Pyetësori i Prustit/ Anila Kruti: Heronjtë e vërtetë janë ata që sfidojnë jetën dhe vështirësitë, që ngrihen mbi dhimbjen dhe ecin duke qeshur!

Pyetësorit të Prustit në ObserverKult i përgjigjet shkrimtarja, Anila Kruti:

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

-Ringritja e vetes në momentet e rënies. S’ka përkryerje më të bukur, lumturi më të madhe sesa të shohësh një njeri të rilindur, të ringritur nga gërmadhat e zhvlerësimit të rënies, të dhimbjes, të humbjes. Është aq, i bukur, aq i përkryer njeriu, sa shpërfill edhe vdekjen.

Cila është frika juaj më e madhe?

-Keqkuptimi i ekzistencës njerëzore. Vetëm hapësira e shpirtit dhe drita që shpon errësirrën për të parë veten time, pa kufij, për të kuptuar pse jam këtu dhe nuk jam atje ku duhet të isha në një botë të pastër, ashtu si krijimi. Në vendin e duhur. A e meritojmë këtë botë, ku lufta është me e madhe se paqja. Materializmi dhe shfaqja sipërfaqësore bëjnë bujë. Ku përmasave të shpirtit nuk i jepet rëndësi. S’ka frikë më të madhe sesa të keqkuptohesh, ku e gjithë qenia flet gjuhën e njeriut.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

-Nënën dhe babain tim, por sidomos babain projektuesi i mirësisë dhe njerëzores në familjen tonë. Është dashuridhënës. I ngjan zotit dhe Zoti adhurohet.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

-Sabiha Kasimati është shkencëtarja e parë grua në Shqipëri, solli ide inovatore. Më ka bërë të kuptoj që gruaja ka mendje aq të kthjellët sa sjell revolucionin e shkencën shumë kohë më parë se inteligjenca artificiale.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

-“Non sono bella sono erotica”. “Nuk jam e bukur, jam erotike” (Alda Merini) janë dy besoj. Nuk jam shumë e bukur. Besoj që jam e bukur brenda në shpirt. Jam e papërsosur në përsosmërinë time modeste. Njeriu është i papërsosur në ekzistencën e tij. Dhe mirë është që t᾿i pranojë dhe të jetojë me to. Ndonjëherë, jam më e mirë seç duhet. Nxitoj të ndihmoj njerëz, që nuk e vlerësojnë këtë vlerë, derisa mirësia ime vendos kufijtë e vetë.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

-Unë tashmë e pjekur krijoj marrdhënie me shumë pak njerëz. Jam selektive dhe jam njeri në vetminë time. Por, gjëja që nuk më pëlqen janë janë njerëzit që nuk kanë shtyllë kurrizore. Njerëzit arrogantë, ‘të gjithëdijshmit’, të pëlqyerit nga të gjithë. Ata që nuk kanë besë. Njerëzve që u mungon drita. Kaq!

Në cilat gjëra e teproni?

-Jam më romantike seç duhet në një botë, ku kalkulimi bën punën e vet. Njerëzit janë sipërfaqësor dhe materialistë. Unë vizatoj rrugë, pemë, poezi.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

-Unë nuk gënjej. Jam njeri i vërtetë dhe mendoj se gënjeshtra nuk vishet me bukuri shpirti. Ajo jeton tek shpirtrat e errët. Manipulatorët. Do gënjeja po të gjeja gjurmët e Prometeut, shpëtimtarit të dritës. Këtë do e bëja.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

-Kam një marrëdhënie shumë të veçantë me librat. Unë udhëtoj shpesh me personazhet në rrugëtimin e tyre. Më ka ndodhur me një nga librat e Artur Golden, kur isha në gjimnaz, “Kujtimet e një geishe”. Më tërhiqte sofistikimi dhe finesa e një geishe. Udhëtimin e Sayurit që nga fshati i saj i lindjes, deri tek suksesi dhe dashuria e saj e bëmë bashkë.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

-Unë jam rritur me gjyshen dhe ime gjyshe thoshte tre shprehje të bukura:

Mos shko aty ku nuk të presin!

Njeriu mund te humbë dhe të rikthejë gjithçka, po humbi dinjtitetin, nuk i kthehet më!

Bota rrotullohet!

I përdor shpesh për të kujtuar, se njeriu rron me dinjtet dhe vdes po i tillë.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq, apo jeni penduar që e keni bërë?

