Pyetësorit të Prustit i përgjigjet Majlinda Nana Rama, shkrimtare dhe studiuese.
Cila është ideja juaj për lumturinë e përkryer?
-Sipërorja ‘e përkryer’ ndoshta nuk shkon me lumturinë si përjetim. Lumturia konsumohet në ecje, pas çdo sfide të fituar, pas ngritjes së çdo rënieje, pas fshirjes së çdo loti, pas gëzimit të çdo fëmije, pas ngopjes së një të urituri e këto nuk mund të arrihen të gjitha, prandaj edhe s’mund të ketë lumturi të përkryer. (Materia shoqërore, pashmangshmërisht, nuk të lejon të bëhesh individualist). Aristoteli mendonte se ‘lumturia është qëllim final i ekzistencës’, që do të thotë se është një proces që as arrihet tërësisht, as mbarohet.
Cila është frika juaj më e madhe?
-Të mbetem vetëm. Unë jetoj me dashurinë e njerëzve që më rrethojnë. Sikur një ditë të mbetem pa ta, thjesht s’do jem më unë dhe kjo më tremb për vdekje.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
-Admirimi për të tjerët është ndjesi qiellore, sepse bota, jo gjithmonë është e gatshme të ndërtojë kultin ndaj tjetrit në gjallje të tij. Në mendimin tim, të admirosh s’do të thotë të ndërtosh një pikë kulmore adhurimi për vetëm një person. Unë përshembull, admiroj nënat që rrisin shumë fëmijë, admiroj baballarët që bëhen çadra për familjet e tyre, admiroj talentet e reja, admiroj një gjest mirësie, admiroj një grua të bukur, një burrë të mençur, një njeri punëtor, admiroj çdo gjë krijesë që synon të jetë e përveçme etj.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
-Zhan D’Ark apo vajza e Orleansit. Jo për vegimet, por për misionin e saj social. Në çdo kohë ka një Orleans metaforik që duhet shpëtuar, ka, po ashtu, edhe shumë zemra që rrahin për ta shpëtuar atë.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
-Nevoja për t’u kthyer në vogëlushe. Më ndodh ndonjëherë që dua të llastohem. Kot, pa lidhje kjo. S’më ka hije.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
-Mashtrimi, mosmirënjohja.
Në cilat gjëra e teproni?
-Kontrolli i i tepëruar i jetës së fëmijëve.
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
-Do ta bëja pa u menduar, më shumë se njëherë, nëse kjo do të shpëtonte jetën e miqve të mi.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
-Rrugëtimi për në antikitet. Më grishin misteret e asaj bote.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
-Të kam xhan!
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
-Nuk pendohem për gjërat që bëj. Edhe kur dështoj, shoh përpara. Nuk qaj për atë që iku.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
-Fëmijët, vëllezrit, motra. S’i ndaj dot se kë dua më shumë. Janë dashuri të përjetshme, të palëvizshme.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
-Përgjithësisht, jam person i lumtur dhe kjo me jep gjendje të qëndrueshme mendore. I gëzohem jetës, kënaqem me ato që kam, u gëzohem të arriturave të të tjerëve. Kjo është paqe shpirtërore e mendore. Jam përherë e qetë mendërisht.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
-Njeriu duhet ta pranojë vetveten dhe kjo ndodh rreth kësaj moshe që kam unë. E kam bërë pranimin tanimë. Ia kam mësuar vetes të fshehtat dhe ajo mua. Besoj se tani jemi bërë një dhe s’kemi kohë ta ndryshojmë njëra-tjetrën.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
-Kam bërë shumë miq.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
-S’e kam menduar ndonjëherë këtë. Unë e pranoj jetën siç më vjen. Nuk besoj se do ndryshoja gjë.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
-Fije bari uitmaniane, zambak lugine ose lule e bardhë.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
-Fëmijët, pasuria më e madhe që kam. Çdo gjë në jetë e gjen të drejtën e kompensimit, fëmijët, asnjëherë. Për ta e jap jetën.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
-Të besosh në atë që s’je. Është rraskapitëse dhe çorietuese. Kthehesh në një hidalgo, nuk punon për të ndryshuar veten dhe adhuron një botë që ekziston vetëm në mendjen tënde. Është dëmi më i madh që i shkakton vetes dhe shoqërisë.
Ku do të dëshironit të jetonit?
-Në shtëpinë e perëndive, Olimp. Do ta pranoja me dëshirë këtë sfidë.
Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
-I çmoj ata që flasin pak dhe janë të mençur.
Çfarë vlerësoni tek një femër?
-Vlerësoj ato që kanë klas, feminilitet, që janë të brishta. Ato janë krijesa gati hyjnore dhe i dua kur sillen si të tilla. Pra, çmoj ato që e jetojnë mirë privilegjin e të qenit femër.
Cili është shkrimtari juaj i preferuar?
-Janë disa, por do të veçoja – Anton Çehov.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
-Ata që dinë të falin. Ata që i japin vlerë qenies. Ata që dashurojnë pa kushte. Ata që ndihmojnë të tjerët.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
-Këngën… Asnjëherë s’i kam patur mirë marrëdhëniet me të.
Si do të dëshironit të vdisnit?
-Në duart e personit që dua, duke ia parë dashurinë në sy. Ashtu do ikja pa e kthyer kokën pas dhe pa e pritur Orfeun tim të më merrte nga Hadi.
Cila është motoja juaj?
-“Gjendet përherë një zgjidhje”./Gazeta Observer