Pyetësorit të Prustit në ObserverKult, i përgjigjet poetja Neviana Shehi.
Cila është ideja juaj për lumturinë e përkryer?
-Nuk ka lumturi të përkryer…Lumturia për mua është të shohësh brenda vetes dhe të gëzohesh për atë që je.
Cila është frika juaj më e madhe?
-Ndonjë sëmundje të mos më shkaktojë vuajtje.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
-Mamin, sepse ka shpirt të bukur dhe e dashuron librin. Ajo u mundua të ngjizte tek ne pasionin e leximit, duke na orientuar drejt modeleve të përkryera që i huazonte nga letërsia botërore. Ndoshta kjo është arsyeja që u dashurova edhe unë mbas letërsisë dhe shkrimit. Nëse i keni lexuar disa nga poezitë e mia, do të vini re një lloj romantizmi mbetur nga koha e leximeve të mëparshme. Mbi të gjitha na ka dhënë shumë dashuri.
Cili është personaliteti historik me të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
-Margareth Thatcher, e ashtuquajtura zonja e hekurt. Karakteri i saj skrupuloz dhe i papërkulur, aftësia e saj e kultivuar, për të mos u thyer para fuqive maskiliste dhe për t’u përfaqësuar para tyre me unin e saj të spikatur.
Cili është tipari juaj që nuk e pëlqeni?
-Ndonjëherë modestia e tepruar, që unë kam përshtypjen se interpretohet keq në një shoqëri ku preferohen maskat dhe tipat egoiste, që janë kaq të shumtë.
Cili është tipari që nuk e pëlqeni te të tjerët?
-Dinakëria dhe mosmirënjohja. Kjo e fundit me vret shumë dhe më ka vënë shpesh herë në pozita të vështira me veten. Unë jam një natyrë e hapur dhe bujare me njerëzit. Nëse do të përdorja një frazë popullore “unë i vë zemrën në pjatë miqësisë” dhe e kam pësuar disa herë. Nga një njeri mosmirënjohës mund të presësh shumë gjëra të këqija.
Në cilat gjëra e teproni?
-Kritika ndaj vetes dhe autocensura në procesin shkrimor. Më ka ndodhur ta shkruaj dhe ta fshij disa herë një krijim. Kam përshtypjen se ky është një tipar që i bën mirë një krijuesi, por pa u kthyer në mani individuale.
Çfarë do t’u shtynte të gënjenit?
-Mbase të qenit në situata tmerrësisht të sikletshme.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
-Poezia dhe tregimi i shkurtër. Tek të dyja këto, mendoj se kam gjetur veten.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shumti?
-E kështu…
Për çfarë ju ka ardhur keq apo jeni penduar që e keni bërë?
-Jam penduar kur me është dashur të ngre zërin ndaj dikujt, që e ka kaluar sensin me mua dhe më është dashur të mbroj vetveten. Edhe pse nuk më pëlqen thënia kristiane “nëse dikush të bie shuplakë në njërën faqe, ti ktheji dhe tjetrën”.
Kush është dashuria jua më e madhe e jetës?
-Ime bijë, me të cilën ndajmë shumë të përbashkëta dhe njëkohësisht shumë dallime.
Cila është gjendja momentale mendore e juaj?
-E kthjellët.
Nëse do të kishit mundësi të ndryshonit vetëm një gjë te vetja, cila do të ishte ajo?
-Të çlirohesha nga mendimet e tepërta…
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
-Familja ime.
Nëse do të mund ta kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
-Do më pëlqente të ndryshoja rutinën e përditshmërisë, të hiqja përparësen e nikoqires dhe të udhëtoja pa kthyer kokën pas. Kryesisht do të doja të vizitoja vendet ku kanë jetuar personalitetet e mëdhenj historik, të vizitoja vendet e betejave të mëdha të Napoleonit, të shkoja në shtëpinë muze të Heminguejit, të pija një kafe pranë statujës së Balzakut në Paris, të vizitoja kopshtin botanik të Tokios etj.
Nëse do të vdisnit dhe të kishit mundësi të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
-Do të zgjidhja të kthehesha si pemë (lis). Më tërheq aroma e drurëve, e gjelbra e gjetheve, vendi i lutjeve të mia, aty marr energji vitale. Më mrekullon atmosfera dhe pylli me dinjitetin e tij.
Cila është gjëja më e shtrenjtë që e posedoni?
-Unaza e nënës sime.
Çfarë konsideroni si mjerim më të madh?
– Mungesa e lirisë dhe pajtimi me demokracitë e gënjeshtërta. Shembulli në të cilën aktualisht ndodhet demokracia në atdheut tim, më bën me dhimbje koke.
Ku do të dëshironit të jetonit?
-Në vendlindje, afër detit…
Cila është cilësia juaj më e veçantë?
-Ndershmëria, transparenca.
Çfarë vlerësoni te një burrë?
-Mirësjelljen dhe thjeshtësinë e komunikimit. Nëse do të kishte edhe një dozë humori, aq më mirë.
Çfarë vlerësoni te një grua?
-Qetësinë.
Cili është shkrimtari juaj i preferuar?
-Stendal, Heminguej, Margaret Jursenar dhe Franc Kafka. “Procesi” i tij me krijon një klimë tjetër leximi.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
-Ata që nuk thyhen para vështirësive që u paraqet jeta.
Cilin talent do të donit ta kishit?
-Të dija të luaja në piano, buzë një lumi të madh, si Missisipi p.sh., kumbimi i ujërave dhe i tingujve të pianos, do të krijonte një simfoni madhështore.
Si do të dëshironit të vdisni?
-Në gjumë.
Cila është motoja juaj?
-Të mbahem si vetja dhe të lumturohem me portretin tim.
ObserverKult
————————
Kliko edhe:
CIKËL POETIK NGA NEVIANA SHEHI: VDEKJA E ULLIRIT TË LASHTË DHE DALLËNDYSHES ÇAME