetoj. Vetëm se në një banesë më të madhe, ku të kisha hapësirë më shumë për librat që shtohen e shtohen me vitet, si dhe për pikturat e qypat e baltës që i kam pasion.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Të gjitha ato që vlerësoj edhe te një femër: dashurinë për vetveten, përpjekjen dinjitoze për t’i merituar ato që arrin në jetë pa pranuar të jetë pjesë e kuotave qesharake, dinjitetin si më të çmuarën pasuri, ngarendjen pas ëndrrave, edhe atëherë kur ato duken të parealizueshme, fisnikërinë e shpirtit, fuqinë për të qeshur mu atëherë kur të qahet, finesën dhe elegancën e dukjes e të sjelljes.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Të gjitha ato që vlerësoj edhe te një mashkull: dinjitetin dhe imponimin përmes fuqisë së shpirtit, pa përdorur atë të muskujve. Mençurinë dhe qëndrueshmërinë. Edhe sinqeritetin qe besa!

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Janë shumë. Gjatë viteve, me faza kam pasur të preferuarit e mi. Kjo varej nga leximet, nga botimet, nga pjekja intelektuale etj, etj. Kujtoj se një kohë, e cila përkon me fazën pas përfundimit të studimeve, diku aty nga mesi i viteve 90 isha e “dashuruar” me Dostojevskin. Përpija gjithçka që botohej prej tij. Pasi e shtera njohjen me të, u “dashurova” edhe me Realizmin magjik. Markesi, Kortasari, Fuentes, Saramango e sidomos Llosa. Me kaq përfundon faza e dashurive të ethshme! Pas kësaj kisha lexime selektive e të shkrimtarëve që ma trandnin botën shpirtërore. Më pëlqen të lexoj autorë nga të gjitha letërsitë botërore: prej librave të tyre i njoh më mirë vendet, njerëzit  dhe kulturat që përfaqësojnë. I dua shumë, Kafkën, Kamynë, Virginia Woolfin, Hessen, Salman Ruzhdien dhe Murakamin. I kam lexuar me ëndje veprat e një autori spanjoll Zafonit, ato të afganit Khaled Hosseinit, ruseamerikanes Ajn Rand apo ato të kanadezes Margaret Atwood. Por autorët të cilëve u rikthehem me të njëjtën drithërimë si herën e parë janë Yourcenar, Amos Oz dhe Bulgakovi, sidomos ky i fundit. U përpoqa të sjell një listë të shkrimtarëve që kanë ndikuar në formimin tim. Natyrisht ka dhe dhjetëra të tjerë që unë i lexoj me ëndje, por të sipërpërmendurit janë ata që më bien me të parën ndërmend. Edhe në gjumë po të më pyesnit!

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Njerëzit e dinjitetshëm të këtij vendi, që nuk e kanë humbur vetveten dhe e kanë ruajtur shpirtin anipse ka qenë pothuaj mision i pamundur. Njerëzit që preferojnë të vërtetën para gënjeshtrës, me gjithë koston e përhershme që e vërteta dhemb dhe bën shumë armiq. Mu, ata njerëz të mirë, të cilët mendoj se janë shumë, por ne pothuaj nuk i vërejmë, sepse kjo pjesa tjetër e skotës së njerëzve të padinjitetshëm e lakmitarë deri në gërdi, janë aq të zëshëm… Janë pikërisht ata njerëz të mirë, që i ruajnë ekuilibrat dhe nuk lejojnë ende që kjo botë e çmendur të shkojë në dreq të mallkuar. Pikërisht ata janë heronjtë e mi të gjallë! Falenderuese për ta!

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Atë të qeramistes apo poçarisë! E dua shumë çdo punim poçerie, ata të njëmendtit, prej balte pa lustrime, ngjyrime e zbukurime. Kam koleksionuar plot të tillë në banesën time të vogël, ku të merret fryma, por do doja të kisha talentin që t’i krijoja vetë.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Në këmbë!

Cila është motoja juaj?
“Zoti para, unë pas”./ObserverKult