Rezarta Reçi: Në kujtesën time nuk ka sirtar mërish e përpunim ligësish!

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet gazetarja Rezarta Reçi.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
-Një shumësi momentesh – tendencë për t’i rrëmbyer ditë-natës dhe jetës gëzimin, përkorësinë, fluiditetin, e ku ti ndjehesh në kufijtë e lehtësisë së papërballueshme të vetes.
Është kërkim i vazhdueshëm, pse të heq(im) dorë?
Nuk ka asgjë të përkryer në këtë jetë.Tendenca jonë për të kërkuar perfeksionin edhe në grimca e çaste lumturie që realisht na rrëshqasin gishtërinjve të qënies tonë kristalizojnë idenë time. Të bëhesh e vetëdijshëm për këto momente, e t’i shijosh, heret ose vonë , ke prekur lumturinë e pafotografueshme. Që ndodh!

Cila është frika juaj më e madhe?
-Mosdashuria dhe lufta.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
-Tim atë për mënyrën se si e don jetën, njerëzit,të gjallë a të vdekur, admiroj energjinë e tij për të mos u dorëzuar e për të ndjerë pulsimin e jetës në çdo qelizë. E po aq admiroj mamin tim që mbetet një dhuruese dashurie, paqeje e mirësie me zemër, shpirt e fjalë, pavarësisht nga rrethanat.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
-Nënë Tereza. Për mirësinë, dashurinë dhe devocionin e saj në shërbim të njerëzve.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
-Romanticizmi i tepruar që bie ndesh në çdo çast me frymëmarrjen reale, tokësore, me të qënurit me këmbë në tokë.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
-Shtirja, hipokrizia, mosmirënjohja.

Në cilat gjëra e teproni?
-Në mirësi dhe në buzëqeshje. Edhe në harresën e së keqes, fal shumë, sepse harroj shpejt. Në kujtesën time nuk ka sirtar mërish e përpunim ligësish, sepse qënia ime beson e priret nga drita.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
-Rrethanat e domosdoshme. I çmoj njerëzit që nuk e ndjejnë të nevojshme të përdorin as gënjeshtra të bardha, kudo që të jenë…

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
-E ndjej që profesioni që unë bëj më ka shtyrë në rrugëtimin drejt shpirtit njerëzor. Pyetësorët e mi, qoftë të improvizuar apo edhe të paramenduar të nxisin të gërmosh në qënien tënde, në kujtesën tënde, në të shkuarën a ëndrrat e tua, në intimitetin tënd. E gjitha kjo si një formë arratie e brëndshme për të shpërfaqur veten e për t’i thënë “të dua ” vetes, të tjerëve, botës.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
-Të lutem dhe faleminderit.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
-Më vjen keq që nuk arrij ta shpëtoj mamanë time nga lëngimi dergjës. Edhe sikur të shtrihem vetë në vënd të saj, nuk ndryshon asgjë. E kjo më dhemb shumë.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
-Çasti i pakthyeshëm që i ka të gjitha dashuritë brënda.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
-Pezulli mendore, shpirtërore….në pritje të sfidave të reja tek të cilat besoj!

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
-Pak më shumë nerv do të doja të kisha …e kam provuar, nuk merret borxh…

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
-Rrugëtimin profesional radioteleviziv që vazhdon, përmes të cilit kam kontribuar profesionalisht për evidentimin e njerëzve – personalitete në fushën e artit, kulturës, sportit, shkencës, mjekësisë etj. Është një rrugëtim modest, por solid nga i cili mendoj dhe besoj është përftuar dije, pozitivitet, ekperiencë, vlera të domosdoshme për një shoqëri si e jona në tranzicion të gjatë, ku janë humbur lehtësisht parametrat e orientimit. Jam ridimensionuar dhe unë nga gjithë ky këmbim fjalësh, dijesh,vlerash, copëzash historie jetësh njerëzore, por njëkohëshëm është pasuruar edhe arkivi që i vlen kulturës kombëtare.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
-A mund ta bëj dot? E pamundur. Po nuk kam shumë gjëra për të ndryshuar. Thjesht do të shtoja udhëtimet, por gjithmonë ka kohë edhe për to.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
-Mikun tim të vogël Jerin.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
-Familjen time.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
-Injoranca dhe arroganca të veshura me pushtet.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Në një vend me rregulla dhe ligje të zbatueshme ku të vlerësohet dhe respektohet integriteti dhe ndershmëria njerëzore.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
-Mënçurinë, xhentilesën, mbajtjen e fjalës.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
-Feminilitetin dhe rrezatimin shpirtëror.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Të gjithë ata shkrimtarë që më morën për dore që në fëmijëri e më mbrujtën e vazhdojnë të më konfigurojnë mëndjen, shpirtin, qënien. Ndodhen realë, aty, në librat e vendosur në bibliotekën tonë të pasur, por janë dhe në shtresimet e mia me një ndjesi, koncept, me një ide, frazë a experiencë të tyre shprehur magjishëm mes rreshtave.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
-Njerëzit e thjeshtë ,modestët, të cilët dinë ta jetojnë të përditshmen ndershmërisht, pa zhurmë e bujë e bëjnë paprà gjeste të vogla dashurie, mirësie, fisnikërie, sepse ashtu e ndjejnë. E nuk bërtasin. E nuk rrahin gjoksin. Thjeshtë e kanë filozofi jete të kultivuar nëpër kohë.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
-Të shkruarin.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Në lëvizje. Siç e dua jetën në lëvizje, dhe vdekjen të tillë e dëshiroj. Pse jo, këtë të fundit edhe të pagjurmtë nëse do ishte e mundur. Përshembull e përfshirë nga një katarakt i vrullshëm me sfumaturë zero.

Cila është motoja juaj?
-Mbill buzëqeshje, korr dashuri!
Thuaji të dua vetes, jetës, njerëzve që na rrethojnë, dashuria nuk del kurrë nga moda, gjithsesi…/ObserverKult