reklamë

Pyetësori i Prustit/ Durim Taçi: “Të jem gati”, një filozofi e jetës, dashurisë dhe pendesës

Pyetësorit të Prustit në ObserverKult i përgjigjet shkrimtari, Durim Taçi:

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

Lumturia e përkryer nuk është një perspektivë, është një mënyrë jetese, me uljet dhe zbritjet e saj. E perceptoj zakonisht kur kam mbaruar një punë të rëndësishme, ndonjë tekst për të cilin kam punuar gjatë, për shembull, dhe atëherë ndihem i lumtur me tepri, gati në ekzaltim. Këtë gjendje dua t’ua bëj me dije edhe njerëzve të mi më të dashur, derisa kuptoj që duhet të frenohem. Atëherë hyj edhe një herë në fazën kur më duhet të pres për momentin e lumtur të radhës, i cili do të vijë, pa e menduar se si e kur.

Cila është frika juaj më e madhe?

Më ka shoqëruar gjithmonë një frikë, të cilën herët kam kujtuar se ishte vetëm e imja: të shkoja i papërgatitur diku, në mësim, për shembull, pastaj në një takim çfarëdo, më vonë përfshi edhe letrar. Pra frika ime është ajo e zakonshmja, droja nga mungesa e kontrollit mbi një situate të mundshme në të ardhmen e afërt. Kjo më ndodh edhe me leximin. Përpiqem të mësoj diçka ekstra për autorin të cilit do t’i qasem. Në thelb qëndron një e vërtetë e madhe: nuk mundemi ne t’i qasemi asnjë situate pa një rezervë përvoje paraprake, e gatshme të hyjë në dialog me të.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

Nuk udhëhiqem nga ideja e përzgjedhjes së personave, por e ndërtimit të marrëdhënieve me ta, kushdo qofshin.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

Nuk ia kam dalë të identifikoj tek një personalitet i vetëm cilësitë që do të ishin prijëse për mua. Kam përshtypjen se tek njerëzit na tërheq më shumë se ajo që shfaqin, ajo që fshehin në fakt dhe këtë mister ne e kërkojmë vazhdimisht tek dikush tjetër. Një mori personalitetesh përbëjnë mozaikun që na frymëzon.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

Të isha aq i zoti sa ta identifikoja, do kisha hedhur një hap të rëndësishëm në shërimin e plagëve të përjetshme ekzistenciale. Kam përshtypjen se duhet të kem shumë të meta, edhe pse të tjerët nuk para m’i thonë. Kam dëgjuar të pëshpëritet për mua, se ka raste që dukem shumë i shpërqendruar dhe në fakt ky “shpërqendrim” është mbase edhe më i keq, se është “përqendrim” tek vetvetja. Në shoqëri, kur je me tjetrin, kjo i bie të jetë një e metë e madhe.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

Tek përfillja dhe mospërfillja sillet e gjithë marrëdhënia njerëzore. Kur je me dikë duhet të kujtohesh që më shumë duhet të japësh se sa të marrësh.

Në cilat gjëra e teproni?

Zbraz tek tjetri ekzaltimin apo rutinën time, pa e kontrolluar veten.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

E mira është që gënjeshtra të mos bëhet një mjet personal për shpëtimin nga një situatë e caktuar, por të orientohej drejt një sensi pozitiv. Me shkrimin ne gënjejmë, në kuptimin që shkruajmë vepra fiksionale, por jemi të vetëdijshëm që vetëm kështu do të funksiononte. Në jetë është ndryshe.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

Ai rrugëtim gjatë të cilit të ndodhin gjëra aq interesante sa mund ta harrosh për një çast për ku je nisur. Është vetë parabola e jetës në fakt: ti nisesh drejt vdekjes që sapo lind, por rruga për atje nuk është edhe aq e mërzitshme.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

“Dro s’po m’lusin”. Kjo është forma e së folmes kurbinase për një shprehje që ka trajta të ndryshme në krahina të ndryshme. “E kush nuk ma ka zili mua”. Duket mburrje, por është një forcë frymëzuese dhe optimiste për të ecur përpara, për të pranuar atë që ke arritur dhe për të synuar më shumë. Jo detyrimisht sukses, por energji jetësore.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