-Asnjë e kaluar nuk bëhet siç do të donim. E kaluara ka ikur. Nuk jam peng i së ikurës. “E bëra, nuk zhbëhet”, ajo më ka mësuar se e tashmja është më e bukur, më ka mësuar të maturohem, të mençurohem, pse jo edhe të shenjtërohem.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

-Fëmijët janë drita ime. Familja ime e vogël dhe e madhe. Librat. Arti i të shkruarit më bën të dua jetën dhe që jam e bekuar që shkruaj dhe lexohem, sidomos nga fëmijët. Dhe sigurisht njerëzit që më duan me vërtetësi.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

-Unë jam në një fazë të jetës, që nuk më bën më përshtypje, pseja e njerëzve. As opinionet e tyre. Unë jam aty ku dua unë, jo ku duan të tjerët. I besoj më shumë vetes. Për shkak edhe se shkruaj, rri shumë vetëm. Unë dhe vetmia kemi një strehë të përbashkët që përqafohemi dhe ëndërrojmë bashkë për gjëra me sens. Unë, rri vetëm, drekoj vetëm, pi verë vetëm. Jam unë dhe frymëzimi im. Unë dhe maturia ime. Është privilegj të shkruash dhe të jesh e bukur shpirtërisht, sepse reflektohet edhe tek mënyra e komportimit me të tjerët, por edhe tek fizikja.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

-Doja të hiqja bionden, por fatkeqësisht nuk më shkon ngjyrë tjetër. Bëhemi një dyshe e bukur unë dhe Dielli. Flokëluledielli (më shkon) përtej shakasë. Ta shijoja më shumë fëmijërinë.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

-Jam njeri i duruar. Pres kohën dhe njerëzit e duhur. Vlerësoj forcën e pasionit tim. Forcën e butë të fjalës. Suksesin që e kam arritur me meritë dhe me mbështetjen e njerëzve të duhur në këmbim të mirënjohjes dhe respektit. Ia kam dalë vetë në jetë. Nuk kam pasur ofiqe, as jam marrë me politikë. Jam ngjitur me thonj drejt suksesit dhe kjo më ka shijuar. Janë shitur dhe ribotuar librat e mi për fëmijë dhe kjo mendoj që bën suksesin.

Něse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

-Koha është si një muze historik, ku ruan në pavionet e saj, dhimbjen, trishtimet, shërimin, gëzimin. Mua koha më ka bërë të reflektoj. “Pse jam kjo që jam tani?!” Kam ecur duke mësuar dhe punuar. Pse ta ndryshoj kohën, kur nuk bëhet e ndryshuara. Sens të jep koha që ke jetuar ashtu siç ka ardhur.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

-Është një pyetje abstrakte, por që thellë më bën të mendoj që shpirtëzimi ndodh me gjërat e veçanta. Send? Kurre nuk e mendoj veten sepse unë dua frymën, qelizën, gabimet, ëndrrat, jetën, por do të preferoja të isha pulëbardhë dhe shtëpia ime të ishte deti.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

-Materia e Shpirtit.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

-Njerëzit pa shpirt.

Ku do të dëshironit të jetonit?

-Në Zvicër ose Japoni.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?

-Jam njeri i plotësuar në një farë mënyre. Kam pak nga të gjitha. Mirësia që kam brenda vetes. Bëj për të tjerët. Më jep kuptim, dimensioni njeri është më i rëndësishëm se të gjitha gjërat që shkëlqejnë së jashtmi. Vishem me rroba të thjeshta. Jetoj thjesht dhe kam forcën t’ia dal me mençuri.

Çfarë vlerësoni tek një burrë?

-Një burrë i rritur nga një nënë e mirë. Inteligjent… (Nuk thashë shumë i mençur). I lexuar, i dhembshur edhe me thinja.

Çfarë vlerësoni tek një grua?

Mençurinë, kreativitetin, sharmin, finesën. Një grua që vlerëson veten dhe njerëzit përreth. Një grua që hyn me butësi kudo.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

-Kam shumë: Remark, Dostojevski, Kafka, Kamy, Heminguej, Hosein, Murakami, Mieko Kawkami, etj.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

-Mendoj se heronjtë e vërtetë janë ata që sfidojnë jetën dhe vështirësitë. Ata që ngrihen mbi dhimbjen dhe ecin duke qeshur.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

-Piktore.

Si do të dëshironit të vdisnit?

Mendoj, se një njeri në paqe me veten duhet të vizitojë shpesh dy vende, maternitetin dhe varrezat, vendet me dy dimensionet e lindjes dhe përjetësisë njerëzore, edhe pse kontradiktore për tokën. Do të dëshiroja të vdisja në ujë duke kënduar poezi. Varri im të jetë deti ,kjo ndoshta edhe sepse jam shenjë uji.

Cila është motoja juaj?

Një thënie e Salvador Dalit: “Më e pakta që mund t’i kërkosh një skulpture është që të mos lëvizë”!

ObserverKult


Lexo edhe:

ANILA KRUTI: MOS E MERR TË LEHTË NJË GRUA QË LEXON…