Riza Braholli: I jam dhënë kokë e këmbë shkrimësisë e leximeve

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Riza Braholli.

Cila është ideja juaj për lumturinë e përkryer?
-Sikur të kishte një të tillë! Megjithatë ne rendim drejt saj, duke rendur drejt pafundësisë. Ka çaste të tilla, grimca të cilat po t’i mbledhësh bëhen pak. Janë si puna e arit që mblidhet e matet me gram. Duhet të përmbysësh male, të gërmosh tunele të tëra për t’i bërë kilogramë. Përveç kësaj marrëdhëniet me të janë të veçanta për çdo individ dhe kushtëzohet nga interesat që secili ka. Një besimtar për të prekur lumturinë kërkon të arrijë praninë e Zotit; dikush tjetër e gjen te seksi, dikush te dashuria e dikush te fati. Për mua ajo zgjat pak, por rruga për tek ajo më ngazëllen e më ka bërë të luftoj e të sfidoj veten gjithë jetën.

Cila është frika juaj më e madhe?
-Humbja e të dashurve të mi; por dhe humbja e burrërisë.

Cilin person të gjallë admironi më së shumti?
-Nuk shkoj dot deri tek admirimi. Qeniet janë kaq komplekse sa do kenë diçka që të ma rrëzojë entuziazmin e parë. Po të ishte gjallë do të admiroja tim atë, për ndershmërinë, karakterin e urtësinë që kish.

Cili është personaliteti historik me të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
-Kur kam qenë i vogël ëndrra ime më e madhe ishte të bëhesha poet. Gjithnjë e më shumë po e kuptoj sa e vështirë është të jem një prej atyre që bëhen të dashur për një shumicë njerëzish. Nëse një ditë do ta meritoja këtë (po e quaj) titull, atëherë, sigurisht, me Naimin.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
-Më rrëmben entuziazmi shpejt dhe zhgenjehem shpesh, nga sinqeriteti i tepërt që shfaq.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
-Të shtirurit. Uuu…; nuk e honeps dot!

Në cilat gjëra e teproni?
-Te besimi që u jap njerëzve dhe te shakatë. Por di të kërkoj të falur.

Çfarë do t’ju shtynte të gënjenit?
-S’do të doja të gënjeja kurrë, por do ta bëja për çdo qëllim që i shërben së mirës.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
-Do të doja një të udhëtoja me atë magji që të jep dhe një ëndërrim. Sikur të mundesha do të doja të udhëtoja nëpër Francë, Itali, por jo nëpër autostrada. Ëndërroj të udhëtoj midis atyre vreshtave të tyre në sezonin e vjeshtës, midis kodrave, nëpër rrugë ku kalojnë rrallë makina.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
-Ka kohë që fjala turqisht “evlat” më ka mbirë në gojë. Megjithëse jam për pastrimin e gjuhës prej turqizmave dhe fjalëve të huaja të tjera. E kam një arsye; më vjen nga një tregimi im “Ajo natë”, ku personazhi, babai i teqesë e përdor si përkëdheli ndaj një femre të re, fare të re.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
-Oh e kam një gozhdë në gjoks. Një pendim që do ta marr me vete, sepse, për fat të keq, nuk e shlyej dot. Dikur pas 90-ës, shkoja nëpër fshatra, – në Korçë këtë radhë – dhe mblidhja fruta e perime dhe i shisja në tregun e shumicës në Tiranë. Njoha një burrë të vjetër aty. Nuk kam njohur një njeri tjetër si ai: fisnik, me karakter dhe shpirt të madh.
E thashë dhe më sipër që unë e teproj me shakatë, edhe pse i kam pa të keq. Sa vija aty, në Gollobërdën e tij, një fshat në kufi me Devollin, dilte dhe më takonte. Kish një sjellje të matur, por tërë fisnikëri e bujari. Dilte me gjithë nipin e tij; edhe ai një burrë i ri, por me hijen e xhaxhait të tij. Nuk e di cila herë ajo që nuk e kafshova dot gjuhën. E bëj copë sot sa herë e kujtoj, por ç’vlen…!
Atë ditë po ndaheshim dhe më kishte sjellë dhe një gjysmë kile raki “perlë.”
“Pije vetë; për qejf” më tha. Deri këtu mirë. E përqafova. I thashë “je zotni”. Si harron njeriu kaq shpejt, të ruajë të njëjtën atmosferë e vijë logjikë ndjesie e komunikimi!
-Kur do vish prap këtej? – më tha. Nuk e di ç’më kapi. Mbase vetë djalli më pëshpëriti në vesh.
-Po pse do të jesh akoma, kur të vij javën tjetër?
U pre në fytyrë. Nuk foli. Më dha dorën e iku. Nuk e kisha pyetur për moshën, por duhet të qe mbi 80 vjet. I nipi më pa sa dhimbshëm aq e qortueshëm. Nuk e dija që qe sëmurë. Kur erdha aty pas një muaji, kish ikur në punën e tij. Sa herë e kujtoj, thashë, kafshoj gjuhën, por ç’vlen!

