Pyetësorit të Prustit në ObserverKult i përgjigjet poetja dhe përkthyesja rumune Oana Glasu.
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Është thënë shumë kohë më parë nga njerëz të ditur se lumturia absolute nuk ekziston në tokë. Mbase është kështu, por ne, njerëzit kemi besim dhe shpresë, dhe ato janë dhuratat tona hyjnore që përbëjnë lumturinë tonë. Në fund të fundit, lumturi do të thotë çdo moment i thjeshtë, çdo objekt që mund të duket i pavlerë, çdo përvojë personale, arritje e dikujt të afërt.
Sido që të jetë, lumturia për mua ekziston dhe gjendet në gjëra të parëndësishme, por të ngarkuara me një intensitet shpirtëror të barabartë me gjendjen e asaj që ne e quajmë lumturi. Nëse do t’i referohesha kaosit në të cilin jetojmë sot, kur gjithnjë e më shumë njerëz mendojnë se lumturia do të thotë para, karrierë, shtëpi, udhëtime, ndoshta i vetmi element që do të përcillte një gjendje përmbushjeje do të ishte vetëm liria.
Kur e rregullon rrugën drejt lumturisë vetëm në ngjitje materiale, nga e cila nuk mund të kthehesh, në fakt humbet më shumë dhe nuk e takon as lumturinë. Sepse harron të ndjesh, të jetosh, të shijosh atë që ke. Unë nuk mendoj se lumturia mund të jetë absolute, por ajo përbëhet nga momente kalimtare dhe prandaj: Carpe diem!
Cila është frika juaj më e madhe?
Kam shumë frika, por më e madhja për mua është vetmia. Nuk di të jetoj vetëm, por jo si gjendje varësie nga dikush, por në kuptimin që duhet të jem gjithmonë e rrethuar nga njerëz. Që kur kam lindur, jam e rrethuar nga njerëz, sepse kam nevojë të dua gjatë gjithë kohës. T’u them se i dua. Sigurisht që ka reciprocitet, sepse edhe unë ndjej të njëjtën ngrohtësi prej tyre.
Mendoj se të jetosh vetëm është një art, të cilin nuk e posedoj. Përveç kësaj, nuk pranoj asnjë përkufizim të vetmisë dhe nuk do të dija kurrë ta jepja vetë. Ata prej nesh që kanë pranë njerëz të gatshëm për t’i mbështetur pa kushte, për t’u ofruar bujarisht kohë nga jeta e tyre, durim dhe dashuri, mund ta konsiderojnë veten vërtet të pasur.
Asgjë nuk është më e bukur sesa të ndash gëzimet dhe hidhërimet me ata që janë të gatshëm të të ofrojnë një shpatull ku të mbështetesh dhe të mos presin asgjë në këmbim.
Asgjë nuk është më e çmuar se një përqafim i ngrohtë dhe i sinqertë kur fjalët nuk e gjejnë më vendin dhe kështu, në heshtje, ndjen se si barrat tua janë më të lehta, sepse nuk je vetëm. Momentet e mia të vetme të vetmisë janë kur lutem ose kur përkthej.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Patjetër babanë! Babi më mban ende në prehër, më tregon përralla, më dëgjon, më jep këshilla… Ai është miku im më i mirë dhe është unik në gjithçka që bën dhe thotë. Një njeri erudit, i butë, simpatik, një kërcimtar i shkëlqyer me të cilin më pëlqen të kërcej tangot më të bukura sa herë jeta ma jep akoma rastin. Model i rrallë që nuk besoj se do te fabrikohet ndonjëherë!
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Pyetja i referohet një figure historike, por përgjigja ime do të jetë Nënë Tereza. Për dhembshurinë, fuqinë e sakrificës. Engjëlli i mëshirës, bujarisë dhe mirësisë.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
U besoj shumë njerëzve. Pa kushte. Më herët apo më vonë përjetoj zhgënjimi, por nuk mësoj, nuk shërohem. Vazhdoj të bëj gabime në këtë drejtim. Në fakt vazhdon jeta kështu, me çdo hap të ri, një zgjedhje tjetër, deziluzione dhe zhgënjime të tjera të mundshme, shumë arritje apo dështime të tjera… një tablo komplekse e jetës në kompleksitetin e saj të gjallë, me majat e ekstazës dhe humnerave të vuajtjes.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Gënjeshtra. E urrej! E vërteta mbetet gënjeshtra më e bukur që mund të thuhet.
Në cilat gjëra e teproni?
E di që nuk ka perfeksion, por e kërkoj te njerëzit. Ua imponoj. Dhe nuk është e drejtë, se as unë nuk jam shembull në këtë drejtim!
