Pyetësorit të Prustit në ObserverKult, i përgjigjet poetja Herman Çuka.
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Lumturia në vetvete është e përkryer, sepse është një mori ndjesish e kombinim emocionesh të forta të prirura nga shkalla më e lartë e gëzimit, si një “shkëndijim elektrik” momental që të kaplon trurin e trupin, e varur nga një mori faktorësh e ndodhish. E qenë gjithnjë brenda nesh, në letargo, dhe krejtësisht personale, duke pritur shkëndijat e ardhme, “si vetëtimat e para një stuhie”. Dhe më konkretisht momenti i saj më sublim për mua; kur fëmija të vështron, e në sytë e tij sheh paqe, gëzim, siguri.
Cila është frika juaj më e madhe?
Frika, frika ime më e madhe, them që është relative e në varësi nga situata e faktorë të
ndryshëm në të cilën do të ndodhesha, që për mua është njeriu. Sepse nga njeriu mund të presësh gjithçka, dhe të paimagjinueshmen.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Familjen, e vajzën në veçanti. Mund të shprehja shumë për të, mbi të gjitha faktin, që ka arritur gjithçka me forcat e veta, e pavarur.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Me askënd, përveçse admirimit e vlerësimit, për individë që kanë sjellë ndryshimin në
përparimin e kombeve.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Të qenurit e drejtpërdrejtë, për të cilat e kam paguar jo pak herë, në një shoqëri hipokrite.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Pabesia.
Në cilat gjëra e teproni?
Kam abuzuar me kafen, dhe punën, përkujdesin, sakrifikuar nga vetja. Dhe kur jam nën trusni stresi, duhet të bëj pazar. Leximin dhe filmat, filmat i kam ende si drogë.
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Mbrojta e familjes.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Një udhëtim në Univers (edhe pse i parealizuar)
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Më dëgjo!
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Që jam sjellë jo pak herë ashpër, shumë kërkuese, me fëmijët.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Tashmë fëmijët e mi, dhe e para piktura, dhe pa anashkaluar vetë dashurinë (që për këtë jam e pandreqshme, sepse kur më kap* mendoj ende si dikur në rini të hershme, me të njëjtin intesitet, gjë që për mua s’ka të bëjë fare mosha).
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Në varësi të situatës, por edhe se më kap paniku, arrij të reagoj, megjithëse më e thjeshtë është të japësh kurajo, se të kesh, kur jeta të jep grushta, që të duhet forcë dhe mendore mbi veten.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Ndjeshmërinë.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Në atë, që nuk i jam nënshtruar askujt.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Të bëja një atdhe të denjë, për të ri-rritur fëmijët e mi, që të mos kishin përjetuar 97-tën, që emigrimi të ishte për kënaqësi nga ata, pra fëmijët, kur të ishin të vetëdijshëm, jo arratisje për shpëtim nga atdheu në moshë të brishtë.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Ujë, që mundja të shuaja etjen në tokat e thara, ku fëmijët bëjnë kilometra në rërën e nxehtë nën një diell përvëlues, për një qyp ujë.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Memoria, kujtesa.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Manipulimi i njerëzimit. Kauza ose më saktë, mënyra më e fuqishme më dominuese me pasojat kolaterale më shkatërruese në çdo aspekt. E ka vërtetuar koha që në lashtësi e deri në kohët e sotme.
Ku do të dëshironit të jetonit?
Në një vend ku do të pyesin vetëm emrin (pa pyetjen; nga vjen, cili është besimi fetar, e pa u theksuar ngjyra e lëkurës mbi njeriun, natyrën seksuale etj).
Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Empatia, dashuria, forca.
Çfarë vlerësoni tek një burrë?
Emancipimin, sepse vetë ky kualitet përmbledh gjithçka pozitive.
Çfarë vlerësoni tek një grua?
Respektin për veten.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Kam filluar të lexoj që shtatë vjeçe, librat e para: Nils Holgersson, aventurat
Tom Sawyer e Huckleberry Finn, e nëntë vjeç “Tes i Dervevilëve”, fshehur kur motra e madhe flinte. E pastaj e mbaja librin e radhës, dhe në mes të librave të shkollës, kur ishin orët blozë. Preferenca ime varet nga esenca e librit, pa varësi nga një shkrimtar i vetëm, përfshirë dhe letërsinë shqiptare, dhe që mbas ’90-tës, ka dhe poete/të e prozatore/ë të shkëlqyera/er.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Prindërit e mi, motrat, familja ime, dhe gjithë njerëzit që ia dalin të rimarrin veten nga luftrat, nga vetë frenetizmi i jetës në një botë plot vështirësi e dhimbje, duke gjetur atë thërrime të çmuar që ia vlen të jetohet.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Brenda vetes, natyra më ka falur shumë talente, njeriu, vendi, koha, regjimi, në të cilën u linda e rrita m’i patën privuar realizimet.
Si do të dëshironit të vdisnit?
Si nëna ime, që kërkoi një gotë ujë, e iku si një pikë shiu, që shkëputet nga rëndesa e tokës.
Cila është motoja juaj?
Që “aty ku mbaron liria ime, fillon e tjetrit”, “e viceversa”.
ObserverKult
Lexo edhe:
HERMAN ÇUKA: PUTHMË SONTE UDHËTAR I LARGËT…