Pyetësori i Prustit/ Ditar Kabashi: Njeriu ka vlerë, sendet kanë çmim. Përmbysja e kësaj shpie në shkatërrim

Pyetësorit të Prustit në ObserverKult i përgjigjet studiuesi i shkencave juridike, Ditar Kabashi

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

-Nuk besoj se ekziston lumturia e përkryer në këtë botë. Pajtohem me shkrimtarin Nazim Hikmet, kur thotë: “Dua një lumturi të vogël. Le të jetë aq e vogël, sa askush të mos ma kërkojë”. Edhe unë ngarend pas lumturive të thjeshta, por të vërteta. Një premisë për lumturi mund të jetë drejtësia.

Cila është frika juaj më e madhe?

-Do t’i them dy se nuk mund t’i ndaj: humbja e kujtesës personale dhe zhdukja e bibliotekës private.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

-Unë nuk admiroj njerëz ad hominem por admiroj tipare te njeriu. Ato që janë më njerëzoret. Më kujtohet ish-mentori im i studimeve, Ömer Keskinsoy, kur më përcillte me nderim deri tek ashensori në fund të korridorit të fakultetit, sa herë që e vizitoja. Ky gjest i një profesori ndaj një studenti është për t’u admiruar.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

-Secili duhet ta ketë historinë e vet dhe të jetë vetja. Mund të trashëgohen vetitë e mira të personaliteteve historike por jo edhe të bëhemi kopje e ndokujt, paçka mund të kenë qenë njerëz të mëdhenj. Mirë a keq, dua të identifikohem me emrin tim: Ditar.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

-Vras mendjen edhe për gjëra që nuk janë në dorën time. Kjo ma çrregullon gjumin dhe disponimin.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

-Lajkatimi, sepse është formë e shtirjes. Shih për këtë, ka kohë që mundohem ta shmang përdorimin e fjalës “respekt” në dialog me dikë, madje edhe në dërgesa elektronike. Në diskursin publik tonin përdoret aq shpesh në mënyrë të gënjeshtërt sa nuk di ku i ka mbetur vendi i merituar.

Në cilat gjëra e teproni?

-Me pasionin si tifoz i Fenerbahçes dhe Barcelonës.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

-Nëse do ta shpëtoja jetën e një fëmije.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

-Nuk e lidh me një itinerar të posaçëm. Thjesht, kur vete t’i takoj personat që i dua.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

-Për këtë duhen pyetur bashkëbiseduesit e mi. Unë s’e kam vënë re ndonjë fjalë specifike.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

-Më vjen keq nëse nga shpresa shndërrohem në zhgënjim për dikë. Nuk kam bërë diçka të tillë me dashje deri më sot, por në paça bërë pa qëllim, ky do të ishte objekt pendimi. Përndryshe, pendohem përditë për kohën e humbur.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

-Nëse jeta ngërthen edhe kuptim metafizik, atëherë është vetë burimi i dashurisë – Zoti.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

-E ngarkuar. Përplot paqartësi. Ndonjëherë, me pasiguri. Por jo e pashpresë.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

-Do të doja ta heq fobinë ndaj qenve dhe të luaja me ta.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

-Konsideroj se akoma nuk kam ndonjë të arritur të madhe. Por, simbolikisht, mund të them se dedikimi që ia kam bërë në disertacionin e doktoratës djalit të dajës, të ndjerit Amell, është diçka që më ka plotësuar shpirtërisht.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

-Do të përpiqesha të mësoja më shumë gjuhë të huaja.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

-Po të kthehesha si njeri, do të doja të isha i lirë. Ndërsa si send, do të preferoja të isha laps. Të tretesha për t’u bërë fjalë. Fjalë e lartë, ama.

Cila është gjëja më e shtrenjtë që e posedoni?

-Vetëdija për ekzistencën dhe besimi në Zot.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

-Varfërinë intelektuale dhe mungesën e kulturës. Ka edhe mjerime të tjera, por këto të dyja janë parësore.

Ku do të dëshironit të jetonit?

-Kudo ku çmohet mundi i njeriut. Ai është atdheu i paemër për mua.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?

-Ndoshta është delikatesa në pëlqim.

Çfarë vlerësoni tek një burrë?

-Maturinë. Durimin. Mospërdorimin e forcës fizike.

Çfarë vlerësoni tek një grua?

-Shkëlqimin e syve kur i sheh familjarët. Natyrisht, edhe gjidhënien, që për mua është më tepër përçim i mëshirës amënore sesa një proces fiziologjik i të ushqyerit të fëmijës.  

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

-Në çdo zhanër ka mjeshtër. Dikush mund të jetë prozator i mirë por jo edhe poet i realizuar, si dhe anasjelltas. Shkrimtar i arrirë është ai që ka leksik të pasur dhe kontrollon frymëmarrjen e lexuesit.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

-Ata që ruajnë ideale humane. Mbase një i moshuar që boton një libër pa përllogaritur fitimin material.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

-Do të doja të mund t’i bija sazes a violinës.

Si do të dëshironit të vdisnit?

-Me faqe të bardhë. Ndoshta pasi ta kem përfunduar faqen e fundit të një libri të vlefshëm.

Cila është motoja juaj?

-Njeriu ka vlerë, sendet kanë çmim. Përmbysja e kësaj shpie në shkatërrim.

ObserverKult


Lexo edhe:

“BLUZA ME ARIUN SIMPATIK”, TREGIM NGA DITAR KABASHI