Pendesat duhet të na shoqërojnë gjithë jetën, pasi jemi të papërsosur. Puna është ta vëmë re këtë gjë tek vetja. Popujt shkojnë drejt tragjedive për shkak të individëve që nuk e njohin pendesën. Tani kam kuptuar se një brez i ri, i bukur, i zoti, është rritur pranë meje, të cilit duhet t’i jap sa më shumë besim.. Pendesa ime ka të bëjë me këtë mosvëmendje e mospërfillje. Duhet të çelim rrugën për të tjerët, duke ecur edhe vetë me sa mundemi.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

Familja kur bëhet fjalë për individë, ndërsa në tërësi, është habia dhe mirënjohja për faktin që jam pikërisht në këtë kohë midis të tjerëve. Kjo merr formën e dashurisë për jetën në tërësi.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

Baraspesha mendore thuhet se është ajo që synohet, por jo bash ashtu: pakëz marrëzi duhet për të bërë përpara e pastaj për të frenuar sërish drejt baraspeshës së re. Na e thonë më shumë të tjerët si jemi.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

Të isha sa më i përmbajtur dhe i duruar.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

Kam një mikrobotë timen që e pranoj dhe më pranon.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

Kam një fakt të trishtuar familjar. Kam humbur djalin tim, Atisin, në moshën 20 vjeç. Do të doja të isha dëshmitar i vijimësisë së jetës së tij.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

Nuk ka mrekulli më të madhe se të jesh njeri: vetëdija është pasuria më e madhe e universit dhe ajo është atribut i njeriut.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

Fakti që vazhdoj të thur plane dhe përpiqem t’i realizoj ato.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

Mospërfilljen e dilemës sokratike: e di që nuk di asgjë!

Ku do të dëshironit të jetonit?

Jetoj midis Italisë dhe Shqipërisë, në Mesdhe. Ndihem i privilegjuar.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?

Më thonë se këmbëngul fort në realizimin e një detyre a pune të zakonshme.

Çfarë vlerësoni tek një burrë?

Të kuptojë që gruaja që ka pranë nuk është pronë e tij.

Çfarë vlerësoni tek një grua?

Vlerësoj gratë që nuk imitojnë burrat, ato që nuk besojnë se kështu arrijnë barazinë me ta. Barazia arrihet kur burrat kuptojnë që duhet të imitojnë edhe ata ndopak gratë. Thelbi i një burri është prirja për t’u ngjitur në shkallën e hierarkisë, për të pasur sukses. Burrat më të varfër shpirtërisht janë ata që shajnë tjetrin si dështak, pra si të pasuksesshëm. Objekt i sharjes së tyre shpesh bëhet gruaja. Jeta është diçka tjetër, jo kjo rendje e paskrupullt dhe këtë na i mësojnë më së miri gratë.  

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

Philip Roth, për faktin se më ka zbuluar një të vërtetë të madhe: pavarësisht moshës që kemi, duhet të dimë në çdo kohë të ndajmë përvojën tonë në dy pjesë, ku e tashmja jonë merr në pyetje të shkuarën, apo edhe e anasjellta, e shkuara na vjen e na befason duke hedhur dritë mbi përditshmërinë tonë.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

Heronjtë shfaqen, nuk janë. Nuk është biografia, por veprimi që të bën hero. Sot i gjej në rrugët e Tiranës, janë vajza e djem të rinj, të bukur, të mençur, frymëzues.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

Unë përpiqem të zhvilloj talentin e të shkruarit, prej kohësh. Por ajo që do më pëlqente të përsosja është kërkesa për të eksperimentuar.

Si do të dëshironit të vdisnit?

Me njerëz afër.

Cila është motoja juaj?

Të jem gati.

ObserverKult


Lexo edhe:

Pyetësori i Prustit/ Brikena Qama: Me idiotin, as luftë, as dialog, i ke të humbura!