Pyetësori i Prustit: Armend Mazreku

 Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet Armend Mazreku.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

Ideja ime për lumturinë nuk është ajo e romantikut, që beson në lumturi të përkryer. As e cinikut post-modern, që nuk beson në mundësinë e lumturisë. As e hedonistit të përdalë, që e redukton lumturinë në figurën e kënaqësisë, dalldisjes dhe argëtimit. Dhe as e materialistit kokëshkretë, që e redukton lumturinë në mirëkamje ekonomike. Personalisht më pëlqen një mendim i Hannah Arendt, mendimtares së famshme politike, që thotë se lumturia e vërtetë nuk është ajo private, që individi e shijon si një monad i izoluar, por është diçka fundamentalisht publike: në sensin e një përjetimi të përbashkët që njerëzit ndajnë në sferën publike. (Momente dhe instanca të tilla, së fundmi, kemi mundur të shohim në fytyrat e protestuesve nëpër sheshe të ndryshme të botës, si në Tahirir, Syntagma, Puerta del Sol, Maidan Nezalezhnosti, Sahat al Shouhada, etj.).

Cila është frika juaj më e madhe?

Përveçse nga armët bërthamore, që përbëjnë një rrezik ekzistencial për njerëzimin, frika ime më e madhe është nga teknologjitë e reja të kontrollit. Para ca kohësh, në fakt, po lexoja një shkrim të Slavoj Zizek – ku, ndër të tjera, tregonte sesi në vendet perëndimore ekzistojnë tashmë pajisje në formë valixhesh, që po u preke sustën lirojnë rrezatim dhe njerëzit që ndodhen afër e humbasin vullnetin për të vepruar dhe aftësinë për të menduar. Mjerisht, këtij lloj racionaliteti nuk i kanë shpëtuar as shoqëri të tjera jo-perëndimore. Kina, për të përmendur vetëm një rast, veç ka filluar të aplikojë teknologjinë e njohjes-faciale për të kontrolluar jo vetëm lëvizjet e njerëzve – por, ç’është më e keqja, për të parashikuar krimet që nuk kanë ngjarë ende por që “do të” ndodhin në të ardhmen e afërt (tamam sikurse tek filmi Minority Report, apo tek seriali i animuar Psycho-Pass). Sigurisht, praktika të kontrollit kanë ekzistuar dhe më parë. Ama kur praktikat e kaluara krahasohen me teknologjitë e tanishme të kontrollit, të parat të duken tejet prapanike (në mos dhe qesharake) me këto të fundit. Në këtë pikë, frikëm që as Black Mirror, Westworld, Cleverman, 3%, Elysium, The Hunger Games, Divergent, Altered Carbon, What Happened to Monday, Anon, etj., nuk na ndihmojnë më dot. Njëlloj mendoj dhe për veprat e Orwell-it, Huxley-t, Kafka-s, Saramago-s, etj. Duhet të jesh budalla nëse mendon që jetojmë në botën orwelliane, kafkiane, huxliane, apo saramagiane.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

Albin Kurtin. Së pari, sepse është mendimtar në politikë dhe politikan në të menduar (thinking). Së bashku me Glauk Konjufcën, për të cilin po ashtu kam admirim, mendoj se janë të vetmit në botën shqiptare ku puqet jeta teorike dhe jeta praktike (atë që grekët e lashtë e quanin bios theoretikos dhe bios praktikos; apo siç u referohet Arendt në latinisht, vita contemplativa dhe vita activa). Së dyti, e admiroj sepse ndryshe prej shumë figurave të tjera të rezistencës (brenda dhe jashtë vendit), i është kundërvënë jo vetëm një regjimi, por të gjitha regjimeve deri me tani – regjimit të Millosheviçit, regjimit të UNMIK-ut, regjimit të EULEX-it, si dhe regjimit të institucioneve lokale. Së treti, e admiroj për shkak të bindjeve ideo-politike që përfaqëson – dhe, po ashtu, për jetën e thjeshtë që bën. Dhe, së fundmi, e admiroj sepse ndryshe prej shumë të tjerëve (ku edhe vetë bëj pjesë), nuk i është përkushtuar “karrierës” së vet personale, që ka mundur ta ketë më të ndritur se të gjithë ne, por popullit të tij, atdheut të tij, si dhe kombit të tij.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

