Pyetësori i Prustit/ Emin Azemi: Me bë mirë, edhe kur ndjehesh i zhgënjyer nga njerëzit, kjo është motoja ime e jetës…

Pyetësorit të Prustit në ObserverKult i përgjigjet shkrimtariEmin Azemi:

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

Ide mund të kem shumë, por lumturi të përkryer nuk ka…

Cila është frika juaj më e madhe?

Nëse frikën e shohim si koncept psikologjik, atëherë ajo lidhet me pasigurinë, si rrethanë që jo gjithmonë varet prej teje…

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

Nuk admiroj gati askënd, por nipat dhe mbesat i konsideroj krijesat më të dashura njerëzore.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

Ndonëse nuk do të mund të identifikohesha, por Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, mendoj se është perrsonaliteti më ndikues në histori… 

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

Nganjëherë bëhem modest më tepër se ç’duhet.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

Vardisja e tepruar dhe sinqeriteti i kamufluar. 

Në cilat gjëra e teproni?

E teproj, por jo shpesh, me leximin dhe shfletimin e disa materialeve në internet që jo gjithmonë lidhen drejtpërdrejt me punën time…   

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

Shumë rrallë, por vetëm atëherë kur jam i detyruar të shpëtoj ndonjë situatë, pa e dëmtuar askënd, që kërkon pak fleksibilitet. 

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

Në çfarëdo qyteti, mali a fshati në Shqipëri…

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

Ndoshta për këtë duhet pyetur të tjerët (haaa), por më duket që si më shpesh e përdori frazën: “shiko…”

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

Në disa raste kam bërë shaka, pa ndonjë prapavijë të caktuar, me ndonjë mik apo të afërm, por pastaj jam ndier shumë keq dhe jam penduar…

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

Dashuria më e madhe e jetës sime është familja ime e ngushtë dhe profesioni im….

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

M’duket se ende jam normal (haaa)…

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

Me i dashtë njerëzit pa i vlerësuar sa duhet, kjo është dobësia ime të cilën kisha dashur ta ndryshoj.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

Botimi i gazetës së parë të pavarur në gjuhën shqipe në Maqedoni –  FAKTI.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

Ndoshta do të ta racionalizoja kohën për t’u përqëndruar në disa çështje më esenciale të jetës sime.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

Ky që jam…

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

Nëse e marrim në aspektin material, posedimi është diçka relative, por mendoj se gjëja më e shtrenjtë që posedoj në aspektin njerëzor, paksa edhe filozofik, është përpjekja e vazhdueshme e imja që t’i ruaj të tjerët nga vetvetja. 

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

Mungesa e vetëkritikës tek njerëzit, të cilët fijen e penit te ti e shohin si tra, kurse traun te vetvetja e bëjnë gjilpërë për të qepur karakterin e tyre…. Ky është mjerimi më i madh…

Ku do të dëshironit të jetonit?

Në Tiranë.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?

Sa herë ulem të shkruaj, më bëhet se jam fillestar dhe gjithmonë mendoj se të tjerët dijnë më tepër se unë….

Çfarë vlerësoni tek një burrë?

Mos me folë keq për mikun edhe atëherë kur prishet me të…

Çfarë vlerësoni tek një grua?

Sharmin dhe mençurinë…

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

Gabriel Garsia Markez.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

Kur ishin gjallë, i kisha prindërit, tash nuk kam heronj…

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

Mësimin e gjuhëve tuaja, një talent që s’e kam e që do të doja ta kem…  

Si do të dëshironit të vdisnit?

I ndershëm… 

Cila është motoja juaj?

“Me bë mirë, edhe kur ndjehesh i zhgënjyer nga njerëzit…”

ObserverKult


Lexo edhe:

EMIN AZEMI KUJTON BEQIR MUSLIUN: ENDE TRAJTOHET SI HERMETIK, KA ARDHË KOHA TA NJOHIM MË TEPËR!