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
-E vështirë kjo pyetje. Nuk e zgjidh dot as me kompromise. Familja. Nuk i ndaj dot. Nëna, fëmijët, gruaja… dhe, sigurisht, letërsia, krijimi…

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
-Në moshën time njeriut si mbetet shumë për të bërë, ndaj i jam dhënë kokë e këmbë shkrimësisë e leximeve. Shpesh duke menduar për vitet që më kanë mbetur. Natyrisht që më shkakton trishtim, por gjithsesi mbetem një njeri me humor që s’më rri gjuha rehat, por dhe kjo me hope, sepse ashtu si hovem dhe entuziazmohem shpejt, po aq shpejt dhe mërzitem e hidhërohem. Të qenit i ndjeshëm të lodh në këtë pikë.

Nëse do ta kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
-Besimi në vete dhe në aftësitë e talentin tim. Do të doja të besoja më shumë te vetja. Përherë më ka mbuluar një drojë e tepërt që lufton me padurimin tim. Ndërkohë që i vlerësoj të tjerët më shumë sesa u takon.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
-Kam arritur shumë. Por edhe jeta, ashtu siç më ka privuar dhe më ka dhënë. Kam punuar në minierë, nëntokë; kam shtyrë vagona dhe i kam mbushur me lopatë me qymyr, që në moshën 19 vjeç. Pastaj dhe një dyzinë me zanate që nga rrobaqepës, kuzhinier, redaktor, kameraman, mësues. Arsimimi im në moshë disi të pjekur dhe deri te vargjet e proza. E tërë jeta ime ka qenë një përpjekje e mundimshme për të shkuar te ylli im, që ishte poezia, letërsia, arti, krijimi. Nuk jam i sigurt sa kam arritur në këtë fushë edhe pse u titullova Dr. në shkencat mbi letërsinë. Janë një arritje e çmuar për mua studimet mbi poezinë e Frederik Rreshpjes, Zef Zorbës, por arritja më e madhe për mua është proza e poezia ime. Megjithatë, arritja ime, në të cilën jam i bindur qind për qind është familja. Një njeri që s’di të krijojë një familje të mirë, mendoj, është i dështuar.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
-Ardhjen në Tiranë dhe braktisjen e vendlindjes sime, Korçës. Gjithashtu do kisha ngjallur gjyshin, prej të cilit kam dhe emrin. Nuk e merrni dot mend sa do të doja ta shihja.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
-Lajthi ose panjë. Më pëlqejnë në vjeshtë.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që zotëroni?
-Pos familjes, vepra ime. Edhe pse sot…

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
– Paraqitjen e injorancës si vlerë.

Ku do të dëshironit të jetonit?
– Në Paris, në vitet 30. Phh … jo jo, më mirë në Mborjen time, në Korçë.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
-Burrërinë.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
-Feminitetin.

Cili është shkrimtari juaj i preferuar?
-Shekspiri.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
-Shumë… dhe asnjë.

Cilin talent do të dëshironit të kishit?
-Këtë që kam, por dhe aktrimin.

Si do të dëshironit të vdisnit?
-Duke shkruar dhe i paligur. Siç thotë nëna ime: “si prej plumbit!”

Cila është motoja juaj?
-Nëse do të jetosh gjatë, puno dhe dashuro gjer në fund të jetës./ ObserverKult