Pyetësori i Prustit: Loer Kume

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Loer Kume, fituesi i “Çmimit Kadare” për vitin  2019.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
-Doreza me gjashtë gurët e përjetësisë e Marvel Universe. Pushteti absolut. Kjo ishte vetëtima e parë që më shkrepi në mend.
Por, kur e mendoj pak më gjatë, nuk më duhet realisht fare ai pushtet absolut. Bota është perfekte, e mrekullueshme, dhe ideja ime e lumturisë së përkryer janë disa sekonda të herëpashershme ku unë dhe gjithçka jemi në ekuilibër absolut. Disa sekonda të absolutes në jetën tonë. Një foto e vajzës time me kokën në barkun e gruas sime duke dëgjuar vëllain. Nja ca sekonda në plazh kur dielli po perendon e përreth ka një qetësi universale. Një dreke a darkë me miqtë me ca sekonda të qeshurash me shpirt. Disa sekonda kur celebrohet puna jote nga të tjerët. Momenti kur takon një të afërm zemre të munguar prej kohe. Momente sekrete që zgjasin sa një hapmbyllje e syve. Jeta është e mbushur me to. Sa më shumë, aq më mirë.

Cila është frika juaj më e madhe?
-Mos nuk arrij dot në kohë të bëj një këngë me Rolling Stones. Kam frikë mos unë vdes përpara tyre.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
-Admiroj, më japin panik, më shqetësojnë, dhe më frymëzojnë pa fund njerëz si Elon Musk, Jeff Bezos, Larry Page. Tërë ne njerëzit, kemi një 24 orësh në dispozicion për të bërë gjëra. Por, pikërisht këta njerëz që përmenda, për të njëjtën energji të shpenzuar, me të njëjtën kohë të dhënë, kanë gjetur formulën të lëvizin botën përpara nëpër udhë të reja.
Të njëjtën gjë bën dhe një shkrimtar, padyshim, sepse, për shembull Musk, frymëzimin e tij e ka marrë pikërisht nga shkrimtarët, por shpejtësia e tyre është me bit/sec, e impakti për botën shumë konkret dhe i shpejtë.
Plus, këta njerëz bëjnë gjëra që unë nuk i bëj dot. Unë admiroj çdokend që bën diçka që unë nuk e bëj dot.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
-Aleksandri i Madh. Thellë në leximet e mia, intimitetin tim aleksandrin, unë gjej ngjashmëri fatale me atë personazh. Ështe pushtues, luftëtar, i çmendur, por dhe plot dritë, bashkoi popujt, hapi rrugët, shkriu kulturat, çoi përpara evolucionin njerëzor nëpër rrugët e tij personale plot me ngjarje. Dhe gjithçka në moshë aq të re. Unik dhe i mallkuar. Diçka si një shkrimtar që shkrin tërë çka mund të shkrijë ne kazanin e tij të supës së shtrigave, për të bërë një ushqim të ri të mëtutjeshëm.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
-Padurimi. Të qenit evaziv agresiv.
Do doja që energjia ime të ishte më e mirëshërbyer ndaj njerëzve. Zakonisht energjia ime ka gjithmonë qëllime të mira, por nuk ka mënyra të rafinuara të qasjes, sillet si pirate me ata përballë duke i intimiduar njerëzit. E shpeshherë duke m’u bërë pengesë.
Po mbase kjo është vetëm në kokën time, e njerëzve u dukem një njeri krejtësisht i ëmbël.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
-Cinizmi. Është mashtrues sepse përveçse tinëzar në qasje, fsheh thellë brenda personit cinik asgjë veçse injorancë. Dhe sigurisht, Budallëku. Në ka diçka që më shkatërron sistemin e kontrollit është një njeri budalla.

Në cilat gjëra e teproni?
-Në të pirë, në të ngrënë, e në gjëra të tjera më të shëndetshme. Nganjëherë dhe jo.

-Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Ne gënjejmë nganjëherë dhe kot. Gënjeshtra është, kur e mendon thellë, bashkë me të qeshurën, tipari kryesor i njeriut. Universi ynë është i themeluar nga e qeshura dhe gënjeshtra. Gjithçka tjetër është satelite.

-Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Ai drejt së vërtetës.
Dhe, herëpashere, ndonjë udhëtim i gjatë pa adresë në zbulim të skutave të Shqipërisë.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
-Një mal me fjalë të pista.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
-Asgjë. Nuk duhet të ketë pendesa. Edhe gjërat e këqija japin një kënaqësi të këndshme djallëzore.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
-Më vjen në mend menjeherë një emër: Djathi.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
-E eksituar.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
-Do doja të kisha më shumë vullnet për të bërë më gjatë se sa 4 muaj palestër.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
-Çdo ditë e nesërme është arritja më e madhe e imja. Dhe sheshi i shtytjes për një arritje edhe më të madhe.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
-Do rrotulloja ca burma, ca vida, ca ingranazhe nëpër ndodhitë e gjërave, që një nga stergjyshët e mi të ishte bërë milioner. Sinqerisht, një njeri nuk mund dhe nuk duket të krijojë duke u përpjekur gjithashtu të rregullojë jetën e tij cilësisht, dhe përditë.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
-Abazhur barok në një bordel.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
-Një shpatë samurai e 1100, e punuar nga mjeshtri Nozaru Okata, që ka qenë pjesë e koleksionit të perandorit Toba të dinastisë Yamoto. Sigurisht që po bëj shaka. Nuk i njoh këta njerëz. Gjëja më e shtrenjtë që zotëroj është biblioteka ime.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
-Të mos dish çfarë do bësh nesër. Kjo ia kalon shumë herë vetmisë.

Ku do të dëshironit të jetonit?
-Në Spanjë dhe Argjentinë.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
-Të shkuarit e gjërave deri në fund.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
-Të njohurit e vetes. Është gjëja më e vështirë në botë për këdo. Por, kur një femër ia del kësaj, atëhere ajo është e adhurueshme sidoqoftë.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
-Sot, Sabato. Nesër një tjetër.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
-Nuk e kisha menduar më parë, por janë pikërisht ata njerëz dinjitozë, që nuk kanë kushte jetese, dhe çdo ditë u duhet të rropaten egërsisht për të mbyllur ditën me bukë në shtëpi për familjen e tyre.  Para pak orësh, pashë një grua në moshë që shiste produktet e saj perime e gjera, rrezë një muri, e ishte ngjeshur në mur për tu freskuar në një copëz hije të thatë nga vapa e korrikut. Admirim! Në sytë e këtyre sizifëve sheh frikë. E përtej frikës, është një ishull plot me guxim të pafund dhe të panegociueshëm për të pushtuar ditën tjetër, e ditën tjetër.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
-Do doja të isha si Bruce Lee.

Si do të dëshironit të vdisnit?
-Unë nuk do të vdes.

-Cila është motoja juaj?
We can plant a house, we can build a tree.
Mund të jetë një budallëk që Cobain e ka shkruar gjysmë i dehur e gjysmë në gjumë në bllokun e tij e që më pas u bë kënga Breed e Nirvana, por për mua ngërthen tërë pakufishmërinë e njeriut. Ne mund të mbjellim një shtëpi, ne mund të ndërtojmë një pemë. Ne mund të bëjmë gjithçka që fantazia jonë arrin./ObserverKult