Me Fan Nolin. Mbase mësimi më i rëndësishëm që mund të nxjerrim nga jeta dhe vepra e tij është ky: Në fushën e kulturës, arteve, filozofisë, letërsisë, gjuhëve, etj., njeriu duhet të jetë sa më ‘kozmopolit’ që të jetë e mundshme (siç ishte vetë Noli); ndërsa në fushën e politikës dhe ekonomisë duhet të jetë sa më kombëtarist (në raport me shtetet tjera) dhe sa më i majtë (brenda shoqërisë ku bën pjesë). Fatkeqësisht, imbecilët shqiptarë, që nuk kanë lexuar asgjë përveç ndonjë autori mediokër shqiptar, përfaqësojnë modelin e përkundërt të Nolit: janë lokalistë (lexo: injorantë) sa i përket letërsisë së huaj, filozofisë, kinemasë, muzikës, etj., kurse në politikë dhe ekonomi hiqen si kozmopolitë – thua se janë duke jetuar në Francë, Kanada a Amerikë, e jo në Ballkan ku shtetet fqinje kanë ende aspirata territoriale ndaj shqiptarëve. Pra, aty ku do të duhej të ishin kozmpolitë, janë lokalistë, kurse aty ku do të duhej të ishin kombëtaristë, janë kozmopolitë.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

Jam paksa i heshtur.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

Elitizmin. Sidomos tek ata që kryejnë ndonjë program njëveçar në universitetet perëndimore dhe, duke mos pasur alternativë tjetër, kthehen në Shqipëri e Kosovë për t’u shitur mend shqiptarëve.

Në cilat gjëra e teproni?

Në kushtet e një kapitalizmi absolut, që ka pushtuar pothuajse çdo aspekt të marrëdhënieve njerëzore, është bërë gati e pamundur të jemi të moderuar dhe të mos e teprojmë. Zizek, në fakt, tregon një eksperiencë të tij në Amerikë – kur një profesor, në një ndejë që kish organizuar në shtëpinë e vet, nuk e kishte lejuar atë dhe një mik të tijin për të pirë cigare në oborrin e shtëpisë së vet dhe në rrugë. Kurse, pas darkës, i njëjti u kishte ofruar drogëra jo edhe aq të buta brenda në shtëpi (hahah). Që vërteton pikërisht këtë që po them.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

Pikërisht ata që më shtynë të gënjej (qesh).

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

Në përgjithësi, më pëlqen të marr rrugët e pashkeluara nga të tjerët. Siç shprehet poeti i famshëm amerikan, Robert Frost, tek poezia e tij e mrekullueshme “Road Not Taken,” ato “bëjnë gjithë diferencën.”

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

“Nuk e di.” Përpiqem t’i qëndroj sa më besnik këtij parimi sokratik.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

Nuk më pëlqejnë dashuritë e mëdha. Më pëlqejnë dashuritë e lëna përgjysmë, ose ato të pamundura.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

I çmendur. Ama jo i sëmurë mental. Përkundër asaj çfarë mund të mendojnë njerëzit, vetëm në shekullin 19 çmenduria merr statusin e sëmundjes mentale (pas dy shekuj përpjekjesh për të eliminuar çmendurinë nga rendi shoqëror). Përndryshe, para vitit 1650, çmenduria gëzonte liri të plotë, duke gjetur shprehje në veprat e William Shakespeare dhe Miguel de Cervantes. Eliminimi i çmendurisë nga rendi shoqëror është një nga mëkatet më të mëdha të Arsyes.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

Nuk kam arritur ndonjë gjë. Për mua çështja kryesore nuk është si të përparojmë individualisht, sepse nga ky problem nuk është se kemi vuajtur edhe aq shumë, por si të përparojmë kolektivisht. Pra, si popull, si shoqëri, dhe si komb. Për mua përparimi individual, sidomos në këto kohëra (in)dividualistike, është një efekt i pushtetit, kurse përparimi kolektiv është një efekt i rezistencës. Në këtë kuptim, mendoj që e arritura më e madhe individuale (sot për sot) është t’i bëjmë ballë pikërisht këtij presioni ideologjik për të ecur vetëm individualisht, në mënyrë që të krijojmë forma të reja të subjektivitetit politik, që presupzojnë gjithmonë një ‘ne.’

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

Në vend që të mendojmë ahistorikisht, duke fiqiruar se çfarë do të mund të kishim bërë në të kaluarën, është me e udhës të mendojmë se çfarë mund të bëjmë aktualisht. Fundja, situata e sotme është bërë më e padurueshme se ajo në të kaluarën. Dikur, ta zëmë, disa vende të botës (specifikisht, vendet perëndimore) kontrollonin shumicën e pasurive në botë. Sot, situata ka degraduar dhe më shumë: më jo disa vende, por tetë persona – tetë persona kontrollojnë më shumë se gjymën e pasurisë së botës. Dhe atë pa kurrfarë shqetësimi.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

Vdekja është “mundësia e pamundësisë se çdo lloj ekzistence,” thotë Heidegger. Ndryshe, nuk do të ishte vdekje, apo jo?

