Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet poetja Enkeleda Ristani.
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Nuk besoj se ka “lumturi të përkryer”, më së shumti nuk besoj se lumturia ekziston, vetëm se ka raste kur mendoj se, nga bota e ideve diçka na vjen si “lumturia”, kemi impulse, por nuk e di nëse e jetojmë ndonjëherë. Lumturia është shumë për në tokë, është shumë për kaq.
Cila është frika juaj më e madhe?
Duhej të ishte nga vdekja, por nuk besoj se është kjo; është nga plakja, është nga gjëra që kanë ndodhur dhe ku unë kam qenë ose jo protagoniste, është nga mungesa e komunikimit, nga mungesa e arsyes etj. Janë të gjitha një dhe që bëjnë kundërshtinë time më të madhe, ajo që mund të jetë frika e të jetuarit më shumë se nga vdekja.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Nuk kam një person që admiroj; në moment të ndryshme të jetes, persona të ndryshëm. Në përgjithësi admiroj njerëzit që e kanë të qartë çfarë duan dhe luftojnë të bindur ta kenë.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?Boh! Të identifikohesha jo, por ka personalitete të ndryshme të cilat admiroj. Jam më shumë e tërhequr nga bëmat se emrat.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Emotiviteti. E humbas (pusullën) pikërisht kur duhet të jem e kthjellët, kjo me shumë nën presion (intervistat e punës p.sh.)
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Mungesa e sinqeritetit.
Në cilat gjëra e teproni?
Në dyshim, por s’kam ndërmend të heq dorë.
Çfarë do t’ju shtynte të gënjenit?
Një gjë më e madhe se unë, por s’di të gënjej bindshëm.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Poezia.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Kam frikë se është Zot.
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Mijëra gjëra, por më shumë gjëra që më janë dashur të bëj e shtrënguar, për hir të…
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Pas vajzave të mia, im gjysh.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Drejtvizore.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Po mendoja rreth kësaj, por vendosa të mos ndryshoj asgjë.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Daljen nga guacka dhe kërkimin e rrugës për të mbërritur.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Mungesën e sime meje.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Nëse s’do të isha përsëri unë, pemë.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Do doja të thoja poezia, por nuk di nëse e posedoj unë apo ajo mua.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Përdorjen.
Ku do të dëshironit të jetonit?
Në ndonjë vend ku të mos ishte i mundur numërimi.
Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Te një mashkull ndoshta fizikun, por te një burrë, Burrin.
Çfarë vlerësoni tek një femër?
Te një grua çmoj rrebelizmin.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Nuk është një.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Njerëzit, që edhe pse u bëjnë gjithçka për të vdekur, nuk pranojnë të vdesin.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Talentin për gjuhët e huaja.
Si do të dëshironit të vdisnit?
Mbuluar me gjethe, në një pyll me vjeshtë.
Cila është motoja juaj?
Të lësh pas diçka./Gazeta Observer