Pyetësori i Prustit: Ben Apolloni

Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet regjisori Ben Apolloni.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Me lumturi kuptoj një ndjenjë të mirë që zgjatë, e këtë ndjenjë e kam kur jam duke punuar, duke krijuar dhe do të doja që të kem mundësi të krijoj në vazhdimësi, që të ndihem i lumtur dhe lumturinë time ta shpërndaj edhe tek të tjerët.

Cila është frika juaj më e madhe?
Kam frikë nga varfëria. Nga të gjitha format e saj: ekonomike, shpirtërore…

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
E adhuroj nënën time.

Cili është personaliteti historik me të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?Historia është e mbushur përplot me personalitete që unë i adhuroj, por do të doja të identifikohesha me Leonardo da Vinçin. Ai për mua paraqet figurën ideale njerëzore.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Emocionohem shumë shpejtë.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
I urrej rrenacakët.

Në cilat gjëra e teproni?
Në ëmbëlsira dhe flas shumë për artin. Besoj që i lodhi njerëzit duke ju folur për filma, teatër, muzikë…

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Për t’ia shpëtuar jetën dikujt.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Rrugëtimi drejtë artit.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Art. Mund të ketë edhe fjalë e fraza tjera, por që fjalën art e përdori më së shumti gjatë 24 orëve, jam shumë i sigurt.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Më vjen keq, jashtëzakonisht keq, kur e shoh kitarën në shtëpi dhe nuk e preki me dorë. Kam ëndërruar që të bëhem muzikant, por nuk kam punuar që këtë ëndërr ta jetoj.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Familja ime dhe arti. Edhe pse më duket që fjala dashuri është e varfër për të shprehur atë që ndjej për familjen time dhe artin. Më pëlqen më shumë të them që i adhuroj.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Gjendja ime mendore vazhdimisht është e paksa e tensionuar sepse kam një mendje kurreshtare e krijuese dhe mendoj që kjo gjendje është normale për një mendje tillë.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Ndjeshmërinë. Do të doja të isha më pak i ndjeshëm. Ndjeshmëria ime më shkakton shumë shpesh dhembje.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Arritja ime më e madhe është ende duke më pritur që ta arrij.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Çdo gjë. Sepse besoj, ashtu si Herakliti, se konstant duhet të jetë veç ndryshimi.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Do të doja shumë që të kthehesha si Supermeni.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Veprat e artit: librat, filmat, disqet muzikore.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Mjerimi më i madh është ai kur fati i një vendi lihet në duart e injorantëve.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Në Gjermani, në Hamburg.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Mençurinë.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Këtu mund të jem pak i padrejtë, por për dallim nga meshkujt, tek femrat vlerësoj mençurinë, por edhe bukurinë.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Hm. Jam adhurues i madh  letërsisë dhe e kam shumë të vështirë ta them veç një emër por gjithsesi lista e shkrimtarëve të mi të preferuar fillon me emrin William Shakespeare.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Kam shumë. Kryesisht janë artistë të profileve të ndryshme, nga të cilët unë mësoj vazhdimisht.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Të pikturoj.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Dëshiroj dhe besoj që vdekja është e këndshme si një orgazmë. Jeta dhemb.

Cila është motoja juaj?
Krijoj, pra jam./Gazeta Observer