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

Jam varfanjak. Nuk posedoj asgjë të shtrenjtë. Madje as veten time nuk e posedoj dot. Shpeshherë më del duarsh – sikurse Dostoyevskit personazhet që i dalin duarsh, që rebelohen dhe çojnë krye kundër tij.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

Kam dëgjuar jo pak imbecilë të “përndritur” duke folur për “mjerimin intelektual të popullit” si mjerimin më të madh. Nuk e keni idenë sa shumë i neveris këta tipa. I përbuz pafundësisht. Së pari, sepse nuk është e vërtetë që populli është injorant. Dhe, së dyti, sepse një pohim i tillë vjen pikërisht nga ata që nuk e kanë haberin se ç’do të thotë të jesh i varfër – jo vetëm në sensin e pamjaftueshmërisë për të ngrënë, por edhe për të bërë gjëra të tjera kreative për shkak të kohës që duhet kaluar për të siguruar bukën e gojës. Varfëria është kohë e vjedhur për njeriun.

Ku do të dëshironit të jetonit?

Do të doja të jetoja në fshat. Ne që jetojmë në qytete të mëdha, shpeshherë bëjmë seri sesi fshatarët arrijnë të jetojnë në male e bjeshkë, të vetmuar e të izoluar nga jeta e qytetit. Por, siç argumenton Heidegger në një tekst të mrekullueshëm, që unë për vete e adhuroj, dhe i kthehem vazhdimisht në çdo stinë të dimrit, ajo që fshatarët përjetojnë në fshat nuk është lonliness, por solitude – diçka që njerëzit në qytet s’arrijnë ta përjetojnë dot.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull dhe femër?

Nuk ka asgjë thelbësore për t’u vlerësuar tek burrat dhe gratë. Natyrisht, kategori të tilla (burrë e grua) janë natyralizuar e stabilizuar për një kohë të gjatë (në kurriz të grave, gjithsesi). Por çdo politikë emancipatore, egalitariane dhe demokratike duhet të fillojë pikërisht nga denatyralizimi dhe destabilizimi i kategorive të tilla. Ajo që për mua ka rëndësi, në fund të fundit, është identiteti politik i njerëzve (i.e., për atë çfarë qëndrojnë), jo identiteti i tyre gjinor, fetar, racial, seksual, a ku ta di tjetër se çfarë. Pastaj në adhurojnë më shumë letërsinë, filozofinë, matematikën, kinemanë, muzikën, udhëtimet, etj.? Për mua këto janë me rëndësi.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

Krahas pasionit për filozofinë, kinemanë dhe politikën, letërsia për mua mbetet pasioni më i patjetërsueshëm. Nuk e di, nuk mund të them se kam një shkrimtar të preferuar. Më pëlqen Dostoyevsky (jo rastësisht shkrimtari i famshëm austriak, Stefan Zweig, e quan “psikologu i të gjithë psikologëve,” kurse Nietzsche e quan “psikologu i vetëm…prej të cilit kisha diçka për të mësuar”). Tek letërsia ruse më pëlqen gjithashtu Tolstoy, Pushkin, Chekhov, Gogol, Lermontov, Esenin, e Nabakov. Tek letërsia (austriake dhe) gjermane më pëlqen jashtë mase Musil, Zweig, Kafka, Hesse, Boll, Brecht, Mann, Hofmannsthal, Rilke, Heine, e Holderlin. Tek letërsia hispanike, të cilën ka kohë që e adhuroj, më pëlqen Bolano, Borges, Cortazar, Austurias, Quiroga (që nuk e përmend kush, fatkeqësisht), Sabato, Llosa, Marquez, Rulfo, Fuentes, etj. Tek letërsia italiane më pëlqen Calvino dhe Buzzati. Tek letërsia franceze do të veçoja Camus, Mouspassan, Celine, Sartre, Balzac, Baudelaire, e Rimbaud. Ka edhe shkrimtarë të tjerë që më pëlqejnë shumë, si Kundera, Capek, Saramago, Pessoa, etj. Por, përgjithësisht, këta janë shkrimtarët që i kam lexuar më së shumti, dhe që u kthehem vazhdimisht. (Fatkeqësisht, me përjashtim të Kadaresë, letërsinë shqipe e njoh shumë pak, për të mos thënë fare).

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

Në një kohë kur ideologjia dominante na inkurajon për t’u bërë vetëm heronj të vetvetes, pa e çarë kokën për padrejtësitë dhe pabarazitë që ekzistojnë në botë, identifikimi me ndonjë hero të rëndësishëm nuk është bash ide e keqe. Gjithsesi, nuk jam tek regjistri i heroizmit, por tek ai i historisë.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

Do të doja të isha regjisor, për shkak të pasionit që kam ndaj kinemasë. Për fat të keq, regjisorët e rinj – qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri – janë duke bërë shumë filma kundër shoqërisë, e fare pak kundër pushtetit. Regjisorët duhet të jenë politikë, jo kulturalistë.

Si do të dëshironit të vdisnit?

Ironikisht, duke shikuar pikërisht një film mbi vdekjen: The Seventh Seal, nga regjisori i famshëm suedez, Ingmar Bergman./Gazeta Observer