Pyetësori i Prustit/ Begzad Baliu: Mungesa e urrejtjes ma ka zhvilluar refuzimin si kategori filozofike…

Pyetësorit të Prustit në ObserverKult, i përgjigjet shkrimtari dhe gjuhëtari, Begzad Baliu

Cila është frika juaj më e madhe?

Përsëritja e historisë nacionale.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

Umberto Ekon, i cili megjithëse vdiq kohë më parë, në mendjen time dhe në ndjenjat e mia, ende jeton i gjallë.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

Nuk i dua identifikimet, për më tej me personalitetet historike. I dua personalitetet që bëjnë ndikim në histori, që dhuntinë e tyre jetësore e sakrifikojnë për një qëllim të madh njerëzor. Kjo i ofron mendimet e mia me parimet e Viktor Hygos, Tolstoit, Çabejt, Qosjes etj!

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

Durimin dhe mungesën e urrejtjes. Mungesa e urrejtjes më ka zhvilluar një shprehi tjetër: refuzimin si një kategori filozofike për njerëz dhe veçori të caktuara. Ndërsa, më shumë më ka bërë dëm durimi i theksuar sepse durimi më ka lejuar praninë e disa kategorive njerëzore në hapësirën time shoqërore, të cilët shumë herë më kanë shkaktuar dëm dhe shqetësim shpirtëror.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

Mungesa e respektit! Arrogancën dhe injorancën, njëkohësisht!

Në cilat gjëra e teproni?

Me lexim. Edhe leximi e ka masën e vet, si dhe pija, bie fjala. Edhe leximi i tepruar të deh, si rakia. Dhe nuk jam penduar, dhe nuk pendohem!

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

I përballoj edhe situatat më të vështira dhe i shpreh me durim e arsye edhe të vërtetat më tragjike, sa të mos detyrohem të gënjej në një situatë të vështira. Po unë në të vërtetë e gënjej veten për ditë, duke menduar se puna ime do ta ndryshoj gjendjen e shoqërisë me të cilën jetoj. Dhe nuk ndalem! Gënjeshtër e përditshme, e gjatë, e stërzgjatur, apo jo!

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

Në rininë time e kam dashur shumë astronominë. Një udhëtim me Kometen e Halejit rreth tokës. Tani në një moshë tjetër kur ndjenjat e mia nuk shkojnë drejt pafundësisë, por rreth vetvetes, preferoj një rrugëtim drejt së vërtetës, natyrisht bashkë me gruan time, Myrveten. Vetminë nuk e kam dashur kurrë, jo për shkak të mësimeve të Markezit, por, besoj, për shkak të asaj që kam trashëguar nga fëmijëria: provincës. Prandaj miqtë që na njohin, kudo dhe kurdo, na njohin si çift, më shumë se sa individë. 

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

Më së shpeshti: Puno, mos u anko! Ndërsa, në situatat më të vështira, mendimin e Abelarit: Non est peccatum nisi contra conscientiam (Nuk është mëkat nëse nuk është në kundërshtim me ndërgjegjen).

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

Pse disa projekte të mia jetësore nuk i kam filluar më herët.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

Gruaja dhe fëmijët. Myrveti, Bardha, Era dhe Eni, familja e sotme dhe pasardhësit që presim të vinë.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

E përzier. Mbase jo për veten sa për mjedisin e karantinuar (koha e koronavirusit) në të cilën jetojmë përkohësisht. Duke punuar pothuajse me elanin që kam punuar përherë, po me shqetësimin për shëndetin, fatin dhe shqetësimet e njerëzve që më rrethojnë dhe me të cilët komunikoj. Dhe për më tej, me shqetësimet dhe sjelljen indiferente të bartësve të institucioneve politike, arsimore, shkencore e kulturore në hapësirën shqiptare, në një kohë që më kujton madje edhe përsëritje e historisë, shtegtimin e indoeuropianëve nga Azia në drejtim të Europës, 2500 vjet më parë.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

Ka shumë. Tepër shumë. Nuk ia vlen të rikthehem dhe të humbi kohë. Këtë nuk do t’ia preferoja as Krishtit e Muhametit, përveç për ato që i vret ndërgjegjja. Të tilla nuk kam, të tjera shumë.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

Mos humbjen e durimit dhe elanin për punën në fushë të albanologjisë.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

Gjatësinë e ditës. Pak, tepër pak, 24 orë në një ditë dhe për një jetë.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

Nuk kam menduar. Ky që jam, ndoshta me ndonjë pasion më shumë.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

Familja. Gruaja dhe fëmijët. Kurrë nuk më ka mjaftuar dhe kurrë nuk kam mundur të punoj më shumë se tri ditë pa të në shtëpi. Punoj mes tyre sikur të mos ishte askush në shtëpi, po nuk mundem pa zërin e tyre, lëvizjen e tyre dhe zhurmën e tyre.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

Përuljen. Mjerimin intelektual.

Ku do të dëshironit të jetonit?

Ndërmjet Prishtinës dhe Durrësit, si hapësirë gjeografike dhe në Shkollën e Frankfurtit si hapësirë e dijes.

Çfarë vlerësoni tek një burrë?

Sinqeritetin!

Çfarë vlerësoni tek një grua?

Vlerat shpirtërore!

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

Shumë: Eskili, Shekspiri, Dostojevski, Sabato, Fokneri, Qosja, Murakami, Kadare.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

Prindërit e mi!

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

Të qenit instrumentist dhe piktor.

Si do të dëshironit të vdisnit?

Me kohë dhe në moment. Si edhe prindërit e mi.

Cila është motoja juaj?

Mos rri! Në të vërtetë unë them: mos u kot!

ObserverKult


Lexo edhe:

BEGZAD BALIU: ME SKËNDER DRININ NË PESË SITUATA

BEGZAD BALIU: RRËFIMI I NËNËS PËR SHTËPINË E DJEGUR NË FSHAT

BEGZAD BALIU: NË FILLIM ISHE TI PASTAJ ERDHI OBAMA