Pyetësori i Prustit/Sami Milloshi: Jam peng i përmbushjes së detyrës…

Pyetësorit të Prustit në ObserverKult, i përgjigjet publicisti dhe shkrimtari, Sami Milloshi.

Cila është ideja juaj për lumturinë e përkryer?

Unë kam parë njerëz të lumtur. Por nuk mendoj se lumturia është e përkryer. Duhet të vësh në punë fantazinë që ta bësh të tillë, domethënë të përkryer. E tillë mund të ishte për shembull jeta e një çifti në moshë të thyer që ia dalin të ndihmojnë njëri-tjetrin dhe gdhihen e ngrysen duke u puthur në buzë.

Cila është frika juaj me e madhe?

Nuk dua të kem aksident automobilistik. Mund të ishte fatal. E kam mësuar ta ngas makinën në Amerikë në moshë relativisht të vonë, katërdhjetëepesë vjeç si një shqiptar që vinte nga një vend (Shqipëria) ku edhe ajri ishte pronë e shtetit, e jo më makinat…

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

Motrën e vogël. Ajo është heroina ime. Dhe jo vetëm e imja…

Cili është personaliteti historik me të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

Me Sami Frashërin, emrin e të cilit ma ka vënë im atë jo krejt rastësisht…

Cili është tipari juaj që nuk e pëlqeni?

Një nivel relativisht i ulët i egos në krahasim me integritetin dhe njohuritë e mia.

Cili është tipari që nuk pëlqeni tek të tjerët ?

Mosmirënjohja. Është e neveritshme, e urrejtshme. Çuditem se si hedh rrënjë tek njeriu, por është fakt se ndeshem me mosmirënjohës.

Në cilat gjëra e teproni?

Më duket se kam filluar ta teproj me të ngrënit nëpër restaurante…

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

Vetëm me kushtin që gënjeshtra të ishte, siç quhet, e bardhë, domethënë që nuk dëmton atë që ia them, dhe natyrisht as veten. Përndryshe,nuk do të gënjeja kurrë.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

Boston – vendlindje e kthim.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

“Unë të dëgjova mirë. Tani, dëgjomë edhe ti mua.”

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

Duhej të kisha bërë më shumë eksperimente dashurie në rininë time të hershme…

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

Fëmijët e mi.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

E kthjelltë, e qëndrueshme, e tillë që mund ta zëvendësonte pa kurrfarë problemi një gjendje të pështjelluar mendore si ajo e kryeministrit aktual shqiptar në Tiranë…

Nëse do të kishit mundësi të ndryshonit vetëm një gjë tek vetja, cila do të ishte ajo?

Të humbja pak në peshën trupore para se të bëj takimin rutinë me doktoreshën Laela.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

Familjen time, edukimin dhe shkollimin solid të fëmijeve të mi në universitete prestigjioze amerikane.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

Do kisha dashur ta ktheja kohën pas dhe ta ndaloja masakrën e kolektivimit të Shqipërise, t’u jepja mundesi fshatarëve të bënin mrekullitë që sjell prona private kur ajo ka gjithashtu vëmendjen e shtetit…

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo si send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

Do të kisha dashur te kthehesha si një portret i bërë nga Van Goghu në dy kopje, si dhuratë për dy fëmijët e mi.

Cila është gjëja më e shtrenjtë që e posedoni?

Kam orën e dorës dhe unazat e vathët e floririt të nënës sime. I ndrittë shpirti.

Çfarë konsideroni mjerimin më të madh?

Mjerimin më të madh konsideroj paaftësinë e popullit tim për të zgjedhur në krye të tij bijtë dhe bijat më të mira të tij, që një vend të bekuar nga Zoti do ta kishin bërë edhe më të bukur se Zvicra. Fajin duhet ta kërkojmë së pari tek vetja, pastaj tek të huajt…

Ku do të dëshironit të jetonit?

– Nuk ka rëndësi se ku, gjithmonë, mundësisht sa më pranë fëmijëve.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?

Jam i prirur kah e drejta. Të jesh i drejtë me vehten dhe me të tjerët është mrekulli, është thelbi i civilizimit modern.

Çfarë vlerësoni tek një burrë?

Të dijë të falë. Dhe kurrë të mos harrojë se, siç thotë populli, koka e falur nuk pritet…

Çfarë vlerësoni tek një grua?

Çmoj prirjen për të pjesëtuar në harmoni të plotë dashurinë e saj për burrin dhe fëmijët.

Cili është shkrimtari juaj i preferuar?

Amerikani O’Henry.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

E thashë edhe në përgjigjen e pyetjes së tretë: është motra ime e vogël.

Cilin talent do të dëshironit të kishit?

– Ka nja pesë vjet – fiks me këtë ditë që po shkruaj këtë intervistë –  që kam filluar të merrem me pikturë. Profesor Luigj Gjoka ka shkruar se unë kam zbuluar tek vetja një talent të fshehur që nga fëminia. Më duket se ka thënë të vërteten.

Si do të dëshironit të vdisnit?

– Në gjumë.

Cila është motoja juaj ?

Unë jam peng i përmbushjes së detyrës. Kjo përmbledh punën për të cilën paguhem, detyrën ndaj familjes dhe fëmijëve, dhe detyrën ndaj Atdheut me të gjitha mundësitë e mia.

ObserverKult


PYETËSORI I PRUSTIT/ HERMAN ÇUKA: NGA NJERIU MUND TË PRESËSH GJITHÇKA, DHE TË PAIMAGJINUESHMEN…

PYETËSORI I PRUSTIT/ ZIJA VUKAJ: PUNA PA NDA, NDËRTON KALA

PYETËSORI I PRUSTIT/ BEGZAD BALIU: MUNGESA E URREJTJES MA KA ZHVILLUAR REFUZIMIN SI KATEGORI FILOZOFIKE…

PYETËSORI I PRUSTIT/ELVI SIDHERI: JETONI, SEPSE KOHA NUK KTHEHET MBRAPSHT!