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Situata të ndryshme. Të gjithë gënjejmë. Është një karakteristikë universale njerëzore: edhe pse bëhet fjalë për një person i mirë që thotë një gënjeshtër për të shmangur lëndimin e ndjenjave të dikujt, ose nëse po flasim për gënjeshtra shkatërruese.
Gjithsesi, gënjeshtra ka edhe ngjyra: e bardhë ose e pafajshme, gri, e zezë, e kuqe. Disa janë të nevojshme, jetëshpëtuese, të tjera, si ato që thuhen në dashuri, madje të bukura.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Do gënjej nëse do të them se nuk më pëlqen të udhëtoj, të njoh vende, të eksploroj. Por, asgjë dhe asnjë vend në këtë botë nuk më tërheq si Shqipëria, ku shkoj rrallë, por me duket gjithmonë sikur e shkel për herë të parë!
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Të/ju dua!.
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Për mua nuk mund të ketë keqardhje më të madhe se ajo që jam larguar nga Shqipëria në vitin 2003. Nuk e di si do të kishte shkuar jeta ime, por me siguri malli që ndjej për Shqipërinë do të kishte qenë për Rumaninë sikur të qëndroja.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Djali im. Se është vet dashuria!
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Në ekuilibër dhe pothuajse në paqe me veten.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Do ta kisha dashur veten më shumë. Do të kisha pushuar së qeni kritiku im më i madh. Jam shumë e zënë me të tjerët dhe harroj shpesh veten time!
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Përgjigja klasike për çdo grua do të ishte: fëmija. Por ai është mrekullia ime. Arritja ime është padyshim gjuha shqipe. Të dyja më plotësojnë, më pasurojnë, por shqipja më fisnikëron!
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Do të kisha pasur një fëmijë të dytë. Është gjëja më e besueshme që do të kisha mundur të bëja. Të tjerat mbeten ëndrra të varrosura ose gjëra të pamundura që lidhen me qeniet e tjera.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Do të kisha dashur të isha një libër me përralla, sepse ato janë të pavdekshme.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Shëndeti. Është pasuria më e madhe.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Të gjitha antonimet e mirësisë.
Ku do të dëshironit të jetonit?
Në Shqipëri! Më saktë në Tiranë. Para së gjithash, për klimën!
Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Dashuria për njerëzit!
Çfarë vlerësoni tek një burrë?
Logjika femërore është jashtëzakonisht e vështirë për t’u kuptuar. Nuk është çudi që është kaq e vështirë të imagjinohet se si duhet të jetë mashkulli i përsosur për të fituar zemrën e një gruaje. Por mua më pëlqejnë meshkujt që janë meshkuj në kuptimin e vërtetë të fjalës. Kjo do të thotë të gjitha cilësitë që mund të ketë një person me karakter. Një njeri i edukuar, i respektueshëm, i vëmendshëm, i dashur, i sinqertë, i ndershëm, së fundi, por jo më pak e rëndësishme, inteligjent!
Çfarë vlerësoni tek një grua?
Mençurinë!
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Mund të rendis disa emra shkrimtarësh rumunë apo të huaj që më kanë pëlqyer në faza të caktuara të jetës sime, që më kanë ndikuar vërtet, por do të ndalem tek një emër. Sepse është i vetmi në mendjen dhe zemrën time, për talentin e tij të rrallë, për gjuhën e pastër me të cilën shkruan, duke i gdhendur fjalët, duke i shtrydhur deri sa të dalin prej tyre metaforat më të bukura, kuptimet më domethënëse. Një autor që gërmon thellë në thesarin e gjuhës dhe nxjerr në dritë xhevahire leksikore. Ky është Thanas Medi. Autori im i preferuar përjetë për meritën e ngritjes së gjuhës shqipe në nivelin e artit!
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Të gjithë ata që u bëjnë mirë të tjerëve nga të gjitha fushat.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Të këndoja. Domethënë do të kisha dashur të lindja me këtë talent. Si të gjithë talentet native, edhe kjo nuk mund të mësohet, nëse Zoti nuk vendos të paktën 1 gram aty, që më pas mund të edukohet dhe të shfrytëzohet.
Si do të dëshironit të vdisnit?
Në gjumë.
Cila është motoja juaj?
Atë që nuk e jetojmë në kohë, nuk e jetojmë më kurrë. (Oktavian Paler- shkrimtar rumun)
ObserverKult
Lexo edhe:
HISTORI FRYMËZUESE: OANA GLASU, ALBANOLOGE RUMUNE (VIDEO)
OANA GLASU: KUR MË PUTHJE KYÇIN E KËMBËS…
ISHIM TË LUMTUR DHE NUK E DINIM…POEZI NGA OANA GLASU