Pyetësori i Prustit: Imer Topanica

Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Imer Topanica.


Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Nuk ka lumturi të përkryer në këtë botë, na thotë botëkuptimi religjioz. Këtë mësim e përvetësoi Arti. Ky ndërkaq, na mëson si të flirtojmë me pavdekësinë, që për disa mendje (me të cilat unë preferoj të rreshtohem), nënkupton një jetë të përtejme, diçka që shtrihet përtej asaj mundësie që na e ofrojnë mishi dhe kockat. Pra diçka eternale, e pafundme etj. Por nëse do të këmbëngulte dikush ta dinte se ç’synim kam (meqë lumturia nuk po ekzistuaka këndej kufirit të jetës), përderisa numërohem ndër të gjallët, unë do të thosha: arritjen e një paqeje a qetësie shpirtërore. Kjo po. Është e mundur.

Cila është frika juaj më e madhe?
Frikem, vetëm kur e mendoj, që nuk do të mund t’u dalë krah atyre që e kam për borxh t’u ndihmoj. Fëmijëve të mi, për shembull.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Falë Zotit, unë rrethohem nga njerëzit e mirë dhe vështirë që do të mund ta veçoja ndonjë. Megjithatë, kur e mendoj mirë e mirë këtë punë, të parët që më bien ndërmend janë prindërit e mi.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?        Hasan Prishtina. Ani që vokacioni im më shumë noton andej kah letërsia frymon.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Hahaha… a ka njeri që i përgjigjet sinqerisht kësaj pyetje? Po bëj shaka. E po, ndoshta e teproj me disa gjëra.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Mendjemadhësia.

Në cilat gjëra e teproni?
Duroj shumë. Jam kokëfortë, ani që në dukje të parë nuk reflektoj si i tillë. Kështu më kanë thënë shpesh. Por për këtë, më e sigurt është që t’i pyesnit të tjerët për mua.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Nuk më pëlqejnë njerëzit që gënjejnë.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Jam dembel për nga natyra. Nuk shëtis. Por nëse do të detyrohesha, i nxitur edhe nga të tjerët natyrisht, do të bridhja kudo larg gumëzhitjes, tollovisë, betonit e asfaltit. Nëpër pyje ose, ose pranë lumenjve a detit.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Zot.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Që ia kam falur kohën gazetarisë, më shumë se sa letërsisë.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Po u njohe me konceptet filozofike që i shpërfaq mistika islame, atëherë edhe ju, Dashurisë do t’i falnit kufij të pamatshëm. Burimin duhet ta ketë te vetë Zoti. Pa mëdyshje! (Në mos qoftë një anë e Fytyrës së Tij). Gjithsesi është diçka që fillon si feksje drite në një agim paqësor. Aty diku në buzëqeshjen e gruas, në gurgullimën e fëmijëve, pra në një ambient të zhurmshëm, por të hareshëm familjar. Pastaj në aktin e shtrëngimit të duarve me një mik, pastaj…

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Vështirë ta përcaktoj. S’mund ta shpërfillim kontekstin politik e socio-kulturor në të cilin po jetojmë. Po e morëm parasysh këtë kontekst, të paktën japim simptoma të qarta të një gjendjeje në psikozë. Përfundimisht, dikush me të drejtë ka shkruar në një mur:Kush nuk àsht tranu deri tash n’Kosovë, kurrë s’ka qenë normal!

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Të isha më i përkushtuar në detyrat e mia si bashkëshort, si prind, si mik… të lexoja më shumë. Këto do të më mjaftonin.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Që, falë Zotit, kam arritur disi të mbijetoj si shkarravitës, pa qenë pjesë e qarqeve politike që e kanë sunduar vendin për këto dekada, apo mekanizmave që i kontrollojnë ato qarqe.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Asgjë!

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Këtu, natyrisht, unë nuk besoj në samsara-n. E ndoshta edhe ai (apo ajo), që e ka përpiluar fillimisht pyetjen, nuk ka qenë budist. Synimi i vjeljes së përgjigjes, mbase rrahë diku tjetër: te kompletimi i mozaikut të karakterit të atij që përgjigjet. Në qoftë se do të ishte ky synimi, unë pa mëdyshje do të thosha: laps, lis, ose shqiponjë! Sepse, njeriu admiron tipare të gjërave, të cilat edhe mund të mos i ketë.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Padyshim gjuha. Versioni i shkruar i saj. Shpesh i them vetes që s’kam gjë tjetër në dorë.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Përuljen para padrejtësive.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Në vendin tim.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Mençurinë. Drejtësinë.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Mençurinë, drejtësinë, guximin… shihni, nuk bëjë dallime (në kuptimin gjinor).

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
I radhis poetët më parë. Pastaj ka shumë. Megjithatë: Rumiu, Sadi Shiriazi, Tolstoi, Pesoa, Kahlil Gibran, Tomas Transtromer, Umberto Eco, Mihail Bulgakov, Boris Vian, Bukovski etj., etj., etj., edhe kanë ndikuar në mua në njëfarë mënyre.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Ishte im gjysh, para se të ndërronte jetë një vit më parë. Kishte një lloj madhështie në thjeshtësinë e tij. Ishte i papërkulshëm.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Të bëhemi realist, askush nuk ëndërron për gjëra reale, të prekshme dhe lehtë të realizueshme. Andaj…

Si do të dëshironit të vdisnit?
E admiroj varrin madhështor, por të thjeshtë të Tolstoit.

Cila është motoja juaj?
Mos hiq dorë nga gjërat e bukura! Kurrë!!!/Gazeta Observer